Pse inteligjentët i urrejnë zhurmat?

Në gusht të vitit 1821, ndërsa jetonte në Berlin, Arthur Schopenhauer, 33 vjeç, pati një përplasje me një fqinjë, 47-vjeçaren Caroline Louise Marquet, një rrobaqepëse. Atë ditë, ai u zemërua nga zhurma e tre grave që po bisedonin në paradhomën e apartamentit të tij. Kur u kërkoi të largoheshin, dy prej tyre u bindën, por Marquet refuzoi.
Më pas, Marquet pretendoi se Schopenhauer e kishte goditur me shkelma dhe grushte dhe e kishte shtyrë nga shkallët, duke e lënë të paralizuar në anën e djathtë dhe të paaftë për të punuar. Ai, nga ana tjetër, pohoi se thjesht e kishte shtyrë dhe se ajo kishte rënë qëllimisht për ta paditur.
Pas një beteje ligjore gjashtëvjeçare, e cila përfundoi në maj të vitit 1827, Schopenhauer u detyrua të paguante shpenzimet e saj mjekësore, si dhe një pension vjetor prej 60 talerësh për gjithë jetën e saj. Ditën që ajo vdiq në vitin 1842, filozofi i madh i mëshirës shënoi në regjistrin e tij, në latinisht: Obit anus, abit onus – “Plaka vdiq, barra u hoq”.
Moral i historisë: mos bëni zhurmë pranë filozofëve.
Rasti i Immanuel Kantit
Schopenhauer ndërtoi filozofinë e tij pesimiste mbi atë të Immanuel Kantit (1724–1804), i cili gjithashtu e urrente zhurmën. Edhe pse shoqëror dhe i dashur për të qeshurën, Kanti kishte nevojë për qetësi absolute për të shkruar. Sipas rrëfimeve, ai një herë ndryshoi banesë për shkak të këndimit të një gjeli.
Në maj të vitit 1784, Kanti, i cili jetoi gjithë jetën në Königsberg (sot Kaliningrad), i shkroi një letër shefit të policisë duke u ankuar për “këndimin e lutjeve nga të burgosurit hipokritë të burgut”. Ai nuk shqetësohej vetëm nga zhurma, por edhe nga pasinqeriteti i lutjeve, të cilat, sipas tij, bëheshin vetëm për t’i lënë përshtypje gardianit.
Schopenhauer mbi zhurmën
Në esenë e tij Mbi zhurmën dhe kakofoninë (1851), Schopenhauer sulmon më fort jo bisedat e grave, por kërcitjen e kamxhikëve në rrugët e ngushta e të jehueshme (ekuivalenti i shekullit XIX i motorëve të zhurmshëm apo makinave me marmita të modifikuara): “Çekanët, lehja e qenve dhe britmat e fëmijëve janë të padurueshme; por është vetëm kërcitja e kamxhikut ajo që është vrasësi i vërtetë i mendimit.”
Sipas tij, kërcitja e kamxhikut është edhe më e padurueshme sepse është e panevojshme dhe, edhe më keq, e padobishme.
Schopenhauer e lidh intolerancën ndaj zhurmës (misofoninë, “urrejtjen ndaj tingujve”) me intelektin dhe krijimtarinë: “Ka njerëz, madje shumë, që do të qeshin me këtë ndjeshmëri ndaj zhurmës; por pikërisht këta njerëz nuk janë të ndjeshëm as ndaj argumentit, mendimit, poezisë apo artit, pra ndaj çdo ndikimi intelektual; gjë që lidhet me cilësinë e trashë të trurit të tyre.”
Për Schopenhauer-in, gjenialiteti është aftësia e mendjes për t’u fokusuar në një pikë të vetme. Por sapo një mendje e përqendruar ndërpritet, ajo nuk ndryshon nga një mendje e zakonshme. Ai e krahason këtë me një diamant të madh që, kur thyhet, humbet pjesën më të madhe të vlerës së tij, ose me një ushtri që, kur shpërndahet, humbet fuqinë.
Nuk është vetëm çështje gjenialiteti, por edhe lumturie, sepse, siç e dinë të gjithë njerëzit krijues, nuk ka lumturi më të madhe se ajo e mendjes së përqendruar. Aristoteli e konceptonte Zotin si një mendje që kthehet mbi vetveten në një gjendje lumturie të pastër. Ndryshe, njerëzit që kanë frikë të mendojnë thellë ose që nuk munden, përdorin zhurmën për të mbushur dhe mpirë mendjen e tyre.
Çfarë thotë shkenca moderne
A kishte të drejtë Schopenhauer kur e lidhte ndjeshmërinë ndaj zhurmës me inteligjencën dhe krijimtarinë? Studime të fundit në Universitetin Northwestern sugjerojnë se krijimtaria reale mund të lidhet me një aftësi më të ulët për të filtruar informacionin “e parëndësishëm” shqisor. Ky “filtrim i hapur” mund të ndihmojë trurin të lidhë ide që zakonisht nuk bashkohen, duke favorizuar mendimin krijues.
Por nga ana tjetër, këto ide të tepërta mund të shfaqen si “zhurmë” që e pengon përqendrimin.
Mendja gjeniale është si një motor me kompresion të lartë, i cili fillon të trokasë kur ushqehet me “karburant” të dobët, pra me kaos dhe paqartësi.
Edhe pse mund ta ketë tepruar në përfundime, Schopenhauer, duket se kishte kapur diçka të rëndësishme.











