Roskovec/ Detaje të reja për vdekjen e 69-vjeçarit pas konfliktit mes dy familjeve, pritet ekspertiza mjeko-ligjore (foto e video)

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në lagjen “Vrapi” të Roskovecit, ku humbi jetën 69-vjeçari Baftjar Vrapi pas një konflikti mes dy familjeve fqinje.
Burime nga Qendra Shëndetësore e Roskovecit i thanë gazetarit të Syri TV se 69-vjeçari ka mbërritur pa shenja jete dhe me një shenjë mbi vetull. Sipas tyre, nuk mund të përcaktohet nëse ajo shenjë është pasojë e një goditjeje apo është krijuar si rezultat i rrëzimit në tokë. Kjo pritet të sqarohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, kur mes familjeve Vrapi dhe Hoxhaj ka nisur një debat për një grumbull drush. Sipas versionit zyrtar të Policisë, 69-vjeçari doli së bashku me bashkëshorten dhe, teksa pa konfliktin mes familjarëve, humbi ndjenjat dhe u rrëzua në tokë.
Pas ngjarjes, në vendngjarje mbërriti grupi hetimor, i cili mori në pyetje anëtarët e të dy familjeve për të sqaruar rrethanat e konfliktit në postën e policisë së Rroskovecit, ndërsa trupi i pa jetë i 69 vjeçarit u dërgua në morgun e Fierit për tiu nënshtruar ekpertizës mjeko lihjore. Deri më tani, Policia nuk ka dhënë detaje të tjera mbi shkakun e vdekjes, ndërsa priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.





Gjatë natës dhe përgjatë ditës së sotme, forca të shumta të Policisë kanë patrulluar në Roskovec dhe kanë mbajtur nën monitorim situatën mes dy familjeve, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit./ALB365









