Protesta e 107/ ‘Lironi djemtë e diasporës’, protestuesi: Qeveria duhet të rrëzohet

Në protestën e 107, një prej protestuesve akuzoi qeverinë për arrestimin dhe dhunimin e 24 të rinjve të diasporës, mes tyre Bekim Imerajn, duke kërkuar lirimin e tyre.
Ai e cilësoi ndërhyrjen e policisë si dhunë të panevojshme dhe pretendoi se janë shkelur të drejtat e protestuesve të garantuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Në fjalën e tij, protestuesi e lidhi revoltën me akuzat për korrupsion dhe keqqeverisje, ndërsa deklaroi se protestat duhet të vijojnë deri në largimin e qeverisë.
Ai kërkoi që pas rrëzimit të saj vendi të drejtohet nga një qeveri teknike, ndërsa propozoi dënim deri në 25 vite burg për korrupsionin.
“Aleanca është me ju”, u shpreh ai, duke i bërë thirrje qytetarëve dhe diasporës të vijojnë rezistencën.
Fjala e tij:
Të dashur qytetarë, qytetare, mirëmbrëma! Bekim Imeraj dhe 23 djemtë e diasporës janë arrestuar dhe janë dënuar sot sepse ato patën kurajon të dalin ngjeshur dhe t’i thonë kësaj qeverie: “mjaft na ke vjedhur, mjaft na ke mjelur, mjaft na ke shitur dhe na ke tradhtuar atdheun!” Ndaj, t’i thërrasim së bashku: Lironi djemtë e diasporës! Lironi djemtë e diasporës! Lironi djemtë e diasporës!T’i lirojmë nga komisariati numër 3, të gjithë bashkë!
Diaspora në 36 vite i ka sjellur remitanca kombit tonë, 35% e GDP-së vjen nga diaspora. Dhe diktatori i fundit e shpërblen diasporën me dhunë dhe me arrestime. Lironi djemtë e diasporës! Lironi djemtë e diasporës! Lironi djemtë e diasporës! Dhuna, dhuna ishte disproporcionale dhe e panevojshme, sepse një nga djemtë e diasporës ishte komplet i neutralizuar dhe asnjë rrezik për forcat e rendit. Dhe sërish ato e goditën dhe e dhunuan. Policia e shtetit e diktaturës së Tiranës, kanë dhunuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Shqipëria është anëtare e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Dhe me aktin e sotëm të arrestimit dhe dhunimit të djemve të diasporës…
Të gjithë shqiptarët e kanë parë, sepse videot e dhunës sot kanë dalë virale dhe të gjithë e kanë dëshmuar. Shqipëria është anëtare e Konventës së të Drejtave të Njeriut, dhe sot me dhunën që ata kanë bërë, ato kanë dhunuar artikullin 3 të Konventës së të Drejtave të Njeriut, sepse artikulli 3 thotë dhe citon kështu: “Qeveria duhet të garantojë që të mos dhunohen dhe të mos keqtrajtohen qytetarët kur ato protestojnë”. Por ato kanë bërë të kundërtën, i kanë arrestuar dhe i kanë dhunuar!
Ato kanë dhunuar artikullin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sepse ato ishin aty duke shprehur të drejtën e fjalës, pra fjalën e lirë, duke protestuar, duke i thënë kryeministrit: “Mjaft na ke vjedhur” dhe asgjë më shumë! Policia e diktatorit të fundit ka dhunuar dhe artikullin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sepse është e drejta e qytetarëve shqiptarë që të mblidhen në shesh dhe të protestojnë. Dhe ato u goditën, u dhunuan, për të ndaluar këtë protestë. Ndaj, qytetarë të dashur, ju jeni këtu prej më shumë se 180 ditësh. Dhe Aleanca është vetëm me ju. Ky njeri nuk i ka ditët e gjata. Do vijë një ditë që do jeni ju që do rrëzoni atë, së bashku me diasporën. Ndaj, rezistoni! Rezistoni dhe vetëm rezistoni! Se Aleanca është me ju, se vetëm ju duhet të demokratizoni këtë vend. Kanceri i një kombi është korrupsioni.
Dhe ne do ta luftojmë kancerin, korrupsionin, dhe do e ngrimë kombin! Një komb që zgjohet, ngrihet! Kur ta rrëzojmë diktaturën e fundit, e vetmja mënyrë për ta demokratizuar atdheun do jetë një qeveri tranzitore, qeveri teknike. Dhe aleanca e qeverisë tranzitore do jetë me ju. Nëse kjo qeveri do jetë në pushtet 365 ditë, 365 ditë duhet të qëndroni këtu! Dhe akti i parë që duhet të kalojë në parlament, që të fillojë me qeverinë tranzitore, që nga kryeministri i qeverisë tranzitore dhe të gjithë drejtorët: korrupsionin ta dënojnë me 25 vite burg! Që kushdo të vijë nesër në pushtet, kur ta demokratizojmë atdheun, ta dinë se korrupsioni i fut në burg dhe s’dalin më të gjallë nga burgu! Ndaj, Aleanca është me ju. Rezistoni, qëndroni, deri sa ta demokratizojmë atdheun.








