Sunday, October 13, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËNesho: Nuk kuptojnë apo bëjnë sikur nuk kuptojnë

Nesho: Nuk kuptojnë apo bëjnë sikur nuk kuptojnë

Shqipëria sot po përjeton paradoksin më të madh të periudhës së tranzicionit të saj. Nga njëra anë, nevoja e BE-së për të bërë një zgjidhje gjeopolitike për rajonin e Ballkanit Perëndimor për ta integruar këtë rajon sa më shpejt në BE dhe për të penguar interesat dhe influencat në rritje të fuqive jo-europiane, si Kina dhe Rusia, dhe nga ana tjetër përpjekjet e regjimeve autokratike të Ballkanit Perëndimor për të mbajtur fort pushtetet e tyre dhe vonuar integrimin. Interesi i popujve të këtij rajoni për t’i bërë sa më shpejt vendet e tyre pjesë të BE-së ka rënë në debatin se çfarë ofrojnë regjimet e këtyre vendeve për të plotësuar kriteret dhe për të merituar integrimin.

Shqipëria është rasti më klasik i këtij paradoksi që po përjetojmë. Si një vend ku shteti i së drejtës nuk funksionon, ku pushteti ka kapur çdo institucion duke përfshirë edhe atë të drejtësisë, kur korrupsioni dhe lidhja e politikës me krimin e organizuar është mëse i dukshëm, pushteti në Shqipëri ka zgjedhur një formë qeverisje putineske, për të zgjatur regjimin dhe ruajtur interesat e klikës që drejton. Ky degjenerim i pushtetit ka ardhur për disa arsye.

Së pari, mungesa e vëmendjes për zhvillime demokratike dhe ruajtja me forcë e faktorit të stabilitetit me gjithë kostot që prodhon në një kohë relativisht të gjatë.

Së dyti, klientelizmi i regjimit për të ‘shërbyer’ në këmbim të mbajtjes dhe mbështjes së një regjimi problematik dhe gjithmonë e më tepër jo popullor.

Kjo gjë krijon një konfuzion në opinionin publik, i cili njeh situatën reale, papunësinë, largimin në masë të të rinjve, radhët e pambaruara të azilantëve në vendet e BE-së, korrupsionit endemik në çdo qelizë të vendit. Me të drejtë të gjithë ngrenë pyetjen: – A e kuptojnë realitetin ndërkombëtarët apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë atë? 

Ekzistojnë disa kategori përpunuesish të informacioneve dhe vendimmarrjeve në lidhje me një vend të vogël si Shqipëria.

Së pari, indiferentët që bashkohen me naivët politikë, të cilët e perceptojnë Shqipërinë brenda kornizave virtuale që ua paraqet pushteti, i cili dallohet jo për punë por për propagandë dhe imazh. Ata kënaqen me qënien e një kryeministri artist që pikturon zyrën dhe jo të një autokrati që po zhbën shtetin e së drejtës, ata entuziazmohen me kryeministrin që merr i pari afganët, pa u thelluar që vendi i tij është shndërruar në një Afghanistan të dytë, ku shqiptarët për 10 vitet e fundit po dyndin Europën (mbi 400 mijë veta). Ata e shijojnë Shqipërinë nga ngritja e kullave të larta që zbukurojnë qytetin pa u interesuar për burimin e parave dhe lidhjen e politikës me krimin. Ata entuziazmohen kur deklarojmë se jemi me Perëndimin në Moskë, por nuk shohin se si influencat e Moskës po shtrihen në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet projekteve indirekt të lincesuara nga Moska.

Së dyti, janë ndërkombëtarët e ‘interesuar’, kategori që e shikojnë bashkëpunimin me regjimin si një oportunitet për të përfituar në karrierë apo më gjerë. Kështu duke përfituar projekte ata zgjasin qëndrimin e tyre. Ata nuk mbrojnë parimin e çështjes mbi të cilin veprojnë për mbrojtjen e interesave të tyre, si cështja e zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm pa shumicën e nevojshme kushtetuese. Ata justifikojnë krimin e drogës në vend, duke deklaruar se vendi po bën një luftë të suksesshme, kur në fakt kanabizimi i vendit ishte një projekt me mbikqyrje politike. Ata nuk shqetësohen se shtypi botëror e quan Shqipërinë ‘Kolumbia e Europës’, por kujdesen për karrierën e tyre të ardhshme. Ata nuk mbrojnë as inisiativat e tyre, si marrëveshja e 5 Majit për reformën zgjedhore, kur situata bëhet e papranueshme për palën e interesuar.

Së treti, janë ndërkombëtarët që punojnë me lobistët dhe organizatat që influencojnë në politik-bërjen e kancelarive botërore. Kjo kategori paguhet nga regjimi ose paguan vetë për të realizuar projekte rajonale për interesin e saj (Ballkani i Hapur, etj). Kjo kategori është direkt e interesuar dhe i lejon vetes edhe të marrë rolin e ‘orkestrimit’ të demokracisë Shqiptare, nëse duhet Berisha apo duhet Meta për të mbrojtur interesat e individit i cili lobon. Atyre nuk iu intereson pluralizmi në Shqipëri apo vjedhja e votave, mungesa e legjitimitetit të institucioneve, por vetëm mbajtja gjallë e individëve të cilët mund të sjellin realizimin e projekteve të tyre.

Një kategori kryesore është edhe ajo e ndërkombëtarëve të cilët ‘bëjnë sikur nuk kuptojnë’ dhe reagojnë me vonesë. Reagimet e tyre lidhen me vijat kryesore të politikës globale dhe shprehen kur preken vijat e kuqe të politikës së jashtme. Ata janë pjesë e institucioneve serioze që bazohen në analizat dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare, si Departamenti i Shtetit, Freedom House, Transparency International, Doing Business, etj., të cilat përcaktojnë realisht stadin e demokracisë dhe lirisë në një vend. Por ata veprojnë vetëm atëherë kur ‘enough is enough’ (mjaft është mjaft).

Vlerësimi i Shqipërisë në aspektin e shtetit ligjor nga ana e ndërkombëtarëve në mënyrë sipërfaqësore do ta thellojë krizën e brendshme dhe do ta zgjasë atë. Në qoftë se nuk kuptohet që problemi kryesor është regjimi i instaluar, ata nuk kanë kuptuar asgjë nga zhvillimet e brendshme. Disa prej tyre merren më shumë më opozitën dhe si duhet të jetë ajo, për të reduktuar tensionet nga mungesa e një alternative dhe realizuar një stabilitet të rremë, që gjithmonë ka rrezik të shpërthejë me forcë.

Rikthimi i figurave historike nuk është një nevojë personale por një nevojë për ndryshim dhe rikthim të pluralizmit politik. Sa më shumë të përkrahet regjimi problematik aq më shumë njerëzit e thjeshtë do t’iu kthehen figurave me integritet. Jo çdo gjë mund të blihet për t’i dhënë frymë regjimit. Për më tepër që ambienti politik në Shqipëri për figura të reja politike është acid. Pushteti ka kapur çdo gjë dhe kontrollon gjithcka. Kështu përfundoi Lëvizja për Mendim Ndryshe, kështu përfundoi Libra, Nisma Thurje, etj.

Ndryshimi do të ndodhë pikërisht nga ata që e krijuan, bashkëjetuan dhe kontrolluan sistemin. Por ata që e shikojnë lojën nga jashtë dhe shpesh janë përdorur për hir të stabilitetit duhet të besojnë më tepër në intuitën popullore, nevojën për të mbrojtur sistemin e tyre politik dhe të hedhin poshtë autoritarizmin, arrogancën, kontrollin e një regjimi që ju kujton shijen e keqe të diktaturës. Dhe kjo Shqiptare është plot ngjyra të ndezuara nga dora e një piktori që shikohet nga ndërkombëtarët si artist dhe nga shqiptarët si arkitekt i palmave të Orientit. Por shqiptarët kanë kuptuar një gjë të rëndësishme: Duhet të jenë aktivë në mbrojtjen e demokracisë për t’u bërë të besueshëm për partnerët e tyre ndërkombëtarë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME