
Mijëra qytetarë protestuan mbrëmjen e së enjtes kundër bashkimit të Divjakës me Lushnjën, ndërsa në shenjë revolte disa prej tyre dogjën teserat e Partisë Socialiste. E njëjta skenë ishte regjistruar disa javë më parë në Poliçan, ndërsa protestat kundër reformës territoriale janë shtrirë në disa bashki të drejtuara nga socialistët, ku në krah të qytetarëve janë rreshtuar edhe punonjës të administratës.
Socialistët e Divjakës kanë sfiduar kryeministrin Edi Rama duke djegur teserat e Partisë Socialiste, në protestën kundër shkrirjes së bashkisë dhe bashkimit të saj me Lushnjen. Mbrëmjen e së enjtes, në sheshin kryesor të Divjakës, mijëra qytetarë kanë protestuar duke kundërshtuar planin e Partisë Socialiste për shkrirjen e bashkisë së tyre. Në një moment ata kanë djegur teserat e Partisë Socialiste në shenjë revolte kundër këtij projekti.
Disa javë më parë, e njëjta skenë ndodhi në Poliçan ku qytetarët dogjën teserat në shenjë revolte për planin e PS për bashkimin me Beratin.
Pas ngjarjes në Poliçan, kryeministri Edi Rama reagoi duke kërcënuar socialistët që kundërshtojnë atë dhe i quajti ato pamje si të papranueshme. Prej disa ditësh në disa bashki në të cilat drejton Partia Socialiste kanë shpërthyer protestat duke kundërshtuar shkrirjen e bashkive. Bashkë me qytetarët janë bashkuar dhe administrata duke braktisur punën.








