Mateo Deda/ 17-vjeçari firmos kontratën e parë në futbollin profesionist

Nipi i të madhit Zef Deda, dhe djali i Julit, Mateo po ndërton rrugëtimin e tij në një tjetër skenë: atë të futbollit profesionist.
Vetëm 17 vjeç, por me vite të tëra formimi në akademi dhe me fanellën kuqezi të moshave mbi supe. Mateo Deda bëri debutimin e tij me Korabin si titullar ndaj Orikut, duke hedhur një nga hapat më të rëndësishëm të karrierës së tij të re.
Në familjen Deda, publiku shqiptar është mësuar prej dekadash me skenën, humorin dhe duartrokitjet. Por Mateo Deda ka zgjedhur një skenë tjetër: fushën e futbollit.
Djali i aktorit Julian Deda dhe nipi i të ndjerit Zef Deda, një prej emrave të njohur të humorit shqiptar, nuk ka ndjekur drejtpërdrejt rrugën artistike të familjes. Që në moshë të vogël, ai ka zgjedhur topin dhe futbollin. Lidhja familjare është konfirmuar edhe në daljet publike të familjes Deda, ndërsa historia e tij sportive ka nisur shumë vite përpara debutimit të fundit me Korabin.
Nga akademitë e Tiranës, te fanella kuqezi
Mateo ka lindur më 7 dhjetor 2008 në Tiranë. Sipas të dhënave të Federatës Shqiptare të Futbollit, ai është një futbollist i brezit 2008, ndërsa roli i tij natyral është në repartin ofensiv.
Rrugëtimi i tij nuk ka nisur dje. Ai është formuar në disa akademi, duke kaluar nga Juventus Academy Tirana, Young Stars dhe Internacional Tirana, për të vijuar më pas me ekipet e moshave të KF Tiranës dhe më vonë me Dinamo City U19. Profilizimi i tij kryesor është si sulmues krahu i djathtë.
Talenti i tij kishte rënë në sy që shumë herët. Në vitin 2020, ende fëmijë, Mateo ishte grumbulluar me Kombëtaren shqiptare U13, ndërsa më vonë do të vijonte rrugëtimin në përfaqësueset e moshave.
Në dokumentacionin zyrtar të FSHF-së për turneun e zhvillimit të UEFA-s U15, emri i tij figuron mes sulmuesve të Shqipërisë, në atë kohë si futbollist i Tiranës.
Goli që ia kushtoi kujtimit të gjyshit
Një prej momenteve më të veçanta të karrierës së tij të hershme erdhi në fund të vitit 2023.
Me fanellën e Kombëtares së moshave, Mateo realizoi një gol të bukur nga goditja e dënimit, nga rreth 25 metra. Goli mori një kuptim edhe më emocional pasi erdhi pak kohë pas ndarjes nga jeta të gjyshit të tij, Zef Deda.
Por përtej mbiemrit të njohur, Mateo ka krijuar dalëngadalë historinë e vet në fushë.
Peshkopia, kapitulli i ri.
Tashmë rrugëtimi e ka sjellë në Peshkopi.
Në vetëm 17 vjeç, Deda u hodh titullar me fanellën e Korabit në ndeshjen ndaj Orikut, në javën hapëse të Kategorisë së Parë. Në një takim që Korabi e fitoi 1-0, i riu luajti 62 minuta, duke regjistruar debutimin e tij me ekipin dibran.
Të aktivizohesh titullar në një kampionat të të rriturve, në një skuadër me objektiva dhe presion si Korabi, nuk është një hap i vogël për një futbollist të kësaj moshe. Është kalimi nga futbolli i akademive te një realitet ku çdo duel, çdo minutë dhe çdo vendim në fushë ka një peshë tjetër.
Dhe pikërisht këtu nis pjesa më interesante e historisë së Mateos. Ai vjen në Peshkopi me eksperiencën e akademive të njohura, me grumbullime në ekipet kombëtare të moshave dhe me një emër familjar që publiku shqiptar e njeh shumë mirë. Por te Korabi duhet të ndërtojë emrin e tij.
Në moshën 17-vjeçare askush nuk mund të parashikojë se deri ku do të shkojë një futbollist. Por një gjë tashmë është e sigurt: Mateo Deda e ka hedhur hapin e parë në futbollin e të rriturve dhe këtë hap e ka bërë me fanellën kuqebardhë të Korabit.
Ndoshta pas disa vitesh, ndeshja ndaj Orikut do të kujtohet thjesht si ajo pasdite në Peshkopi ku për të nisi gjithçka/ Samet Zagradi










