Sot provimi i parë i maturës shtetërore, nxënësit testohen në gjuhën e huaj

Këtë të martë, më 2 qershor, nis zyrtarisht Matura Shtetërore 2026 me zhvillimin e provimit të parë, atë të gjuhës së huaj. Mijëra maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen testimit të njohurive si pjesë e procesit të përfundimit të arsimit të mesëm.
Sipas kalendarit të përcaktuar, nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollave në orën 08:30, ndërsa provimi do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:30.
Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimet për zhvillimin e provimeve, duke theksuar se gjatë testimit është rreptësisht e ndaluar mbajtja e telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër që mund të lidhet me inteligjencën artificiale ose komunikimin elektronik.
Po ashtu, nuk lejohen kopjet, komunikimi mes nxënësve dhe përdorimi i materialeve të paautorizuara, ndërsa shkelja e rregullave mund të sjellë përjashtimin nga provimi.
Autoritetet rikujtojnë se maturantët duhet të kenë me vete një dokument identifikimi të vlefshëm, si letërnjoftim ose pasaportë, si dhe mjetet e nevojshme shkollore për zhvillimin e testit.
Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj. Procesi do të vijojë më 9 qershor me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 16 qershor me Matematikën dhe do të përmbyllet më 23 qershor me provimin me zgjedhje. Në të gjithë vendin janë 144 qendra provimi në shkolla. Mbarëvajtja e procesit do të mbështetet nga 2087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, ndërsa 650 vlerësues do të angazhohen në korrigjimin e testeve të Maturës Shtetërore.








