Protesta për Zvërnecin, zbardhen pesë kërkesat e lëvizjes qytetare

Para godinës së Kryeministrisë po zhvillohet protesta e pestë qytetare kundër projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit. Tubimi po vijon me pjesëmarrje masive qytetarësh, të cilët mbajnë pankarta me mesazhe si “Atdheu nuk është në shitje” dhe “Nuk shitet Shqipëria”, ndërsa dëgjohen edhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kryedemokratit Sali Berisha
Protestuesit theksojnë se tubimi është i qytetarëve të lirë dhe nuk ka lidhje me asnjë parti politike apo forcë të re. Një nga organizatorët shpjegoi se lëvizja është mbarëkombëtare dhe drejtohet nga një grup qytetarësh me integritet, të rinj e të reja të vendosur për të mbrojtur interesin dhe pasuritë e vendit.
Gjatë tubimit, janë bërë publike pesë kërkesat kryesore të protestuesve, të cilat ata i konsiderojnë të panegociueshme:
– Dorëheqja e qeverisë
– Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor të investitorëve strategjikë
– Shfuqizimi i Paketës së Maleve
– Anulimi i ligjit të zonave të mbrojtura
– Anulimi i ndryshimeve ligjore për trashëgiminë kombëtare
Organizatorët paralajmëruan se protesta do të vijojë deri në përmbushjen e këtyre kërkesave dhe kanë bërë thirrje për qartësi ndaj opinionit publik, duke theksuar se lëvizja synon të mbrojë interesin kombëtar dhe mjedisor.











