AKTUALITET

Olsian Çela për Kodin e ri Penal: S’ka vizion e as analizë

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, përsëriti qëndrimin e tij lidhur me draft-Kodin e ri Penal. Tha se pikënisja e problemit është te fakti që nuk janë përcaktuar synimet apo vizioni lidhur me të.

“Për Kodin Penal unë kam mbajtur një qëndrim që është parimor. Nuk dua të hyj në detaje, por si jurist, praktikues i ligjit dhe pozicionit pastaj, më takon të përfshihem. Nëse doni të pyesni prokurorë, gjykatës, se cilat janë problemet me kodin që kemi. Kjo është pikënisja. Ende unë sot nuk kam një informacion analitik mbi problemet që ka ky Kod, që ka zgjetur zbatim prej 1995-ës dhe aplikohet pa probleme serioze nga gjykatat dhe prokuroritë. Në mungesë të një analize, unë shoh problem me konceptimin e një procesi të tillë. Kjo mënyrë, kjo pikënisje përcakton edhe metodologjinë që do ngrihet puna.

Nëse do dijmë sot problemet që ka Kodi, cila është strategjia, cilat janë problemet që kemi raportuar mbi Kod, deri në vitin 2024 s’kemi raportuar asnjëherë për probleme serioze. Ndryshimet u janë përshtatur nevojave. Cila është filozofia, ku do ikim? Cilat janë objektivat, vetëm përafrimi me direktivat e integrimit?! Ka një vizion?! Çfarë do bëhet me dhunën në familje, politikat për drogën, do jetë kod më represiv apo më pak represiv? Nëse më thoni mua, ky Kod do jetë vizioni që unë kam për botën. Këtu nis problemi! Jemi njohur me një draft në vitin 2023 dhe na është kërkuar të çojmë një përfaqësues për të diskutuar.”

“Nuk shoh aty një reflektim të nevojave të shoqërisë”, theksoi ai, duke shtuar se ka pasur nevojë për një ridimensionim të dispozitave të Kodit, jo të ndryshohej baza.

“Draft me 900 e ca nene…Po mirë mo, ne paskemi jetuar në paligjshmëri të madhe, ku shumë veprime të padënuara, do i dënojmë tani e tutje?! Teknika e dispozitave nuk është në lartësinë e duhur”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button