BOTA

Radev shpall fitoren në Bullgari, paralajmëron ndryshim kursi në raport me BE-në

Rumen Radev ka shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari, duke u pozicionuar si forca kryesore politike në vend. Sipas rezultateve paraprake, ai ka siguruar mes 43% dhe 45% të votave, një avantazh i konsiderueshëm ndaj partisë konservatore GERB, e cila pritet të marrë rreth 13%.

Në fjalimin e tij pas shpalljes së rezultateve, Radev e cilësoi këtë fitore si një triumf të shpresës dhe lirisë ndaj frikës dhe mosbesimit. Ai theksoi se qytetarët bullgarë kanë refuzuar politikat e vjetra dhe manipulimet, duke zgjedhur një drejtim të ri për vendin.

“Bullgaria progresive ka fituar bindshëm. Kjo është një fitore e shpresës mbi mosbesimin dhe e moralit mbi arrogancën,” deklaroi ai, duke falënderuar votuesit për besimin.

Radev gjithashtu komentoi mbi rolin e Bullgarisë në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se vendi do të vazhdojë në rrugën e tij evropiane, por me një qasje më kritike dhe pragmatike. Ai shprehu mendimin se Evropa ka rënë pre e ambicies për të vepruar si një udhëheqëse morale në një botë gjithnjë e më të paqartë.

“Evropës i duhet mendim kritik, veprim pragmatik dhe rezultate konkrete për të rikthyer konkurrueshmërinë dhe forcën e saj industriale,” tha Radev, duke shtuar se ky do të jetë kontributi kryesor i Bullgarisë në të ardhmen.

Zgjedhjet e fundit në Bullgari pritet të kenë ndikim më të gjerë politik në Evropë, ndërsa vendi përballet me sfida të rëndësishme në drejtimin e tij të ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button