Tuesday, May 21, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREVOA: Meta, politikani i dytë i rëndësishëm që sulmon SPAK

VOA: Meta, politikani i dytë i rëndësishëm që sulmon SPAK

Ambasada amerikane në Tiranë dhe Delegacioni i Bashkimit europian, si dhe ambasada britanike, i dolën të mërkurën në krah Prokurorisë së Posaçme kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e drejtuesit të saj Altin Dumani, pas sulmeve të përsëritura kundër tyre, ditët e fundit, nga ish-Presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Edhe sot gjatë një konference për shtyp, zoti Meta e akuzoi zotin Dumani si “zëdhënës politik të partisë së Rilindjes”, dhe se sipas tij hapi çështjen “ÇEZ-DIA në dhjetor 2019 me urdhër të Edi Ramës dhe McGonigal-it. Dhe në kulmin e luftës, për të mbrojtur Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese”. Po ashtu sipas zotit Meta, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme po bën përpjekje për ta arrestuar atë, “po Ilir Meta nga burgu, do ta shpërbëjë atë celulë kriminale që është atje”, – deklaroi kryetari i Partisë së Lirisë, ndërsa përdori një fjalor ofendues ndaj zotit Dumani.

Pothuajse më të njejtat tone të ashpra e kërcënuese, dhe epitete fyese, ai kishte folur dhe një ditë më parë. Zoti Meta bëhet kështu politikani i dytë i rëndësishëm që sulmon Prokurorinë e Posaçme, e cila prej një kohe të gjatë është në shënjestër të akuzave dhe të ish kryeministrit Sali Berisha, i gjendur në arrest shtëpie që prej muajit dhjetor. Zoti Berisha është nën hetim, nën dyshimet për korrupsion, për procedurat e ndjekura për privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani.

Një ditë më parë, Këshilli i Lartë të Prokurorisë, KLP, reagoi përmes një deklarate, duke shprehur shqetësim për “deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj”.

Duke ofruar “mbështetje pa rezerva për veprimtarinë ligjore të çdo prokurori”, KLP “dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”.

Deklarata e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u mbështet të mërkurën nga ambasada amerikane në Tiranë e cila theksonte më tej se “do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”.

Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian, ndërsa flet për “deklarata të papranueshme” shprehet se “BE, qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” duke nënvizuar se “sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci”.

Në të njejtën linjë edhe ambasadori britanik Alastair King-Smith, i cili sjell në vëmendje, përmes një deklarate në rrjetet sociale se ka “ripërsëritur mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për SPAK-un dhe përpjekjet e tyre jetike për të përmirësuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit, në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë”. /Marrë nga VOA

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME