Saturday, October 12, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËIDIOTËT PO SHTOHEN NË MËNYRË TË FRIKSHME!

IDIOTËT PO SHTOHEN NË MËNYRË TË FRIKSHME!

Nga: STEFAN ÇAPALIKU

Kishim rrumbullak njëzet e dy vjet që kafen e parë të çdo viti të ri e pinim bashkë. Ishim të dy moshatarë dhe kishim përfunduar universitetin në të njëjtën degë, tamam kur pati ra komunizmi. Për rreth dhjetë vite të mira, domethanë nga 1990 deri më 2000, e patëm humbë shoqi shojin. Qenë vite të vështira ato. Dhe u gëzuem shumë kur ndodhi, rastësisht, që në prag të milleniumit të tretë, me 1 janar 2001 të takoheshim ballë për ballë në një prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Ishte ora 8 e mëngjesit dhe pothuajse askush në rrugë. Askush në rrugë dhe asnjë kafene e hapun. Kambët na çuen të dy te parku në qendër, aty ku gjendej e vetmja kafene 24 orëshe e kryeqytetit. Bri saj një kioskë gjithashtu e hapun që shiste cigare për duhanpimësit e thekun, disa gazeta të vjetra dhe çikërrima të tjera. Rrugët qenë të pafshime, të pafajshme, me shishe të thyeme dhe boshe që gjendeshin gjithandej.

Klubin e gjetëm hap. Kur hymë brenda aty gjetëm disa policë, nja dy a tre pastruese, si dhe dy muzikantë, që si duket, sapo qenë kthye nga ndonjë darkë e gjatë e Vitit të Ri dhe po pinin kafen e fundit, para se të shkonin e të flinin ndër shtëpitë e veta. I kishin sytë kapuç.

Mëngjesi i parë i vitit të ri ishte e vetmja herë që qyteti i ngjante fort një fshati të madh, të paktën në kuptimin e qetësisë. Sundonte një heshtje gati si e sajueme apo si me qenë e urdhnueme prej ndonji regjisori teatror, në formën e një pauze.
Mandej, mbas pak, qyteti do të zgjohej dhe çdo gja do hynte në rrjedhën e tij absurde. Kaosi do mbretnonte për 365 ditë të vitit.
Mbasi që e pimë atë kafe, u nisëm secili për në hesapë të vet dhe pa lanë kurrfarë takimi. Kaq shumë na shijoi ajo ndenje sa vitin e ardhshëm, më 2002, nuk e di a qeshë unë apo ai që telefonoi një ditë ma parë, por e lamë të pinim një tjetër kafe.

Pra me 1 janar të vitit 2002 u takuem në të njajtin vend e në të njajtën orë. E mandej nuk e di sesi, po mbas dy a tre vjetësh të para, kjo gja na u kthye në zakon. E gjithë pjesa tjetër e vitit shkonte thuejse pa u takue ose duke u takue krejt rradhë dhe sporadikisht. Ai punonte si gazetar në një të përjavshme që në vititn 2001 kishte pasë rreth 64 fletë. Edhe tash punonte në të njajtën gazetë, por që kishte gjithsej jo ma shumë se 8 fletë. Pra gazeta e tij kishte pas humbë rreth 2.5 fletë në vit, për 22 vjet 56 faqe.

Me siguri, thoshte ai, ishte interesi i leximit që kishte humbë. Tani jo vetëm që nuk lexonte kush analiza, por as edhe lajme. Idiotët po shtoheshin në mënyrë të frikshme. Kjo pakashumë ishte edhe tema e bisedës që bahej çdo 1 janar, mbasi që mbaronin pyetje përgjigjet për shëndetin. Pra pyetja: “Me sa faqe ka përfundue gazeta” qe pakashumë ajo që ndizte një farë mënyre diskutimin dhe prishte lemontinë e asaj ndenje.

Edhe sot don me ndodhë e njajta gja. Unë dola në kohë. Tani jam te vendi. Ora shkoi 8.30, por ai nuk po duket. Provoj ta thërras. Telefonin e ka të fikun. Gazeta e tij nuk gjendet ma këtu te kioska.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME