AKTUALITETTOP-NEWS

Saranda në “shtetrrethim”, RENEA dhe FNSH zbarkojnë në qytet dhe fshatra

Sarandë – Forcat RENEA dhe një grup i repartit të FNSH, kanë zbarkuar në qytetin e Sarandës dhe në zonat periferike të Bashkisë Konispol, duke kryer kontrolle të shumta me qëllim gjetjen e provave që mund të çojnë në zbulimin e autorëve të vrasjes së 58-vjeçariz Isuf Jaçaj.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista e vetme në të cilën po hetohet është ajo e vrasjes për hakmarrje, për shkak si i biri i viktimës ka ndihmuar autorin e plagosjes së dy personave në 17 korrik në Sarandë. 31-vjeçari Klaus Jaçaj, u vetëdorëzua në Komisariatin e Sarandës mbrëmjen e 23 korrikut, 2 ditë pasi një person i maskuar i shpërtheu me eksploziv automjetin e tij tip “BMW”, që ndodhej i parkuar pranë banesës, ngjarje kjo ende e pazbardhur.

Prokuroria ngriti ndaj tij akuzat “përkrahje e autorit të krimit” dhe “moskallëzim krimi” dhe e la në masën e sigurisw “Arrest në burg”.

Ngjarja që pasoi me një sagë hakmarrje, u rregjistrua në 17 korrik të këtij viti, ku në lagjen nr. 4, 43-vjeçari Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, plagosi me armë zjarri Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 25 vjeç, nga Kamza. Këta dy të fundit rezultojnë persona me precedentë penalë në Sarandë, pasi në 8 janar të këtij viti, kishin kundërshtuar forcat e policisë së Sarandës në rrugën “Skënderbeu” por kishin rifituar sërish lirinë. Pas plagosjes, Hajdarajt i’u gjet nga policia një armë zjarri pistoletë dhe u arrestua në spital. Ramadan Zoto, një ish – i dënuar në Greqi për krime të rënda, përfshirë vrasje, u largua nga vendi i krimit, derisa u kap i armatosur në Korçë paraditen e 22 gushtit. Dy prej personave që ndodheshin me të në vendngjarje janë vetëdorëzuar më herët.

Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, sipas ekspertëve të xhenios, dyshohet se janë përdorur rreth 800 gram eksploziv, i cili ishte vendosur poshtë mjetit tip “Toyota” të Isuf Jaçaj. Shpërthimi dyshohet të jetë kryer i telekomanduar në distancë. Policia po has vështirësi në dokumentimin e plotw të ngjarjes, pasi pranë tij nuk ka kamera sigurie nëpër biznese.

Dëmet nëpër biznese nga shpërthimi i mbrëmjes së të shtunës kanë qenë të shumta. Sot ata janë marrë sot me pastrimin e tyre.

Ndërkohë banorë të lagjes nr.3 ku ndodhi shpërthimi i mbrëmjes së të shtunës vijojnë ende të traumatizuar për çfarë përjetuan. Ndërsa reagojnë dhe tregojnë çfarë kanë përjetuar nuk kanë pranuar të flasin përpara kamerës. Shprehnin frikë të flisnin përpara kamerës. Me shumë vështirësi mundëm të merrnin dëshminë e dy grave, banore të kësaj lagjeje, që kalonin momentalisht në rrugë.

-Ishte një shpërthim i frikshëm. I njoh. Janë njerëz të mirë po fëmijët të bëjnë atë që s’ta pret mëndja, të keqen nëna. Jam emigrante kam shumë vjet që kam ikur, kam harruar dhe veten t’u bëfsha kurban. Dëgjoni, të keqen nëna, ruani kokën se është vënd i egër këtu. Unë rri në lagjen Kodër. Shpërthimin e dëgjova dhe mendova se ishte tërmet. Kalova mbrëmë andej dhe nuk njihej se çfarë ishte, aq shumë dëm dhe tmerr kishte. Çfarë i bëri ai djalë babait të tij. Nëse ka bërë dëm djali t’i paguajë djali, po babai çfaj kishte? Ruani kokën se është vend i egër këtu, tha njera prej grave.

-Jo, moj jo nuk është vend i egër këtu. Janë njerëzit të egër, tha tjetra.

Ndërsa një tjetër, banore e kësaj lagjeje, që nuk pranoi të fliste para kamerës tha:
-Ishte ora rreth 10 ose 10 e gjysëm, se mbaj mend mirë kur ndodhi shpërthimi. Na u thyen xhamat në shtëpi dhe u shpërndanë gjithandej. Fëmijët m’u trembën shumë. Desh vdiqëm. Këtu kisha dhe turistë të huaj, u trembën shumë edhe at. Njëra nga turistet ishte dhe shtatzënë dhe nga frika nisi të qante”.

Paraditen e sotme është pastruar dhe është hequr nga vendi mjeti tejet i shkatërruar i shpërthimit të mbrëmshëm.

Specialistë xhenierë kanë qenë sot për hetime, për të përcaktuar llojin e lëndës plasëse dhe sasinë e përdorur. Policia vijon hetimet për të gjetur autorin e shpërthimit. Dyshohet se autori mund të ketë qenë vetë i dytë, ndërsa shpërthimi dyshohet të ketë qënë i telekomanduar. Nga policia janë shoqëruar mbi 10 persona, banorë të lagjes që janë pyetur për ngjarjen.

Në orën 15.00 u bë varrimi i 58 vjeçarit Isuf Jaçe në vorrezat e qytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button