POLITIKË

Ish-deputeti fierak i PS: Edi Rama, klouni i oborrit

Ish-deputeti i PS-së, Nazmi Bilani ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës. Me anë të një shënimi në rrjetet sociale, Bilani shkruan se, Rama është klouni i oborrit.

‘Edi Rama është një rast klinik ku arroganca, injoranca dhe fantazia kriminale janë bashkuar në të njëjtin trup të gjatë e të zbrazët. Në fillim të çdo premtimi, ai shfaqet si shpëtimtari i kombit; në fund, si mjeshtri i përlarjes  së buxhetit.

Një njeri që qesh me ironi edhe kur e kapin në flagrancë me premtimin në dorë  dhe në vend të ndjesës, shpik një gënjeshtër të re. Një artist i falsifikimit moral, që përdor VKM-të si furça, dhe ligjet si kanavacë, për të pikturuar çdo krim shtetëror me ngjyrat e ‘arsyes shtetërore’.

Projekti i tij politik është i thjeshtë: gënje, vidh, pastro paratë, dhe përsërite ciklin.

Siç tha Hannah Arendt, ‘Kur të gjithë janë fajtorë, askush nuk është fajtor’-dhe Rama e ka kthyer këtë në art kombëtar. Çdo aferë bëhet ‘punë qeverie’, çdo vjedhje bëhet ‘investim strategjik’.

Në mungesë të aftësisë për të ndërtuar liri dhe drejtësi, ai ndërton fasada milionash, duke e ditur që një popull i mahnitur me ngjyrat e fasadës nuk sheh mizerjen pas saj.

Bertrand Russell e kishte paralajmëruar: ‘Qeveritë që duan të duken të dobishme pa qenë të tilla, përdorin projekte të mëdha për të mbuluar mungesën e lirive dhe drejtësisë.’ Rama, thjesht, e ka marrë këtë si manual pune.

Ndërkohë, investitorët e tij ‘strategjikë’ janë shpesh fantazma ekonomike, pa të ardhura ligjore, por me valixhe plot me para të pista. Tenderat publikë fitohen nga kompani që nuk plotësojnë as kushtin e parë ligjor, por që kanë një meritë të vetme: afërsinë me ‘artistin’ e madh.

Dhe publiku?

Shumë prej tyre, të ulur në divan, e shohin këtë shfaqje si reality show, dhe nuk e pranojnë dot që janë gënjyer. Sepse është më e lehtë të jesh i gënjyer, sesa të pranosh se je naiv. Rama e di këtë. Dhe kur tha ‘Nuk keni parë gjë akoma…’, ai nuk po tallej-thjesht po njoftonte episodin e radhës të serialit të tij të gjatë të shkatërrimit kombëtar’, shkruan Nazmi Bilani në Facebook.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button