Nga Frank Shkreli
Ish-drejtor i ‘Zërit të Amerikës’ për Euro-Azinë
Ishte viti 1975. President këtu në Amerike ishte Gerald Ford, i cili si zëvendës president zuri vendin e ish-presidentit Nixon, që për arsye të skandalit ‘Watergate’ ishte detyruar të jepte dorëheqjen.
Presidenti Ford ka mbajtur një fjalim atë vit, me të cilin i ka mohuar qytetit të Nju Jorkut ndihmën financiare federale me gjithë thirrjet për ndihmë për të mënjanuar falimentimin financiar, me të cilin përballej qyteti. Ditën e nesërme gazeta e Nju Jorkut, ‘Daily News’ në faqen e parë kishte botuar artikullin: “Ford To City: Drop Dead”. Ford i thotë qytetit: Shko, vdis!
Në të vërtete, presidenti Ford nuk i kishte shqiptuar këto fjalë në fjalimin e tij, por ky ishte interpretimi i gazetës ‘Daily News’ i refuzimit të Ford për të ndihmuar Nju Jorkun financiarisht.
Presidenti Ford pranoi më vonë se këto fjalë, botuar në gazetën e përditshme të Nju Jorkut, megjithëse nuk i kishte thënë, i kushtuan atij presidencën, ndërkohë që Jimmy Carter u zgjodh president.
Ky rast m’u kujtua ndërkohë që po ndiqja vizitën 8-orëshe të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.
Mbeta i zhgënjyer nga mungesa e takimeve të z. Blinken me përfaqësues të asaj që ende quhet “opozitë” në Shqipëri — një subjekt në vetvete për gabimet e saja madhore — u mundova gjithashtu të gjej fjalën demokraci në fjalimet e Sekretarit të Shtetit, por nuk e gjeta askund.
Që Sekretari i Shtetit, i vendit më demokratik në botë — Amerikës tonë të dashur — ku gëzojmë liri e demokraci — të mos flasë për vlerat demokratike amerikane dhe universale në një vend si Shqipëria, është një sakrilegj. Sidomos gjatë një vizite miqësore në një Shqipëri, që është kapluar nga një krize grindjesh të brendshme politike dhe korrupsion në të gjitha nivelet, ndërkohë që vetë Departamenti i Shtetit dhe ‘Freedom House’, ndër të tjera ente ndërkombëtare, në raportet vjetore të Drejtave të Njeriut, vit pas viti, e kanë cilësuar Shqipërinë si një vend pjesërisht i lirë — madje 34 vite pas shembjes së Murit të Berlinit. Shumica e shqiptarëve e kanë të vështirë të kuptojnë se cili është realiteti i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane: Raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut, apo “Të Deum” që përfaqësuesit perëndimorë i akordojnë shpesh pushtetit aktual në Tiranë, ndërsa vendi zbrazet nga më të mirët dhe më të edukuarit e kombit.
M’u kujtua prapë vizita e parë e një delegacioni amerikan në Tiranë në mars/prill 1991. Delegacioni kishte vendosur të takohej me të gjithë përfaqësuesit e shtresave të shoqërisë shqiptare. Kishim ftuar edhe përfaqësuesit e tre feve të posadalë nga burgjet komuniste, në pritjen e parë në 50 vjet në të ashtuquajturin “hotel” Dajti nga një delegacion amerikan në Shqipëri. Tre klerikët e shkretë, ashtu të vuajtur nga burgu dhe me shëndet të dobët, nuk i besonin vetes as rrethanat në të cilën gjendeshin atë natë: Të ftuar në pritje nga delegacioni i parë amerikan në Shqipëri, ndërsa përfaqësuesit e regjimit të atëhershëm komunist, të cilët kundërshtuan që të ftoheshin klerikët dhe personalitete të tjerë, përveç autoriteteve komuniste, dukej se i thoshin njëri-tjetrit, çka na gjeti me këta amerikanët?! Pse u ftuan këta?
Ideja ishte që përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë shqiptare, jo vetëm autoritetet e larta, për herë të parë në 50 vjet, të takoheshin me njëri-tjetrin në të njëjtën sallë, të persekutuarit e komunizmit, disa të liruar vetëm disa ditë më parë, me disa prej persekutorëve që mbanin në fuqi atë regjim komunist kriminal.
Vura re se kësaj here, z. Blinken nuk kishte gjetur 2 minuta kohë për t’u përshëndetur madje as me klerikët shqiptare, të cilët regjimi shpesh i përdor si pasqyrim të bashkëjetesës fetare. Mos vallë ka pasë droje se klerikët mund t’i kishin shprehur përfaqësuesit të lartë amerikan shqetësimet e tyre në lidhje me dukuritë komuniste të kohëve të fundit në Shqipëri, për të cilat Kisha Katolike Shqiptare bëri një deklaratë publike kohët e fundit. Pajtimi kombëtar midis shqiptarëve, z. Blinken është aq i nevojshëm sot për shqiptarët, sa ç’ishte edhe me 1991. Vizita e Sekretarit të Shtetit Blinken në Tirane kërkon një shpjegim racional, por unë nuk e gjej dot. Lëvdatat për një lider dhe një qeveri të tillë nga një krye-diplomat amerikan, është vështirë t’i gjesh në komunikimet diplomatike midis dy vendeve, sidomos përballë zhvillimeve të fundit në Uashington të çështjes korruptive “McGonigal”.
Kjo mungesë, siç duket e qëllimshme, për të parë realitetin aktual politik shqiptar ashtu siç është, nuk i shërben marrëdhënieve të mira shqiptaro-amerikane, as stabilitetit politik në Shqipëri, as paqes në rajon — e proceseve demokratike në Shqipëri, jo se jo. Ndonëse nuk e tha ashtu me fjalë në Tiranë, disa analistë e cilësuan këtë mungesë, sikur Sekretari i Shtetit Blinken i tha “lamtumirë” demokracisë dhe opozitës shqiptare, në favor të monizmit, të një partie-shtet dhe të ashtuquajturës “stabilokraci”, ose në favor të ndonjë qëllimi tjetër të brendshëm ose të jashtëm. Krejt ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij — demokratë e republikanë — që kanë vizituar Tiranën gjatë tri dekadave të fundit e të cilët nuk kanë ngurruar aspak dhe as njëherë të flasin në mbështetje të demokracisë, dhe të pajtimit e bashkëpunimit aq i nevojshëm për shqiptarët e vuajtur nga komunizmi. Për demokracinë si një sistem i preferuar qeverisjeje, kundër korrupsionit, në favor të lirisë dhe barazisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptaret pa dallim. Sidomos në mbështetje të lirisë së fjalës dhe shtypit të lirë, si baza e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera.
Për 2-3 dekada të tranzicionit pseudo-komunist në Shqipëri, jam munduar – modestësisht— bazuar në përvojën time, të paralajmëroj shpeshherë se demokracia atje është në rrezik, se vlerat demokratike po shkeleshin haptas dhe qëllimisht nga klasa politike shqiptare, se grindjet politike po i shkaktonin vendit rreziqe të brendshme dhe të jashtme politike, qëllimi kryesor i të cilëve ishte dhe është ruajtja e pushtetit të tyre për më shumë se tre dekada tani. Se pa zgjedhje të lira dhe pa opozite reale në Shqipëri nuk mund të kishte demokraci as liri, as stabilitet në vend as në rajon dhe as ndarje “vlerash të përbashkëta”, as marrëdhënie “krah për krah” me Shtetet e Bashkuara, siç dëgjojmë shpesh nga persona te caktuar, nga të dy palët, të cilët e quajnë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Përfaqësuesit amerikanë duhet që të mbrojnë, kudo në botë, vlerat dhe demokracinë amerikane, si garanci për zbatimin e të drejtave universale në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.
Anashkalimi i fjalës “demokraci” dhe “opozitë”, si dhe mos takimi me faktorë të tjerë politikë të shoqërisë shqiptare nga z. Blinken gjatë vizitës në Tirane nuk është një shenjë e mirë për zhvillimet demokratike në Shqipëri, as për marrëdhëniet midis dy vendeve. Me simbolikat gjatë vizitës në Tirane, sikur i dërgoi mesazhin: “Lamtumirë demokraci” për afër 50 për qind të votuesve shqiptare, të anashkaluar dhe të përjashtuar gjate tre dekadave të kaluara: “Drop dead”, ne jemi më të interesuar në stabilitet se për vlerat demokratike, të drejtat dhe liritë tuaja.
Sa për dijeninë tuaj z. Sekretar Shteti, pothuaj nuk ka familje shqiptare nga këta 50 për qind të shqiptarëve, që të mos ketë dikë në Shtetet e Bashkuara. Shume prej tyre e kanë pësuar keq nga komunizmi veçse përmendnin emrin e Amerikës gjatë komunizmit. Ju me të drejtë përmendët Zërin e Amerikës si të vetmin kontakt me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë regjimit komunist. Shume shqiptarë, të cilët gjithnjë shikoj e tek Amerika mbrojtjen e të drejtave të tyre demokratike, janë dënuar vetëm e vetëm se dëgjonin Zërin e Amerikës gjate dekadave të komunizmit diktatorial. Rrënjët e shpresës, besimit dhe dashurisë për Amerikën janë të thella tek shqiptarët pa dallim, z. Blinken. Mos t’i zhgënjejmë të shkretët më shumë se tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit.
Tirana zyrtare, z. Blinken ende nuk ka dënuar krimet e komunizmit, as nuk është distancuar nga regjimi barbar i Enver Hoxhës, siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste evropiane. Ne shqiptaro-amerikanëve, si shtetas të këtij vendi të bekuar— votues dhe taksa pagues të Amerikës tonë të dashur, na intereson shumë fati i familjeve tona atje, sepse me ta kemi gjakun e përzier z. Blinken. Shumë prej tyre e kanë pësuar shumë keq nga komunizmi, vetëm e vetëm, se shumë prej nesh jetonim e vepronim në Amerikë. Për shumë shqiptare, z. Blinken, një mur i vogël i Berlinit ende ekziston. Prandaj, për mua dhe për shumë miq e kolegë të mi në Amerikë dhe në Shqipëri, vizita e juaj në Tiranë nevojitet një shpjegim racional, por është e vështirë të shpjegohen deklaratat ose heshtjen ndaj disa çështjeve të tjera me rëndësi për atë vend dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Megjithëkëtë, kam thënë shpesh se marrëdhëniet amerikano-shqiptare ishin dhe duhet të mbeten popull me popull dhe jo të favorizojnë një person ose një parti politike. Kështu i duan shqiptaret marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara.
Për fat të keq, vizita e Sekretarit Blinken në Tiranë më la një shije të keqe se ndoshta në fakt dhe në realitet në sytë e Uashingtonit zyrtar aktual, një krah politik , pasardhësit e familjeve komuniste në Shqipëri janë të preferuarit e politikes aktuale amerikane, disa të nënës e disa të njerkës. Vizita juaj Z. Blinken vetëm përforcoi këtë ndjenjë reale në radhët e shqiptarëve, në Shqipëri por edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Kjo është e dëmshme për marrëdhëniet mes dy kombeve tona.
Nuk është sekret se në Shqipëri flitet për të “favorizuarit” e Uashingtonit. Nuk do të kishte gjë më të rrezikshme për marrëdhëniet e mira dypalëshe midis Uashingtonit dhe Tiranës se mbështetja e njërës ose tjetrës palë politike shqiptare nga diplomacia amerikane. Shqiptarët kane nevojë për pajtim dhe jo për nxitje të përçarjeve, si rezultat i animeve politike në favor të pushtetit në fuqi, ose personave të caktuar, nga diplomacitë perëndimore, sidomos nga Uashingtoni zyrtar. Një gabim shumë i rëndë që është përsëritur dhe siç duket vazhdon të zbatohet nga miqtë e shqiptarëve perëndimore, duke sjellë në atë vend rreziqe të brendshme të pa parashikueshme për stabilitetin e një jetë politike normale në Shqipëri.
Deri me sot kam paralajmëruar se në Shqipëri “Demokracia nuk pret”. Duke pare zhvillimet e fundit politike në atë vend, përfshi zhvillimet në parlament, më duket sikur ka skaduar eksperimenti me demokracinë në Shqipëri. Kam drojë se Demokracia e vërtetë në Shqipëri ka pësuar një goditje të rëndë vitet e fundit, me pasoja të pa parashikueshme për paqen dhe stabilitetin në atë vend dhe në rajon! Vendi është në prag të një monizmi autokrat — që i ngjanë një vendi të botës së tretë në zhvillim se sa një vendi anëtar të NATO-s.
Uroj që të mos kemi arritur në një gjendje që në vend që të festonim marrëdhëniet e mira shqiptaro-amerikane me rastin e vizitës së Sekretarit të Shtetit Blinken — të ngushëllojmë njeri tjetrin për vdekjen e demokracisë shqiptare, si përfundim i mos përkrahjes së vendeve perëndimore të proceseve demokratike në Shqipëri dhe si rrjedhim i ndërhyrjeve të tyre të pakëshillueshme në zhvillimet e brendshme politike të marrëdhënieve midis dhe brenda partive shqiptare. Shqipëria ka nevoje për pozitë dhe opozitë!
Me gjithë shqetësimet serioze të mia dhe të tjerëve, unë vazhdoj të besoj se nuk ka asnjë parti as ndonjë individ sado i plotfuqishëm të jetë, që mund të largojë ose të distancojë shqiptarët e të gjitha rrymave politike nga dashuria për Amerikën dhe amerikanët. Këtë s’mund e bëri as Enver Hoxha me gjithë propagandën e tij anti-amerikane prej gjysmë shekulli. Miqësia 100 vjeçare shqiptaro-amerikane –popull me popull— do jetoje nder shekuj! Politikanet dhe diplomatet aktuale, nga të dy palët, janë të përkohshëm ndërsa dy popujt tanë dhe marrëdhëniet midis tyre janë të përhershme.
I Madhi Zot e bekoftë Amerikën tonë të dashur dhe Kombin shqiptar të vuajtur — në ditë të mira dhe të vështira!