AKTUALITETEKONOMIKRYESORE

Kultura bën festë për grurin. Fermerët: Nuk ka prodhim, po punojmë si në kohën e Zogut (foto e video)

Fier -Në një kohë që Drejtoria e Kulturës në Bashki feston e trumbeton për prodhim e rendiment të grurit vendas, por më shumë trumbeton mijra euro që hidhen për xhepat e tyre në festë për këngëtarë e humorista se për fermerët që marrin pjesë nuk hidhet qindarkë, fermerët e zonës Pojanit, Semanit, Topojës kanë pohuar se rendiment për prodhim gruri nuk ka. Qeverja nuk i mbështet, po punojmë si në kohën e Mbretit Zog. Bollë me propogandë, mijra eurot e festës të na japin ne për subvencione.

Korrja e dështuar e grurit në Topojë-Seman: Fermerët në kufijtë e mbijetesës mes çmimesh poshtëruese dhe braktisjes nga shteti

Në zonën bujqësore të njohur të Topojë-Semanit në Fier, sezoni i korrjes së grurit nuk sjell më shpresë apo fryt përpjekjesh, por dëshpërim e humbje. Fermerët vendas po përballen me një situatë dramatike: sipërfaqet e mbjella me grurë janë përgjysmuar dhe prodhimi mbetet shumë larg pritshmërive të tyre.

Ky është një vit i vështirë për bujqësinë, dhe sidomos për kultivuesit e grurit, të cilët ndihen të braktisur nga institucionet dhe tregu. Ata ankohen njëzëri se çmimi i shitjes së grurit është tepër i ulët – vetëm 30 lekë për kilogram – duke mos mbuluar as shpenzimet më minimale të prodhimit. Kostoja e farës, pesticidet, puna e tokës, plugimi, frezimi dhe korrja janë bërë të papërballueshme.

Situata ka degraduar deri në atë pikë sa shumë fermerë janë detyruar të japin tokat me qira, por edhe vetë qiramarrësit tashmë po heqin dorë.

Kultura e grurit, që dikur përfaqësonte një krenari për këtë zonë, është sot në rrezik zhdukjeje.

Një ndër kultivuesit më të mëdhenj të zonës, Mili Sako, e thotë troç: “Fermerët janë të braktisur nga shteti. Ndërkohë që organizohen festa për nder të grurit dhe bujqësisë, gjendja reale në terren është dëshpëruese.” Sipas tij, mungesa e subvencioneve reale, çmimet e ulëta dhe konkurrenca e pandershme nga importi po i çojnë drejt falimentimit.

“Vitin që vjen nuk do të mbjell më grurë,” thotë ai me bindje, duke theksuar se çdo përpjekje ka mbetur pa shpërblim dhe pa mbështetje.

Fermerët e Topojë-Semanit ngrejnë zërin dhe kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme. Ata apelojnë që politika të ndalë së mbylluri sytë ndaj kësaj situate. Kjo është koha, thonë ata, që institucionet të tregojnë se janë në shërbim të qytetarëve dhe të ndërmarrin masa të drejtpërdrejta për të shpëtuar këtë sektor jetik për ekonominë e vendit.

Ata kërkojnë politika konkrete mbështetëse, subvencione reale, mbrojtje nga importet dhe vëmendje të vazhdueshme, për të mos e lënë bujqësinë në mëshirë të fatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button