India sulmon me raketa Pakistanin, vritet 1 fëmijë dhe plagosen 2 të tjerë

India ka nisur “Operacionin Sindoor” duke goditur disa zona në të gjithë Pakistanin si një hakmarrje për sulmin e muajit të kaluar në Pahalgam në Kashmirin e administruar nga India. India hodhi raketa përtej kufirit në territorin e kontrolluar nga Pakistani në të paktën 3 zona.
Raportohet për të paktën një fëmijë të vrarë dhe 2 persona të tjerë të plagosur sipas asaj që thanë zyrtarët pakistanezë të sigurisë. India deklaroi se po godiste infrastrukturën që përdornin militantët.
Kjo situatë vjen në një kohë tensionesh të larta midis dy vendeve fqinje pas një sulmi militant në Pahalgam, në zonat e administruara nga India në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit muajin e kaluar ku mbetën të vrarë 26 persona. Ministria e Mbrojtjes e Indisë tha në një deklaratë të mërkurën se të paktën 9 lokacione ishin në shënjestër “ku janë planifikuar sulme terroriste kundër Indisë”.
“Veprimet tona kanë qenë të fokusuara, të matura dhe jo-përshkallëzuese në natyrë. Asnjë strukturë ushtarake pakistaneze nuk është në shënjestër”, – thuhet në deklaratë, duke shtuar se “India ka demonstruar përmbajtje të konsiderueshme në përzgjedhjen e objektivave dhe metodën e ekzekutimit”.
Në një postim të fshehur në platformën e mediave sociale X, ushtria indiane postoi një mesazh ku shkruhej “Drejtësia është vënë në vend” së bashku me “Rroftë India”. Në një përpjekje për të mos provokuar Islamabadin, New Delhi këmbënguli se nuk po synonte asnjë bazë ushtarake pakistaneze. Si rezultat i zhvillimeve të fundit, janë shtyrë fluturimet që nuk janë nisur ende, sipas një zëdhënësi të Pakistan Airlines.