
Me një vendim të papritur dhe unanim, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme më 9 nëntor në Tiranë, duke e shpallur atë antikushtetues dhe duke ndalur përkohësisht procesin e nisur nga qeveria për zëvendësimin e Erion Veliajt.
Ky vendim praktikisht anulon zgjedhjet e shpallura për kryeqytetin dhe rikthen vëmendjen te përplasja mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, që tashmë ka hyrë në një fazë të re, juridike dhe politike njëherazi.
Kushtetuesja njoftoi se vendimi për pezullimin e dekretit të presidentit u mor njëzëri, ndërsa ankimi i Veliajt ndaj vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij do të shqyrtohet në seancë plenare publike më 31 tetor.
Vetëm një javë më parë, avokatët e Veliajt kishin depozituar dy ankime në Gjykatën Kushtetuese: të parin kundër vendimit të Këshillit të Ministrave që miratoi shkarkimin e tij, dhe të dytin kundër dekretit të Presidentit Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.
Shkarkimi u propozua nga Këshilli Bashkiak i Tiranës më 25 shtator, por procesi ishte qartësisht nën presionin e kryeministrit Edi Rama, i cili në Asamblenë Kombëtare të PS-së e kishte bërë të ditur publikisht vendimin për ta larguar Veliajn dhe për ta zëvendësuar me Ogerta Manastirliun.
Pas urdhrit politik të Ramës, Presidenti Begaj firmosi dekretin për zgjedhjet më 9 nëntor, bashkë me ato të pesë bashkive të tjera, por vendimi i tij binte ndesh me nenin 115 të Kushtetutës, që përcakton se kur një kryetar bashkie ankimoi shkarkimin e vet në Gjykatën Kushtetuese, vendimi i qeverisë pezullohet automatikisht deri në shqyrtimin përfundimtar.
Në këtë rast, sipas interpretimit të juristëve, ankimi i Veliajt duhej të kishte ndalur çdo proces për zëvendësimin e tij, përfshirë dhe dekretimin e zgjedhjeve nga Presidenti.
Por Presidenca mbështeti linjën juridike të qeverisë, duke argumentuar se rasti i Veliajt nuk kishte të bënte me “shkelje të Kushtetutës”, por me “mosparaqitje në detyrë” për një periudhë tre mujore, çka sipas tyre nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por në atë të Gjykatës Administrative.
Në sqarimin e vet, Begaj theksoi se Këshilli i Ministrave ishte mbështetur në kuadrin ligjor që parashikon shkarkimin për mungesë të vazhdueshme në detyrë, një rast që nuk përfshihet në nenin 115 të Kushtetutës. Me këtë arsyetim, ai firmosi dekretin për zgjedhjet, duke ndjekur praktikisht linjën e arsyetimit të përgatitur nga juristët e qeverisë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ndalon procesin dhe ngrin manovrën e Edi Ramës për ta mbyllur me shpejtësi dhe për të zhbërë politikisht dhe institucionalisht ndikimin e Veliajt në Bashkinë e Tiranës.
Nga ana tjetër, Veliaj ka një afat të ri për të mbrojtur postin e tij, të cilin e ka fituar me mbi 160 mijë vota në vitin 2023. Në thelb, përplasja është një përpjekje për të vënë plotësisht nën kontroll bashkinë e Tiranës, ku njëra palë kërkon të mbyllë një kapitull dhe tjetra përpiqet të mos zhduket prej hartës politike.
Gjithsesi, me pezullimin e dekretit presidencial, Gjykata Kushtetuese ka befasuar klasën politike dhe ka ndalur në vend një proces që konsiderohej i kryer. Jo më kot, edhe në radhët e opozitës ishte caktuar kandidati për Tiranën, humoristi Florian Binaj. Si rrallëherë, politika shqiptare është kapur në befasi nga një institucion kushtetues që ka vepruar shpejt dhe në mënyrë unanime, duke treguar se disa institucione ende mund të prodhojnë surpriza. Të paktën për momentin, Gjykata Kushtetuese i ka kapur gafil të gjithë.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga Gjykata, pas shqyrtimit paraprak të kërkesës, është vendosur:
“Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.”
Kërkesa e Veliajt kishte si objekt shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra si Kryetar i Bashkisë Tiranë, si dhe anulimin e dekretit të Presidentit për caktimin e zgjedhjeve të reja. Ai argumenton se këto akte janë në kundërshtim me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës së Shqipërisë.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës, VENDOSI Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.












