Thursday, April 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETVOA: “Autonomia spitalore” rikthehen debatin për shërbimet shëndetësore

VOA: “Autonomia spitalore” rikthehen debatin për shërbimet shëndetësore

Në Shqipëri autoritetet zyrtare po prezantojnë disa elementë të autonomisë spitalore, që parashikon delegimin gradual të vendimarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet. Spitalet publike që plotësojnë disa kritere, po pajisen me kartën e autonomisë menaxheriale, e cila bazohet në atë që quhet praktikë e dyfishtë, sipas së cilës qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mjekët që duan për të marrë shërbim jashtë orarit zyrtar, kundrejt pagesës. Zyrtarët thonë se kjo reformë do të sjellë rritje të shërbimeve dhe cilësisë, ndërsa njohës të fushës së shëndetësisë mendojnë se e konceptuar në këtë mënyrë, ajo rrit edhe më tej kostot nga xhepi i qytetarëve.

“Jo vetëm praktikë e dyfishtë, por edhe rritja së brendshmi e shpërblimit të mjekëve, në bazë të meritës do të bëjë që interesi për të punuar në spitalet publike, të jetë gjithmonë e më i lartë, konkurenca të jetë gjithmonë e më e fortë dhe pastaj kush do të shkojë në Gjermani, të na marrë të keqen”.

Kështu u shpreh pak kohë më parë Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të autonomisë spitalore, vetëm një ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi t’u japë të drejtë studentëve të mjekësisë që kërkuan shfuqizimin e një përkufizimi ligjor që i detyronte ata pas përfundimit të studimeve të punonin në vend për një periudhë 2, 3 dhe 5 vjeçare, para se t’u dorëzohej diploma. Me bindjen se reforma do arrijë të frenojë largimin e mjekëve nga vendi autoritetet argumentojnë se ajo u jep pavarësi spitaleve, që përmes bordeve që do të zgjidhen, të menaxhojnë burimet financiare, njerëzore, apo të lidhin kontrata me palët e treta. Zyrtarët janë të bindur se kjo praktikë do të rrisë cilësinë, shërbimet për qytetarët, dhe të ardhurat dytësore të institucioneve spitalore.

Në fund të janarit të këtij viti kartën menaxheriale të autonomisë spitalore e morën 5 spitale, 4 rajonale dhe ai Univeristar Nënë Tereza në Tiranë, (në vend janë 41 spitale publike, 6 të nivelit terciar, 11 të nivelit rajonal dhe 24 spitale bashkiake). Disa elementë të kartës u eksperimentuan prej një viti në Spitalin Memorial të Fierit.

Sot qytetarët e marrin shërbimin shëndetësor në spitalet publike përmes sistemit të referimit, pa pagesë. Ajo që po diskutohet më së shumti në kuadër të autonomies, lidhet me atë që quhet praktika e dyfishtë, sipas së cilës mjekët të cilët kërkohen nga qytetarët përtej orarit të punës, kanë mundësi të shfrytëzojnë ambientet e spitalit, fillimisht vetëm për konsulta dhe në një fazë tjetër edhe aparaturat, për të ofruar një shërbim ekstra me pagesë, ku 70% të pagesës i merr mjeku dhe 30% spitali, me kusht që pagesa e mjekut të mos tejkalojë 30% të pagës mujore të tij. Kjo ndodh kur qytetarët nuk duan të presin radhën që parashikon sistemi i referimit nga mjeku i familjes, dhe ai specialist. Por ekspertë të shëndetit publik, mendojnë se modeli i autonomisë spitalore që ofron qeveria do të rrisë kostot nga xhepi të qytetarëve për shëndetësinë.

“Kur dëgjoj shprehjen 70% e merr mjeku dhe 30 spitali, pyetja e parë që me vjen në mend është – kush i paguan këto para? I paguajnë qytetarët. Atëherë ne çfarë po bëjmë, po i kërkojmë para njerëzve t’i shtojmë shpenzimet nga xhepi. Të mos harrojmë dhe një element të rëndësishëm. Nuk është vetëm mjeku në shëndetësi. Është një ekip. Ka mjekë, ka infermierë, ndihmës, laborantë, imazheristë, teknikë imazherie, administratë, s’ka asnjë shpjegim për këtë dhe asnjë diskutim”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Alimehmeti, ekspert i shëndetit publik.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë Entela Ramosaçaj, për Zërin e Amerikës i kundërshtoi këto argumenta dhe tha se praktika e dyfishtë ul listën e pritjes brenda sistemit të referimit, rrit cilësinë dhe shërbimet por jo kostot për qytetarët.

“Patjetër që jo. Shërbimi pranë spitaleve publike do të vijojë të ofrohet falas. Dhe për pacientët që do të duan ta marrin këtë shërbim brenda orarit të punës, brenda sistemit të referimit nuk do të ketë asnjë kosto për xhepat e qytetarëve. Kostoja do të jetë zero”- u shpreh Entela Ramosaçaj Zv .Ministre e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër Ish-Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, i tha Zërit të Amerikës, se disa hapa të autonomisë spitalore që lidhen me menaxhimin e fondit të barnave nga vetë institucionet spitalore, investimet apo rekurtimet e personelit janë hedhur mbi një dekadë më parë dhe se në vijim kishin nevojë të përmirësoheshin. Ai merr si shembull projektin e pilot të Autonomisë Spitalore në spitalin e Durrësit që funksionoi për një kohë të gjatë. Z. Vasili është kritik me elementët e autonomisë spitalore që ofrohen sot nga qeveria ndërsa sjell në vëmendje konçensionet në sistemin shëndetësor si një praktikë centralizuese.

“Kjo është masë propagandistike, pa bazë reale që e shthur dhe e mbingarkon sistemin spitalor. Do të krijohet patjetër dhe çorganizim, do krijohen keqkuptime të brendshme, pamundësi të ndarjes ku fillon shërbimi publik dhe ai privat do përdoren të njëjtat asete. Çfarë fituam. Asgjë. Nëse i referohemi konçensioneve. A ka hapësirë një spital autonom të vendosë për një shërbim që e vendos ministria? Kjo gjë ndodh, për laboratorët dhe elementë të tjerë. Ky është autonomia?”- u shpreh Petrit Vasili, ish Ministër i Shëndetësisë.

Por drejtuesja e Spitalit memorial të Fierit, ku prej një viti u pilotuan disa elementë të kartës menaxheriale të autonomisë spitalore thotë se aktiviteti i këtij spitali u rrit me 70%, dhe për pasojë dhe aksesi i qytetarëve.

“Praktika e dyfishtë këtë bën, ul listën e pritjes, e mirmenaxhon atë, dhe i jep qytetarit të drejtë të përzgjedhë vendin e duhur aty ku është shërbimi më i mirë dhe më cilësor. Njëkohësisht krijohet dhe një marrëdhënie e re besimi mes pacientit dhe mjekut”- argumentoi Rudina Degjoni, Drejtore e Spitalit Memorial të Fierit.

Mjaft qytetarë shtrojnë pyetjen nëse e shmang korrupsionin në radhët e bluzave të bardha utonomia spitalore. Disa prej tyre e shohin pozitivisht reformën në këtë drejtim dhe mendojnë se suksesi i saj do të varet ekipet që do ta zbatojnë.

“Ekipet menaxheriale duhet të jenë në lartësinë e reformës. Nëse ne nuk vendosim autoritete drejtuese dhe një ekip menaxherial me mekanizma kontrolli dhe audituese rrezikojmë të kemi probleme që lidhen me mungesën e transparencës, me nxitjen e favorizmit të kolegëve të caktuar, dhe mund të jetë një moment që mund të na fusë në një rreth vicioz sistemin shëndetësor”- u shpreh Qamil Dika pedagog në Fakultetin e mjekësisë UMT.

Një tjetër element i reformës së autonomisë spitalore është konkurueshmëria. Zyrtarët mendojnë se spitalet publike do jenë gjithnjë e më konkuruese me ato private.

“Qytetari i cili merr një shërbim edhe më cilësor patjetër që do të sjellë një konkurencë të shëndetshme jo vetëm mes spitaleve publike por dhe me ato private”- vijoi Zv.Ministrja e Shëndetësisë Entela Ramosaçaj.

Por eksperti i shëndetit publik Ilir Alimehmeti, nuk pajtohet më këtë argument.

“Përse dikush dëshiron të punojë jashtë orarit? Do të thotë që ajo punë e parë nuk i mjafton. Parimi duhet të jetë pagë e denjë për një punë të denjë. Nëse ne dalim përtej orarit, do të thotë që ne gjatë orarit nuk garantuam asgjë. Je në konkurencë me sistemin spitalor privat. Jemi në pozita totalisht të pabarabarta. Dhe në këtë garë do fitojnë privatët sepse qofshin kushtet, metodat, kontratat të cilat përmirësohen në vijimësi janë në favor të tyre?- vijoi Ilir Alimehmeti ekspert i shëndetit publik.

Spitalet publike në Shqipëri po hyjnë në garën për autonomi, në një klimë jo shumë të favorshme sa i takon financimit të sistemit të shëndetësisë. Buxheti për këtë sektor edhe pse është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit me mbi 80%, në raport me PBB ai është rreth 3%, dukshëm nën mesataren prej 8% të vendeve të BE. Nga ana tjetër edhe numri i mjekëve për banorë është i ulët, 188 për 100 mijë banorë, kur në vendet e BE është 374. Edhe pse pagat në shëndetësi, gjatë viteve të fundit janë rritur largimi i mjekëve nga vendi po i jep goditje të vazhdueshme sistemit. /VOA

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME