Saturday, July 27, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeUncategorizedNATO nën shantazhin e Erdoganit

NATO nën shantazhin e Erdoganit

Në aftësinë e tij për të bërë keq, Rexhep Tayip Erdogan është i pakonkurrueshëm. Këtë po e provon edhe NATO me bllokimin e kërkesës për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës nga Turqia, në një kohë aspak të përshtatshme si kjo e situatës së re, të krijuar nga pushtimi i Ukrainës prej Rusisë.

Më shumë se për gjendjen e luftës, duket sikur presidenti turk është i interesuar të mbrojë interesat e tij, që prevalojnë mbi rregullat elementare të funksionimit të një aleance, brenda së cilës ai po sillet si një mashtrues.

Ndoshta është e kotë të pritet ndonjë presion më i madh gjatë samitit që do të nisë të martën 28 qershor, në Madrid, kur dihet se tashmë presidenti turk negocion nga pozicioni i forcës.

Ai do të vazhdohë të luajë midis Rusisë dhe aleatëve zyrtarë perëndimorë, sipas përllogaritjeve të veta strategjike, duke nënvizuar edhe më tej humbjen e ndikimit të Shteteteve të Bashkuara.

Megjithatë, vlerat e shpallura nga Rexhep Tayip Erdogan nuk kanë të bëjnë aspak me ato të NATO-s dhe, mënyra e tij e qeverisjes, i ngjan gjithnjë e më tepër asaj të Vladimir Putinit apo i Xi Jiping: një shoqëri civile e kapur për fyti, një parlament fasadë, një drejtësi nën urdhra. Kjo u pa në prill, me vendimin për filantropin turk Osman Kavala, i cili u dënua me burgim të përjetshëm pas një procesi qesharak. Në Turqinë e Rexhep Tayip Erdogan, gazetarë, deputetë, kryetarë bashkie, akademikë, shpesh akuzohen për “terrorizëm” dhe dënohen për fajin e vetëm se kanë kritikuar veprimet e “Reis”-it (“shefi”, një nga pseudonimet e presidentit).

A është vallë ai në pozicionin më të volitshëm për të kërkuar llogari nga Suedia dhe Finlanda, me akuzën se ato janë treguar pasive në luftën kundër terrorizmit, të cilën e përdor si justifikim për bllokimin e tyre?

Nga ana tjetër, dehja nga pandëshkueshmëria mund të rezultojë një kurth për Erdoganin. Është në interesin e tij që të mos i nënçmojë në këtë mënyrë aleatët, teksa një vit para zgjedhjeve presidenciale dhe legjislative situata po i përkeqësohet me shpejtësi në Turqi.

E konsideruar për një kohë të gjatë si pika e fortë e presidentit, ekonomia është bërë sot barra e tij kryesore. Standardi i jetesës së popullsisë vazhdon të ulet. Inflacioni vjetor arriti në 73.5%, në maj, norma më e keqe që nga viti 1998, borxhi i jashtëm i vendit është rreth 180 miliardë dollarë (170.2 miliardë euro), ndërkohë që shtatë nga dhjetë familje kanë kredi konsumatore që nuk mund t’i shlyejnë dot.

Politikat aspak ortodokse të presidentit, që vuri bast për besimin e tij se normat e larta të interesit nxisin inflacionin, çuan në rënien e monedhës, duke shterruar rezervat e bankës qendrore dhe duke nxitur ikjen e kapitaleve. Ky kolaps e ka detyruar tashmë Erdoganin t’i nënshtrohet një pakti turpërues me Arabinë Saudite dhe sidomos me princin e saj trashëgimtar, Mohammed Bin Salman, që dyshohet si urdhëruesi i atentatit të tmerrshëm në Stamboll, ndaj disidentit Jamal Khashoggi, në 2018.

Megjithatë, lufta në Ukrainë rrezikon ta “përkeqësojë situatën” brenda Turqisë, duke prekur “importet e lëndëve të para, sektorin e turizmit dhe investimet”, nënvizon agjencia financiare “S&P Global”, në një studim të fundit. Presidenti turk mund të mendojë se diplomacia e tij shantazhuese do ta ndihmojë atë të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Por ai duhet të jetë më i kujdesshëm për efektet e politikës së vet monetare. Duke u sjellë kështu, ai po ushqen një krizë që mund përfundojë duke e marrë edhe atë me vete, pas nëntëmbëdhjetë vjetësh qëndrimi të pandërprerë në pushtet./ Lapsi

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME