Tuesday, April 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREMeta: “Ballkani i hapur”, përpjekje për të fuqizuar Serbinë në rajon

Meta: “Ballkani i hapur”, përpjekje për të fuqizuar Serbinë në rajon

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se iniciativa “Ballkani i Hapur” ishte një përpjekje për të fuqizuar dominimin e shtetit të Serbisë në rajon. Madje sipas Metes, “Ballkani i Hapur” ishte një përpjekje për ta paraqitur Kosovën si shtet defunksional dhe destruktiv ndaj iniciativave të tilla.

“Në fund të fundit Ballkani i Hapur ishte thjesht një përpjekje jo vetëm për t’i dhënë një lidership të pamerituar Serbisë dhe Vuçiqit, pasi Ballkani i Hapur ishte një përpjekje për të fuqizuar dominimin e Serbisë në rajon. Nuk ishte një marrëdhënie partneriteti, aspak transparente bazuar në akte, mbi dokumente, mbi vlera, standarde siç është për shembull procesi i Berlinit. Njëkohësisht Ballkani i hapur në gjithë mënyrën si u konceptua ishte një provokim, një përpjekje për të vendosur në cep shtetin e Kosovës dhe për ta bërë atë që të ishte defunksional ose për t’u paraqitur sa më destruktiv ndaj iniciativave të tilla”, – tha Meta në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Sipas Metës, kryeministri Rama ka 11 vite që mban qëndrime me të cilat po provokon sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. I pyetur se si e vlerëson qëndrimin e Edi Ramës karshi procesit të dialogut Kosovë – Serbi, Meta tha se ky qëndrim nuk është asgjë e re nga Rama.

“Unë nuk mendoj se kemi ndonjë surprizë, u bënë gati 11 vite që në mënyrë të vazhdueshme kemi një koherencë të qëndrimeve që provokojnë pavarësinë e Kosovës, që provokojnë sovranitetin e Kosovës, që provokojnë integritetin territorial të Kosovës, të cilat vënë në pikëpyetje pavarësinë, arritjet e Kosovës, mos të harrojmë një deklaratë shumë e papranueshme ka qenë ajo në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, në Kuvendin e Kosovës ku thonë se ai shikonte të ardhmen bashkimin e dy vendeve ose që të dyja vendet të kishin një vend në Kombe të Bashkuara, një president të përbashkët”, – u shpreh Meta.

Sipas tij, me këtë deklaratë Edi Rama i kishte dhënë një rast presidentit serb, Vuçiq për ta sulmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Pra, që do të thotë që në të ardhmen do të kemi një vend në Kombet e Bashkuara, që do të thotë procesi i njohjes së Kosovës nuk është i nevojshëm, bile edhe ai i tyre që janë bërë deri tani është i tepërt dhe që duket si një deklaratë emocionale por nuk është aspak e tillë. Dhe ndërkohë është si në lojën e volejbollit kur dikush i pason tjetrit për të gjuajtur dhe në rastin konkret kjo ishte kontribut për Vuçiqin i cili i revoltuar i ekspozoi botës që këta kanë një qëllim, ne nuk kemi arsye përse të vazhdojmë këto detyrime që vijnë nga dialogu Serbi – Kosovë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve dhe dy shteteve”, – deklaroi Meta.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME