Friday, May 17, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZË“I MARTUAR, POR E DUA!”

“I MARTUAR, POR E DUA!”

Nga Agim Xhafka – Kur më thanë që kushërira ime Eni qe lidhur me një burrë të martuar në çast u trondita. Por për pak sekonda, e braktisa si lajm. M’u duk trillim siç ndodh sot kaq e kaq herë që ia ngjitim dikujt si dashnore një shoqe pune a dikujt i vëmë një epitet po e pamë në radhë te banka me një femër pranë.


Për më tepër nuk më ngjiti se Eni është goxha vajzë. E bukur, e mençur, e shkolluar, plot kulturë dhe dinjitet. Mund të bëjë dashuri me kë të dojë nga djemtë e qytetit. Ata kush e di në sa ëndërra e zhysin çdo natë atë. S’kishte pse të ngelte te një burrë i martuar. Gjithsesi, më shtyu kurioziteti ndaj pyeta Bertin, shokun tim që më dha lajmin:


-Ej, cili qenka ky burrë, mo?

-Tomi i lëvrekut, – më tha.

Më erdhi ndër mend. Është biznesmeni që ngriti i pari kultivimin e koces e levrekut në gji të detit. Bëri bujë ato vite se qe investim i madh dhe që eci mbroth. U pasurua kaq shumë Tomi sa u largua nga bregdeti. Atje shkonte punonte e menaxhonte, ama jetonte me gruan dhe dy djemtë e rritur në një vilë te kodrat e Tiranës. Familja e tij rrezatonte bukuri e hijeshi që larg. Këto po mendoja se më erdhën ndër mend portretet e tyre. Sidomos e shoqja. Ishte yll i rënë nga qielli, thoshte shpesh gruaja ime. Po më shfaqej problem me shumë të panjohura ky i flamosur thashethem sikur Eni ishte në lidhje me Tomin! Nuk e gëlltisja dot, por dhe më acaronte sapo e mendoja. Nuk e zgjata më, mora Enin në cel.

-Do e pimë një kafe me kushërirkë?

-Kur të duash.

Përherë ajo nuk ka hezituar të flasë me mua. Jemi diferencë plot vite, unë afër sa babai i saj, por jemi afruar se shpesh më ka qarë hallet, ose më ka kërkuar mendim. Kam qenë i çiltër, e kam aprovuar, por dhe kundërshtuar shpesh. Në fund ka dalë që nuk ia kam futur kot. Kjo na ka rritur besimin.

Mbasdite sa doli nga puna shkuam te “Vjollca”. Lokali nuk quhet kështu, por ka punuar atje banakiere një kushërira jonë dhe ia ngjitëm këtë emër. Sa u ulëm e pyeta drejt:

-Je lidhur me Tomin, o gocë?
Nuk u çudit. Qeshi.
-E kam puthur, – më tha.
-E dashuron d.m.th?
-Eh, unë po. Vdes për të.
-Pse ai jo?

Ndenji me sy ngulur tek unë e vazhdoi.

-E paske dëgjuar dhe ti. Nuk është thashethem. Është një e vërtetë e madhe. Unë Tomin e dua fort. Po fort, fort. Sa qielli thonim kur ishim të vogjël. Madje e dua më shumë se veten. Duket si paradoks e shprehur nga unë. Ti po çuditesh se jeton me atë moralin e hershëm tradicional. Pandeh se ai moral është ende në fuqi. Mbase vende-vende jeton akoma, por për ne femrat zbatohet një kod tjetër. Ai i zuzarllëkut.

E mban mend kur u enda kaq e aq kohë pasi mbarova juridikun? Nuk doja lëmoshë, as isha kurvë. Doja punë. Punë të ushqehesha e t’u vija në ndihmë prindërve që mezi marrin frymë me ato pension lëmoshat. Po kudo që trokisja më shihnin gjoksin dhe kur ikja gati më preknin te vithet. Askush nuk më pa si punonjëse të asaj zyre kur paraqisja cv-në. Madje ca guximtarë gati më pickuan. Jargët e shikimeve m’i hidhnin që te dera si litarë të shpifur. E mes këtij kodoshllëku masiv, mes këtij nepsi epshor bash te Ministria e Drejtësisë, kur dola duke vrapuar nga frika e ndonjë përdhunimi brutal, te shkallët u përplasa me Tomin. Me aq forcë sa gati do rrokulliseshim të dy. Por falë fizikut të tij e parmakut prej hekuri ku u mbështetëm u stopuam unë e ai ngjitur e ngjitur. U stampuam, unë thuajse në gjoksin e tij e ai duke përfshirë krejt shpatullat e mia. I kërkova ndjesë, por dhe i dhashë një shpjegim të përciptë për vrapin tim.

Kam mbaruar juridikun e po kërkoj punë. Ai pas këtyre fjalëve tha,eja puno për mua, sapo mora sot licencë për studio ligjore. Nuk pa as CV, as dëshmi, por drejt e në zyrë. Më la dosjet mbi tavolinë e shtoi, merru ti me gjithçka. Kështu u gradova si drejtuese. Nuk dija nga lidhej gomari për organizim, por u konsultova me ca kolegë e hap pas hapi eca veç për mirë.

U shtuam me tre juristë të tjerë e puna mbroth. Tomi herë pas here na vizitonte. U hidhte një sy bilanceve e për dy vjet fitimin na e shpërndau si bonus. Asgjë për vete. Të më rrojë peshku, thosh. Më pas la koleteral zyrat kur doja kredi për shtëpi. U preka, nuk qe gjest i vogël. Më emocionoi dhe u gjenda në një borxh të madh mirënjohjeje. Rasti që e dashurova vërtet ndodhi kur pësova një aksident me makinë. Qëndrova gjashtë muaj shtrirë. Theva këmbën dhe tri brinjë. Jo vetëm që nuk më zëvendësoi, por çdo muaj derdhi te llogaria rrogën sikur paraqitesha çdo ditë në punë. Po mos jemi humanë në raste fatkeqësish kot quhemi njerëz, thosh.

Pra një burrë zotni, bujar, fisnik, fjalëëmbël dhe korrekt. Nuk mbaj mend të jetë mërzitur apo të jetë nxehur. Kurdoherë i buzëqeshur. Sa e shihja ndieja kaq siguri me këtë njeri sa nisa ta kisha zili gruan e tij. Pse Tomi mos qe burri im, pyesja veten. Kështu si ai doja ta kisha bashkëshortin e ardhshëm. Me kast e merrja në cel e lija takim në restorant a diku në lokale rreth Tiranës që gjoja t’i flisja për biznesin e studios, por në fakt kisha një ndjesi që duhej ta takoja nga që ai më sillte gëzim, ma bënte ditën plot rreze. Ishte si kurë antidepresioni, ose si nxitës i fortë lumturie. Ditë pas dite u mbyta në mirësinë e tij. Nëndërgjegjja më nxiste drejt veprimeve të pamoralshme. Sikur me të shkoja në një motel, ose ëndërroja sikur isha me të në një krevat. Në fund nuk mbaja mend seksin me të, por më shfaqej non stop e qeshura e tij. Sytë që i kishte si diell. Ngaqë te Tomi unë më shumë dashuroja mirësinë e tij. Një mbasdite guxova e shkova deri në një puthje. Mbylla sytë, afrova buzët te buzët e tij, por ndjeva që e putha në faqe. Paskej lëvizur i miri ai. Po ngatërrohem nga birra që piva, i thashë e përskuqur. E pashë që nuk donte të hynte në lidhje të gabuara. Ishte i martuar, çdo çast shfaqej si i tillë, kurrë nuk e fshehu.

Këtë rast e kaloi si ngatërresë ndaj unë e admirova më shumë. Tomi është si uji, i thashë vetes. Fute në një shishe vaji, tunde sa të duash nuk përzihet me vajin ai. Rri veç. Me kufij të qartë.
Shkurt, i dashur kushëri, Tomi për mua është engjëll. Kjo fjalë i shkon atij si kostum.

Më tej Eni nuk foli ngaqë te tavolina na erdhi papritur një djalosh i gjatë, me flokë pis të zeza e sytë blu të errët si deti Jon.

-Njihu, Gimi, kushëriri im, – më prezantoi mua.
Çuni më zgjati dorën.
-Besmiri, – dëgjova emrin e tij.
-I dashuri im, – vazhdoi Eni.
E pashë me mëdyshje.
-Po të pres jashtë se kam parkuar gabim, – tha ai.
Eni u ngrit, më përqafoi.
-Besmiri i dashuri yt? – e pyeta.
-Po.
-Po Tomi?
-Tomi ta thashë, është ëngjëlli im.
-Dhe?
-Dhe me engjëllin bije bllump në dashuri, por me engjëllin s’bën dot dashuri, – qeshi ajo e u largua me hapa të shpejtë drejt makinës që po e priste te dera.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME