
Porti i Sarandës ka mirëpritur sot kroçerën luksoze “Le Boréal”, një nga anijet turistike që operon në segmentin e turizmit elitar ndërkombëtar. Kjo është hera e parë që anija me pronësi franceze ankorohet në qytetin bregdetar shqiptar.
Me një gjatësi prej 142 metrash, “Le Boréal” solli në Sarandë rreth 200 turistë, shumica prej tyre shtetas francezë. Sipas të dhënave, 180 pasagjerë janë nga Franca, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit në qytet, turistët do të kenë mundësinë të vizitojnë atraksionet më të njohura turistike dhe kulturore të Sarandës, si dhe destinacione të tjera të rëndësishme në jug të vendit.










Mbërritja e kroçerës konsiderohet një lajm i mirë për turizmin lokal, pasi sjell vizitorë të profilit të lartë dhe kontribuon në promovimin e Sarandës si një destinacion gjithnjë e më i kërkuar në Mesdhe.
Sipas programit të lundrimit, kroçera “Le Boréal” pritet të rikthehet sërish në Portin e Sarandës më 23 qershor, duke konfirmuar interesin në rritje të operatorëve ndërkombëtarë për bregdetin shqiptar.









