Nga investitorët strategjikë te “industria strategjike”: i njëjti model, të njëjtat privilegje

Nga Jorida Tabaku
Për 13 vite, qeveria e la mbrojtjen kombëtare jashtë prioriteteve të saj. Investimet në mbrojtje mbetën nën angazhimet e Aleancës dhe Shqipëria ende nuk ka një strategji të qartë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Sot nuk është kujtuar për të ndërtuar një politikë kombëtare të mbrojtjes. Është kujtuar për të ndërtuar një tjetër skemë privilegjesh fiskale.
Në Shqipërinë e Edi Ramës, politika fiskale nuk përdoret për të nxitur ekonominë. Përdoret për të zgjedhur fituesit. Përjashtimi nga TVSH-ja vetëm për pajisjet dhe makineritë e përdorura nga prodhuesi shqiptar, nëpërmjet një VKM-je, nuk ndërton një politikë për industrinë shqiptare të mbrojtjes, por krijon një regjim përjashtimesh fiskale që, sipas mënyrës si është hartuar, duket se është projektuar për një numër shumë të kufizuar përfituesish. Në realitet, përfituesi kryesor duket të jetë KAYO dhe interesat që qëndrojnë pas kësaj kompanie, e cila ka përfituar më parë edhe tokë publike, tokë private dhe lehtësi të tjera.
Një model shumë i njohur për shqiptarët, pasi është i njëjti model që kemi parë me investitorët strategjikë, pronat publike, privilegjet fiskale dhe ligjet e shkruara me adresë. Ndryshon sektori, por jo mënyra e qeverisjes.
Askush nuk e vë në dyshim se Shqipëria ka nevojë për një industri moderne të mbrojtjes. Ka nevojë për investime, teknologji dhe partneritet me NATO-n dhe aleatët tanë. Nëse qeveria do ta kishte seriozisht zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, fillimisht do të përmbushte angazhimin bazë ndaj NATO-s për financimin e mbrojtjes. Buxheti i vitit 2026 nuk e bën këtë. Nuk mund të flasësh për industri strategjike, ndërkohë që nuk financon siç duhet vetë mbrojtjen kombëtare.
Prej vitesh, opozita ka kërkuar uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, një mundësi që e lejon edhe Direktiva e Bashkimit Europian dhe që e kanë zbatuar vendet fqinje. Shqiptarëve u është thënë vazhdimisht se “nuk ka hapësirë fiskale”.
Por, kur bëhet fjalë për përjashtime fiskale të projektuara për një numër shumë të kufizuar përfituesish, hapësira fiskale gjendet menjëherë.
Ndërkohë, fasoneria po falimenton, bujqësia mbetet pa mbështetje dhe pa politika për TVSH-në, industria përpunuese humbet konkurrueshmërinë dhe biznesi i vogël përballet çdo ditë me rritjen e kostove. Për ta nuk ka paketa të posaçme, nuk ka lehtësi fiskale dhe nuk ka VKM të shkruara me urgjencë.
Këtë skenar e kemi parë edhe më parë. Fillimisht vijnë përjashtimet. Më pas vijnë privilegjet. Në fund, faturën e paguajnë qytetarët. Nuk duhet të lejojmë që i njëjti model të transferohet edhe në industrinë e mbrojtjes.
Nëse qeveria beson se industria e mbrojtjes është një prioritet kombëtar, atëherë le të paraqesë një strategji të plotë zhvillimi, një analizë të ndikimit ekonomik dhe fiskal, rregulla të qarta, transparencë dhe kontroll parlamentar.
Industria e mbrojtjes është një interes kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, ajo nuk mund të ndërtohet mbi të njëjtin model klientelist që prodhoi investitorët strategjikë, PPP-të dhe ligjet me adresë. Shqipëria ka nevojë për një industri të mbrojtjes që u shërben interesave të vendit, jo interesave të një grushti njerëzish pranë pushtetit.










