KULTURË

Kim Kardashian “ndez” Venecian para dasmës së Bezos 

Kim Kardashian, bashkë me motrën Khloe dhe nënën e tyre Kris Jenner, bëri një hyrje që nuk mund të kalonte pa u vënë re në Venecia, ku po zhvillohen përgatitjet për dasmën 20 milionë dollarëshe të Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez. E veshur me një bandeau Balenciaga super të shkurtër dhe fund të gjatë të ngjitur pas trupit, Kim ishte në qendër të vëmendjes ndërsa hipte në një taksi ujore, e rrethuar nga sigurimi dhe fansat.

Khloe zgjodhi një jumpsuit me print leopardi nga koleksioni SKIMS x Dolce & Gabbana, ndërsa Kris shfaqej elegante me një fustan të zi të thellë në dekolte. Yjet e familjes Kardashian po qëndrojnë në hotelin luksoz “Gritti Palace”, ku janë mbledhur dhjetëra VIP-a të tjerë për dasmën më të komentuar të vitit.

Por ndërsa dasma e Bezos festohet me karrocë të mbuluar, skena me qirinj dhe muzikë italiane klasike, Italia është përfshirë nga polemika të forta politike. Deputetët në parlamentin italian janë të zemëruar për bllokimin e zonave historike, kanaleve dhe pikave publike të Venecias për tre ditë me radhë – vetëm që miliarderët të festojnë të izoluar nga populli.

“A është e pranueshme që një qytet si Venecia të blihet për tre ditë?” – pyeti me zemërim deputeti i së majtës Angelo Bonelli. “Kush po e paguan sigurinë, izolimin, orët shtesë të policëve dhe bllokimin e qytetit? Ne paguajmë – dhe në këmbim marrim vetëm selfie luksoze.” Ai shtoi se Amazon, kompania e Bezos, është nën hetim për shfrytëzim pune dhe se miliarderët duhet të paguajnë më shumë taksa, jo të mbyllin qytete të tëra për dasma private.

Ndërkohë, aktivistë nga grupi No Space For Bezos kanë premtuar bllokime të kanaleve me lodra plastike dhe maska zhytjeje për të protestuar ndaj kthimit të qytetit në “park për miliarderë”. Ceremonia e së premtes do të mbahet në një kishë të shekullit XV, ku, për ironi, kulla ikonike është e mbuluar me skela – një detaj që shumë e quajtën “simbolik për dasmën luksoze, por bosh nga brenda”.

Në mesin e të ftuarve janë Oprah Winfrey, Tom Brady, Karlie Kloss, Ivanka Trump dhe figura të larta të politikës, modës dhe financës globale. Por pyetja që rezonon në rrugët e Venecias është një: A është kjo ende një qytet për njerëzit, apo është kthyer në një set xhirimi për elitën?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button