Thursday, February 29, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETVOA: Qelitë plot në Shqipëri, 30% më shumë të paraburgosur se në...

VOA: Qelitë plot në Shqipëri, 30% më shumë të paraburgosur se në BE

Në Shqipëri grupime shoqërore që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe Avokati i Popullit po ngrenë shqetësim lidhur me rritjen e vazhdueshme të popullsisë në institucionet e paraburgimit. Së fundi edhe Këshilli i Europës e veçoi këtë problem dhe u rekomandoi autoriteteve marrjen e masave për ta zgjidhur. Sipas të dhënave zyrtare në institucionet e vuajtjes së dënimit, ndodhen mbi 5 mijë e 670 shtetas, 59% e të cilëve të paraburgosur, një shifër kjo mbi 30% mbi mesataren europiane.

Për njohës të këtyre zhvillimeve këto statistika e vendosin Shqipërinë në fund të vendeve në rajon dhe Europë për numrin e lartë të personave të paraburgosur, në raport me popullsinë e burgjeve në tërësi, si dhe pasqyrojnë në mjaft raste probleme në cënimin e lirisë së personit, pasi ai prezumohet i pafajshëm por praktikisht është në burg. Mjaft juristë mendojnë se masa e sigurisë “arrest me burg” është e fundit që duhet aplikuar dhe se kjo situatë është krijuar nga keqzbatimi i ligjit.

“Shtrohet pyetja-përse kemi nevojë të fusim kaq shumë njerëz në burg? Bëj hetimin mirë, çojë çështjen për gjykim dhe jo gjithmonë arrest me burg. E vë prokurori këtë masë, gjykata e miraton, dhe personat që e shohin të pavend masën shkojnë në apel, pastaj në gjykatë të lartë dhe ngarkohet sistemi. Përse vjen kjo? Nga keqzbatimi i ligjit”- u shpreh për Zërin e Amerikës Blerta Kraja, avokate.

Masa e sigurisë “arrest me burg” në Kodin e Proçedures Penale, renditet e parafundit në llojin e 7 masave shtrënguese që parashikon legjislacioni penal, mes të cilave ndalimi i daljes jashtë shtetit, detyrim paraqitje në policinë gjyqësore, garancia pasurore, apo arresti në shtëpi. Numri i të paraburgosurve në Shqipëri, në raport me popullsinë e burgjeve në tërësi ka qenë i lartë në dy dekadat e fundit. Në vitin 2001 ai ishte 47.8 %, e totalit, në vitin 2015 u ul në rreth 30%, ndërsa pas këtij viti që përkon dhe me nisjen e reformës në drejtësi, ka ardhur duke u rritur ndjeshëm dhe sot është është rreth 59%.

Sipas analistëve Reforma në Drejtësi, që nisi 7 vjet më parë, krijoi boshllëqe të mëdha në sistem me largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga proçesi i Vettingut, duke sjellë tejzgjatje të afateve të hetimit dhe gjykimit dhe për pasojë dhe të kohës së paraburgimit për personat nën këtë masë sigurie. Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, lidhur me këtë çështje, argumeton se ka një frymë të përgjithshme popullore të gabuar në Shqipëri, se gjithkush që akuzohet për një vepër penale duhet të burgoset menjëherë.

“Burgu duhet të jetë mjeti i fundit, kjo është fryma. Masat e sigurisë duhet të trajtohen drejt dhe nga ana e gjykatës. Gjykata duhet të marrë marrë pronësinë e reformës në drejtësi, sepse qëllimi nuk ishte që të ishin burgjet plot, por vetëm ata persona sipas kritereve ligjore” – u shpreh Erinda Ballanca, Avokate e Popullit.

Shqipëria gjithashtu ka një numër të lartë edhe të të dënuarve me vendim të formës së prerë, rreth 180-190 të dënuar për 100 mijë banorë krahasuar me mesataren europiane prej 140. Disa statistika të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që siguroi Zëri i Amerikës, krijojnë një panoramë më të qartë mbi disa elementë që mendohet se e kanë shtuar popullsinë e të paraburgosurve. Ato kanë të bëjnë me rritjen e numrit të çështjeve penale, të cilat në vitin 2015 thuajse janë trefishuar krahasuar me fillimin e viteve 2000, ndërsa gjatë viteve të fundit kanë rënë me 25%, por sërish referuar dy dekadave më parë mbeten dy herë më të larta.

Autoritetet rendisin ndër arsyet kryesore të shtimit të numrit të të paraburgosurve rritjen e efektivititet të institucioneve të drejtësisë penale, (vetëm në burgun 313 nga 400 të paraburgosur 200 janë subjekte të SPAK) si dhe vështirësinë që hasin prokurorët në mbledhjen e provave. Së fundi këtyre vështirësive u janë shtuar dhe boshllëqet në sistemin e drejtësisë si pasojë e vetting-ut.

“Prokurorët duhet të marrin vlerësim nga mjekësia ligjore, toksikologu, policia shkencore krimi kibernetik dhe institucione të tjera. Ka shumë vonesa nga ekspertiza shtetërore, por megjithatë, prokurorët dhe gjyqtarët janë të prirur të japin masa sigurie “arrest me burg” kundrejt masave të tjera. Përse ndodh kjo sipas mendimit tim. Mund të ndodhë dhe për shkak të një presioni që ka ndaj organeve të drejtësisë, kryesisht ndaj prokurorisë, si dhe për mungesë të provave dhe shpesh janë të prirur duke harruar atë konceptin që burgu është masa e fundit”- u shpreh për Zërin e Amerikës Fehmi SufaJ, Zv. Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Por jursitët kanë dhe një këndvështrim tjetër social, duke kthyer në vëmendje ashpërsimin e dënimeve në lidhje me vjedhjen e energjisë elektrike, apo ndërtimet pa leje disa vite më parë. Blerta Kraja, avokate mendon se çështjet sociale nuk zgjidhen duke ofruar burgun si alternativë.

“Nuk rregullohet varfëria me burg. Në lidhje me vjedhjen e energjisë elektrike, jam dakort që një drejtor fabrike të dënohet kur vjedh energjinë në bashkëpunim me një drejtor në OSHE. Por jo një i varfër, kur s’kemi përcaktuar minimunimin jetik, ai ndoshta s’ka bukë, duhe t’i cosh dritë të shohë TVSH-në, dhe të bëjnë fëmijët detyrat. Pak kohë më parë arrestuan ca banorë në Theth për ndërtim pa leje. Për kullën në Theth ne dënojmë penalisht, kurse për kullën në Tiranë konfiskohet dhe bëhen aktet ligjore. U jepet e drejta e parablerjes ndërtuesve. Ky shtet si i sheh qytetarët, a ka barazi këtu? Në si komunitet avokatësh do t’i ngremë këto shqetësime për këto dispozita ligjore që janë gati ç’njerëzore”– u shpreh për Zërin e Amerikës Blerta Kraja, avokate.

Avokati i popullit mendon se kjo çështje merr një përmasë tjetër nëse përveç parametrave të KE, dhe respektimin e të drejtave të njeriut vlerësohen dhe kostot e larta financiare në ditë për një të dënuar. Në Shqipëri, sipas autoriteteve zyrtare kjo kosto është 24 euro.

“Shpenzohen në muaj 5 herë më shumë për një të paraburgosur se sa për një familje në nevojë. Nëse llgarisim dhe dëmshpërblimet për masat e padrejta, kostot rriten dhe më shumë”- vijoi Erinda Ballanca Avokate e Popullit. Prokuroria e përgjithshme i tha Zërit të Amerikës se vendet bosh në organet e hetimit si pasojë e largimit të prokurorëve nga proçesi i vetting-ut e kanë vështirësuar punën e prokurorëve.

Pranvera Pustina, prokurore dhe drejtore e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, u shpreh se masat e sigurisë arrest me burg, në raport me masat e tjera shtrënguese, kanë një peshë me rreth 50% dhe se gjatë viteve të fundit kanë rënë me disa përqind. Ajo veçon rëndësinë që ka për prokurorët zbatimi i ligjit, ku përfshihen kushtet dhe kriteret në dhënien e këtyre masave.

“Prokurori është zbatues i ligjit, kushtet dhe kriteret, të përcaktuara në Kodin e Proçedurës Penale, janë mjaft të qarta. Kërkojnë një arsyetim më të mirë nga ana e prokurorëve dhe nga ana e gjykatës dhe jo kërkesa dhe vendime deklarative. Ato duhet të shihen në përputhshmëri me veprën penale për të cilën akuzohet personi, rrethanat e kryerjes së kësaj vepre penale dhe personalitetin e personit nën hetim. Nëse kushtet dhe kriteret arsyetohen në mënyrë të detajuar qoftë nga prokurori dhe kontrollohen nga gjykata në vendimin e saj të parë dhe më pas nga informacionet që i dërgon prokurori çdo dy muaj, patjetër që do kemi rezultate ndoshta më të mira qoftë dhe në uljen e numrit të këtyre masave të sigurimit” – argumentoi për Zërin e Amerikës Pranvera Pustina, prokurore dhe drejtore e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Sipas statistikave zyrtare, gjatë 5 viteve të fundit gjykata ka lënë në fuqi mesatarisht rreth 84% të masave të sigurisë arrest me burg, të vendosura nga prokuroria. Shqetësimet mbi nivelin e lartë të popullsisë së paraburgimit në Shqipëri, janë nënvizuar thuajse në të gjitha raportet e Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës dhe grupimet që mbrojnë të drejtat e njeriut në vend. Problematikat që kanë lindur prej këtij fenomemi lidhen në mjaft raste me privimin e padrejtë të lirisë së personit, si dhe kostot financiare që pasojnë vendimet gjyqësore për dëmshpërblimin e personave ndaj të cilëve është aplikuar masa e padrejtë e sigurisë “arrest me burg”. Një prej tyre u dha së fundi nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. /VOA

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME