Wednesday, December 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMITurizmi/ Rritja pritet të vijojë edhe këtë vit

Turizmi/ Rritja pritet të vijojë edhe këtë vit

Turizmi ishte sektori që shkëlqeu në vitin 2023, me një numër rekord vizitorësh dhe duke u kthyer në vitin më të mirë historik. Objektivi i 10 milionë vizitorëve, edhe pse ende i “pacertifikuar” nga publikimet zyrtare të Institutit të Statistikave, duket i arritur, teksa deri në nëntor ishin mbi 9.5 milionë vizitorë.

Në raport me vitin paraardhës, viti 2023 shënoi një rritje mbi 30% të numrit të shtetasve të huaj që hynë në territorin shqiptar. Industria e turizmit, e cila në fillim të vitit të shkuar priste një rritje të kënaqshme, por pa paramenduar nivelet reale në të cilat u shfaq prurja e vizitorëve, u kap në befasi.

Operatorët turistikë vlerësojnë se 2023-shi ishte viti më i mirë për Shqipërinë si destinacion turistik dhe markë, por edhe pika ku duhet të ketë reflektim të shpejtë, për të mos ta kthyer këtë situatë në bumerang, për shkak të ngërçeve që shfaq shërbimi, mungesa e burimeve njerëzore, infrastruktura dhe transporti apo organizimi i mobilitetit.

Viti 2024, falë edhe jehonës së mirë të promovimit në mediat ndërkombëtare dhe rrjete sociale, pritet të jetë vazhdim i atij që lamë pas.

Marshimi mbetet i sigurt dhe tregues për këtë janë kontratat me garanci të turizmit të organizuar, të cilat u nënshkruan në mesin e vitit të shkuar dhe shënuan rritje dyshifrore në numër.

Kontratat me garanci shënuan rritje, kryesojnë polakët

Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, shprehet se numri i kontratave me garanci ka shënuar rritje dyshifrore në lidhje me turizmin e organizuar në vend. Rritja e kërkesës ka qenë e tillë, duke lënë një pjesë të partnerëve ndërkombëtarë pa plotësuar nevojat që kishin apo planifikimet për kapacitete shtesë.

“Kontratat janë mbyllur që në mes të 2023. Nga ajo që shoh në përgjithësi nga tregu, është një rritje që shkon deri në 35% ‘e-commitment’, apo angazhimit për të hyrë në marrëdhënie garancie.

Për vitin 2024 janë ezauruar kapacitetet që jepen me garanci dhe disa partnerë kanë siguruar kërkesat e tyre, ndërsa të tjerë nuk kanë arritur të gjejnë kapacitetin e kërkuar.

Tregu polak kryeson edhe për këtë vit dhe më pas vjen ai çek e të tjerët me radhë”, – nënvizon z. Kasa për “Monitor”.

Në vitin që lamë pas, në lidhje me turizmin e organizuar, përveç tregut polak, të tjera grupe të rëndësishme mbeten çekët, spanjollët. U vu re gjithashtu prania e turistëve nga vendet Baltike, Hungaria, Sllovakia.

Ndërkohë të organizuar me ‘block seat’ (rezervim vendesh në linja ajrore, por jo charter të posaçëm) ishin nordikët, gjermanët dhe zviceranët

Polakët ishin grupi me rritjen më të madhe edhe në vitin 2023 për turizmin e organizuar. Shifrat deri në tetor tregonin për një rritje prej 34% në 10 muaj të vitit të shkuar krahasuar me vitin paraardhës. Konkretisht, në janar-tetor 2022, erdhën mbi 165 mijë polakë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të 2023, ishin mbi 222 mijë.

Për Arben Çipën, nga Shoqata e Hotelierëve në Sarandë, turisti polak është cilësor pasi përfshin të gjitha kategoritë, nga ata që nuk shpenzojnë tek ata që shpenzojnë shumë.

“Polakët kryesojnë në turizmin e organizuar. Ka një trend në rritje me nivele dukshëm të larta nga viti në vit dhe mbetet më i qëndrueshmi.

E veçanta e tregut polak është që përfshin të gjithë kategoritë apo nivelet ekonomike në prurje. Janë një grup turistësh që shpenzojnë në mënyrë ekonomike, madje shumë më shumë se çdo lloj tregu tjetër”, – nënvizon z. Çipa.

Paketat për Shqipërinë shënojnë rritje me 25%

Shqipëria, e marketuar si një destinacion ekonomik, pati një numër jo të vogël turistësh që patën si arsye kryesore për ta zgjedhur kostot e ulëta. Pjesa më e madhe e destinacioneve europiane të rërës dhe detit shënuan rritje çmimesh nga inflacioni i lartë, që shoqëroi Eurozonën dhe kjo ishte një arsye më shumë që europianët ta përfshinin Shqipërinë në listën e tyre të aventurës.

Rritja e kërkesës prej promovimit ndërkombëtar, por edhe çmimeve ekonomike, solli efektin tjetër zinxhir që ndjek logjika e tregut, që është rritja e çmimeve. Kjo u pa qartë që në mes të vitit të shkuar, kur paketat për kontratat me garanci u rritën me të paktën 35%.

“Çmimet e vendosura në 2023 në kontrata garancie, që i takojnë sezonit të ardhshëm, kanë shënuar rritje drastike, që varion nga 15-25%, e cila nuk është normale për një marrëdhënie bashkëpunimi siç kemi ne me agjencitë e huaja.

Me këtë nivel, Shqipëria do të shitet 25% më shtrenjtë dhe klienti, që është mësuar me çmimet e viteve të kaluara, do të befasohet me një çmim dukshëm më të lartë. Le të themi që, nëse një paketë është shitur 1000 euro, tani do të shitet 250 euro më shumë dhe vlera nuk është e vogël.

Kjo rritje e konsiderueshme është efekt i zhvlerësimit të Euros dhe kostove të rritura”, – pohon z. Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar.

Dhënia e këtij sinjali që në mesin e vitit të kaluar mund të tregojë se gjatë këtij viti, çmimet të nxitura më tepër nga kërkesa mund të shënojnë rritje edhe për turistët individualë.

Një hap i tillë mund të ndikojë grupin e atyre që zgjedhin vendin tonë si destinacion ekonomik. Vitin e shkuar, mbizotëroi turisti i aventurës dhe me prirjen e shpenzimit minimal.

Kjo ka të bëjë edhe me faktin që mbizotëruan turistët e rinj, të cilët e kanë buxhetin të kufizuar. Në këtë konstatim mund të arrije nëse krahasoje fluksin e turistëve me konsumin që nuk kishin të njëjtin raport rritjeje.

“Krahasuar me vitin 2022, nëse flasim për numër turistësh, mendoj se në disa rajone kishte dyfish më shumë, e në të tjera, 70-80% më shumë turistë. Konsumi nuk është rritur me të njëjtin ritëm, por në raport me vitin 2022 mund të themi se është rritur me 50%.

Jo të gjithë moshat e turistëve kanë shpenzuar shumë”, – do të nënvizonte z. Çipa në mbyllje të bilancit të turizmit 2023.

Pse rritja e turizmit sjell optimizëm dhe frikë

Bilanci pozitiv i vitit 2023 dhe shija e mirë që la në tërësi menaxhimi i sezonit turistik ka shtuar optimizmin për këtë vit, i cili gjykohet se do të vijojë të mbajë të njëjtin ritëm nga operatorët turistikë. Një pritshmëri e tillë i gëzon dhe frikëson njëkohësisht të gjithë.

Kjo lidhet kryesisht me mundësitë e vendit për të përballuar siç duhet një fluks edhe më të lartë turistik, në kushtet kur shqetësimi më i madh është mungesa e fuqisë punëtore.

“Ky është problemi më i madh që ne shohim, të cilin nuk dimë si do ta zgjidhim. Në vitin 2024 shoh të kemi më shumë probleme në lidhje me menaxhimin, transportin dhe akomodimin.

Në këtë moment, Shqipëria është bërë, le ta quajmë, qendra e botës dhe në këtë drejtim do shumë maturi dhe kujdes. Duhet bashkëpunim dhe koordinim i të gjitha palëve, pasi kjo surprizë e bukur që na u paraqit, mbart me vete rrezikun e një bumerangu në lidhje me 5-vjeçarin e ardhshëm, nëse ne nuk tregojmë se jemi të aftë të ofrojmë menaxhim dhe cilësi në standarde”, – nënvizon z. Çipa.

Në të njëjtën linjë është edhe kreu i Unionit Turistik Shqiptar. “Shqipëria, që u bë trend në vitin 2023, mendoj se do të ketë të njëjtën rritje edhe në vitin 2024.

Nëse ndodh kjo, mendoj se sfida më e madhe do të mbetet shërbimi, ku në njërën anë rriten shifrat e turistëve dhe në anën tjetër, na pakësohen punonjësit, pasi emigrimi vijon të mbetet i lartë.

Ky është problem më i madh që shoh. Njerëzit po vijnë, por nëse nuk ke shërbim, do të na kthehet në bumerang, pasi do të na dëmtojë imazhin. E nëse ndodh kjo, mendoj se do të plotësohet cikli dhe pas 2030-s, nuk do të kemi më rritje”, – nënvizon z. Kasa.

Agroturizmi, me hapa të sigurt edhe këtë vit

Shqipëria ka pasur vitin e shkuar ndoshta një nga promovimet më shumëdimensionale. Mediat ndërkombëtare janë ndalur jo vetëm tek ujërat e kristaltë në Jug të vendit, bukuritë mahnitëse të Alpeve, jetën e rigjallëruar të eventeve, kryesisht festivale në plazhe, por edhe te gastronomia, aventura, ana kulturore dhe historike.

Në këtë vrull të interesit për Shqipërinë, ka një segment që plotëson ofertën turistike të vendit me pjesën më autentike, e cila ka regjistruar një rritje të shpejtë të numrit të vizitorëve nga viti në vit, e dukshme sidomos në vitin 2023. Agroturizmi shkëlqeu duke arritur një kulm të ri.

Disa prej emrave që kanë vite në këtë aktivitet, të cilët e kanë konsoliduar markën e tyre, ishin të rezervuar në avancë 5-6 muaj para, diçka e paprecedentë në vitet e mëparshme.

Ky moment, sipas Altin Prengës nga “Mrizi i Zanave”, është i rrallë për Shqipërinë. Si ai, janë të shumta agroturizmet që po shohin rritje të shpejtë të numrit të turistëve, qoftë emra të konsoliduar apo të rinj.

Ajo që i bashkon të gjitha këto sipërmarrje është emëruesi i “identitetit”. Asnjë prej tyre nuk ofron menu të sofistikuara italiane apo franceze.

Kuzhina flet shqip dhe në shumicën e rasteve, edhe në “dialektin” përkatës. Suksesi qëndron tek ofrimi i një përvoje unike shqiptare, gjë që nxit edhe turistët të shpenzojnë për ta përjetuar atë të plotë.

“Duhet të kuptojmë që të japësh ushqim pa identitet të bën jo konkurrues dhe për rrjedhojë, turistët nuk do të kenë tendencën të shpenzojnë te ti.

Nuk mund të pretendojmë që turisti të vijë të shpenzojë për mediokritet. Tendenca e tyre është të jetojnë përvojën qoftë me gjëra të thjeshta, por me identitet.

Të gjithë ato sipërmarrje që ofrojnë eksperiencë territori me identitet, janë të gjitha plot. Fakti që ka kërkesë për këtë lloj turizmi dhe të gjithë kanë frekuentim të lartë, tregon se çfarë realisht pëlqejnë turistët”, pohon z. Prenga.

Në fakt, shumica e të huajve, duket se kanë kuriozitet për kuzhinën shqiptare dhe kjo ka sjellë që agroturizmet t’i përqendrojnë forcat te kjo pikë e tyre.

Mastershef Fundim Gjepali, nga “Agroturizëm Gjepali”, pohon se sipërmarrjet e kësaj natyre po shkëlqejnë falë disa avantazheve që kanë përballë sipërmarrjeve të tjera të turizmit në vend.

“Mendoj se faktorët për këtë ecuri pozitive janë disa dhe, së pari, cilësia e ushqimit.

Së dyti mendoj se janë kostot, që krahasuar me zonat urbane, janë më të ulëta.

Së treti, përvoja në një agroturizëm është më e veçantë se sa të shkosh në një restorant. Ka shumë interes për kuzhinën popullore, atë tradicionale, madje ka fituar terren mbi kulturat e huaja.

Dikur, nëse në kuzhinën që ofroje nuk kishte diçka italiane apo franceze nuk kishte shumë kuriozitet, tashmë kuzhina tradicionale është kthyer në modë”, – pohon ai.

Shqipëria rurale pritet të shkëlqejë edhe këtë vit

Viti 2024 pritet të ketë një tjetër fluks në rritje të të huajve që kanë interes për Shqipërinë e të gjithë dimensioneve të saj, përfshirë atë rurale, ku një peshë të rëndësishme zë agroturizmi.

Subjektet që kanë aktivitet në këtë fushë e shohin me optimizëm edhe këtë vit dhe janë angazhuar seriozisht te prodhimi, një nga elementet me peshën më të madhe në ofertën e tyre.

Por kjo nuk është e lehtë në kushtet kur vullneti për t’u angazhuar në bujqësi mbetet i zbehtë.

Për z. Prenga, shkëlqimi turistik i Shqipërisë duhet të shërbejë si një nxitje për t’u orientuar drejt prodhimit.

“Çmimet e prodhimeve mbeten të shtrenjta. Në këtë ka ndikuar sidomos krahu i punës i larguar dhe është kërkesa e Europës për energji të reja që ndikon drejtpërdrejt. Gjithsesi, mendoj se ky është një moment i mirë për ata që prodhojnë dhe jam shumë i lumtur për këtë.

Ne si vend e meritojmë që çmimet të jenë të shtrenjta, madje edhe më shumë se kaq, pasi i kemi të gjitha kushtet, tokë, ujë, klimë dhe nuk i shfrytëzojmë siç duhet.

Është për të ardhur keq, pasi jemi në një moment shumë të mirë, kur të huajt e kanë kthyer gjithë vëmendjen te ne dhe duan të hanë shqip. Kjo gjë po vë në piedestal ata që prodhojnë. Uroj që të ketë reflektim dhe të shkohet drejt prodhimit”, – thekson ai.

Kantinat e verës, me sytë nga turizmi

 Viti 2023 ishte i mbarë në konsum për kantinat e verës, që u nxit kryesisht nga turizmi. Si një nga sektorët mbështetës, kantinat përfituan nga numri i rritur i vizitorëve, kryesisht të huaj, që janë të “etur” për prodhime vendase dhe autentike, në përpjekje për të marrë esencën e përvojës së tyre turistike.

Teksa konsumi regjistroi një ecuri të mirë, viti që lamë pas nuk ishte shumë i mbarë në prodhimin e rrushit. Kjo kulturë u dëmtua ndjeshëm duke dhënë një prodhim të ulët, edhe pse kjo nuk ishte uniforme por e rajonizuar.

“Pjesa dërmuese e rrushit në 2023 u prish, por ajo që ngeli ishte e një cilësie shumë të mirë. Ne si kantinë na mbeti në fund 30% e prodhimit potencial. Kemi blerë një pjesë të vogël të rrushit për të plotësuar parashikimin që kishim për prodhimin, por nuk ishte sasi e madhe.

Zgjodhëm të qëndronim me atë sasi që kishim”, – pohon Muharrem Çobo, nga “Kantina Çobo”.

Ndryshimet klimatike janë një nga arsyet kërcënuese për kantinat, pasi në vende të ndryshme po prek rëndë prodhuesit e verës dhe në një efekt global, Shqipëria nuk bën përjashtim.

Teksa në Itali dhe Francë, ndryshimet klimatike po japin efektin negativ, në Mbretërinë e Bashkuar, kushtet e reja janë një bekim për kantinat dhe turizmin e verës që po njeh rritje të shpejtë.

Rigers Kaçorri, nga “Kantina Arbëri”, i sheh këto ndryshime si një sfidë reale për sektorin e prodhimit të verës.

“Për sa i përket sasisë, mund të them që këtë vit, prodhimi nuk ishte aq i mirë, edhe nëse do ta krahasoja me vitin paraardhës. Arsyeja kryesore mbeten ndryshimet e mëdha të kushteve klimatike, të cilat po e sfidojnë ashpër sektorin e bujqësisë. Ndryshimet e klimës krijuan vështirësi jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në prodhimet bujqësore në Europë”, – nënvizon ai.

Ksamil

Turizmi nxiti konsumin në 2023. Edhe këtë vit, sytë te “të huajt”

Rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve, që arriti fillimisht një rekord në vitin 2019, i cili u shua në vitet e pandemisë dhe u rikthye në 2022-2023, ka shërbyer si nxitje për zgjerimin e disa sektorëve.

Disa prej tyre kanë qenë makinat me qira, akomodimi nëpërmjet hyrjes së markave ndërkombëtare hoteliere, agroturizmi, por edhe kantinat e verës.

Këto të fundit janë orientuar gjithmonë e më shumë te krijimi i mjediseve të përshtatshme për degustim të verës, produkteve të tjera lokale dhe akomodimi në një numër të vogël dhomash me fjetje.

Kjo formulë po funksionon dhe interesi është në rritje nga viti në vit.

“Trendi në rritje i turistëve që vizituan në vitin 2023 Shqipërinë u reflektua proporcionalisht në një numër më të lartë të vizitorëve në kantinën tonë. Më vjen mirë që është krijuar një simbiozë ndërmjet turizmit dhe enologjisë, pasi ndihmohen disa sektorë të ekonomisë njëkohësisht.

Nëse para një viti, flisnim për një numër të përgjithshëm vizitorësh në 2000 gjatë gjithë vitit kalendarik, ky vit solli dyfishim të numrit të turistëve që rezervuan vizita në kantinë”, – pohon z. Kaçorri.

Shqipëria, që kryesisht vizitohet si një destinacion i rërës dhe detit, po synon të kthehet në një destinacion gjithëvjetor dhe plotësimi i ofertës turistike me aktivitete dhe segmente të reja, shihet si rruga për të shkuar drejt përmbushjes së kësaj ambicieje.

Kantinat raportojnë se edhe në dhjetor, turistët e huaj të fundjavave nuk munguan dhe kjo vjen si efekt i përshtypjeve dhe përvojës pozitive që kanë marrë nga Shqipëria.

“Përshtypjet e vizitorëve kanë qenë pozitive dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Edhe në disa fundjava në dhjetor pritëm në kantinë italianë, me qëndrime të shkurtra dhe duan të shijojnë verën dhe produktet lokale.

Rritja që kanë kantinat në vend është vetëm prej turizmit dhe hovit që pati ky sektor. Nëse s’do të ishte turizmi, mendoj se sektori do të ishte në vendnumëro”, – thekson z. Çobo.

Pritshmëritë e kantinave të verës për vitin 2024 lidhen ngushtë me ecurinë e turizmit.

Sektori pritet të vijojë rritjen dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për industritë mbështetëse të lidhura me të, ku bën pjesë edhe vera.

“Mbetem optimist që shijet shqiptare do të zënë edhe më shumë vend në tregun vendas, por edhe atë të huaj.

Fakti që vizitorët e huaj kanë kulturën e njohjes së një vendi edhe nga sektori i prodhimit, është arsye për të pretenduar se do të kemi një ecuri pozitive edhe për rritjen e konsumit të produkteve ‘Made in Albania’”, – nënvizon z. Kaçorri. /Nertila Maho

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME