Një haker famëkeq, i konsideruar si një nga kriminelët më të kërkuar në Europë është burgosur për shantazhimin e 33 mijë pacientëve të cilëve u kishte vjedhur të dhënat e terapisë së tyre. Burgimi i finlandezit Julius Kivimäki i jep fund një beteje 11-vjeçare që filloi kur ai u bë i njohur si pjesë e një rrjeti bandash hakerash që në moshën 13-vjeçare.
BBC ka sjellë rastin e Tiina-s e cila u informua nga një e-mail nga një dërgues anonim i cili e njoftonte se i kishte emrin, numrin e sigurimeve shoqërore dhe detaje të tjera të jetës private. “Në fillim u habita nga sa i sjellshëm ishte dhe sa i këndshëm ishte toni” – kujton ajo. Dy vjet të dhëna të plota të marra nga terapisti i saj gjatë dhjetëra seancave intime ishin tani në duart e këtij shantazhuesi të panjohur. Nëse ajo nuk paguante një shpërblim brenda 24 orëve, të gjitha do të publikoheshin në internet.
![Jesse Posti, Digiliekki Tiina Parikka](https://ichef.bbci.co.uk/news/480/cpsprodpb/be85/live/8b8f1c40-07bd-11ef-b9d8-4f52aebe147d.png.webp)
“Ishte një ndjenjë mbytëse. Isha ulur me rrobën time të saunës duke u ndjerë sikur dikush kishte pushtuar botën time private dhe po përpiqej të fitonte para me traumën e jetës sime” – thotë ajo që shpejt e kuptoi se nuk ishte vetëm. Gjithsej 33 mijë pacientëve të tjerë të terapisë iu vodhën të dhënat e tyre, mijëra u shantazhuan në atë që është numri më i madh i viktimave në një çështje penale në Finlandë.
Baza e të dhënave e vjedhur nga qendra e psikoterapisë Vastaamo përmbante sekretet më të thella të një pjese të madhe të shoqërisë duke përfshirë edhe fëmijë. Biseda të ndjeshme mbi tema, nga marrëdhëniet jashtëmartesore deri te rrëfimet e krimeve, ishin tani një mjet shantazhi. Mikko Hyppönen, nga firma finlandeze e sigurisë kibernetike WithSecure, e cila hulumtoi rastin thotë se ngjarja shkaktoi një valë tronditëse në vend dhe përfshiu buletinet e lajmeve për ditë të tëra. E gjithë kjo po ndodhte në vitin 2020 gjatë karantinës së pandemisë dhe rasti mahniti botën e sigurisë kibernetike.
Vjedhja e të dhënave pati menjëherë një ndikim shkatërrues. Avokatja Jenni Raiskio që përfaqëson 2600 nga viktimat tha se ishte kontaktuar nga të afërmit e atyre që i kishin dhënë fund jetës pasi të dhënat u publikuan në internet. Shantazhuesi, i njohur me nofkën “ransom_man” u kërkonte viktimave që t’i paguanin 200 euro brenda 24 orëve, përndryshe ai do të publikonte informacionin e tyre. Nëse nuk e respektonin atë afat, ai e rriste gjobën në 500 €.
![Joe Tidy Kivimaki in court](https://ichef.bbci.co.uk/news/480/cpsprodpb/401c/live/257e0050-07be-11ef-b9d8-4f52aebe147d.png.webp)
Rreth 20 persona paguan para se ta kuptonin se ishte tashmë tepër vonë. Informacioni i tyre ishte publikuar që një ditë më parë kur “ransom_man” ngarkoi aksidentalisht të gjithë bazën e të dhënave të tij në një forum në darknet. Gjithçka është ende atje edhe sot. U desh pak kohë të kuptohej se autori ishte finlandez.
Kivimäki, i cili i kishte vënë vetes nofkën “Zeekill” kishte qenë mjaft i kujdesshëm. Si adoleshent, ai kishte për qëllim hakerimin, zhvatjen dhe mburrjen para të tjerëve si ai. Në moshën 17-vjeçare ai u arrestua në vitin 2014 dhe më pas u shpall fajtor për mbi 50 mijë raste hakerimi. Çuditërisht nuk u burgos. Dënimi i tij me 2 vite burg u konvertua. Pas arrestimit dhe para dënimit të tij, ai kreu një nga sulmet më të guximshme të çdo bande hakerash adoleshente.
Në ditën e Krishtlindjeve, Playstation Network dhe Xbox Live u shkatërruan nga një sulm kibernetik. Dhjetëra miliona lojtarë nuk ishin në gjendje të shkarkonin lojëra ose të luanin me miqtë e tyre në internet. Kivimäki mori vëmendjen e mediave botërore dhe madje doli në një intervistë televizive në Sky News ku nuk tregoi asnjë pendim për sulmin.
![Sky News Julius Kivimaki Sky News interview](https://ichef.bbci.co.uk/news/480/cpsprodpb/26bd/live/c9f625a0-07bd-11ef-bee9-6125e244a4cd.png.webp)
Policisë finlandeze iu deshën gati 2 vjet për të mbledhur prova për të lëshuar një “Njoftim të Kuq” të Interpolit për të duke e bërë një nga kriminelët më të kërkuar në Europë. Por askush nuk e dinte se ku ishte 25-vjeçari.
Ai u gjurmua rastësisht shkurtin e kaluar kur policia e Parisit shkoi në banesën e tij pasi mori një telefonatë të rreme për shqetësim në familje. Ata zbuluan se Kivimäki kishte jetuar me dokumente identiteti të falsifikuara me një emër të rremë. Ai u ekstradua me shpejtësi në Finlandë, ku policia filloi përgatitjet për një nga gjyqet e futura në historinë e vendit. Në gjyq ai e shpalli veten të pafajshëm, por provat kundër tij ishin të shumta.
Lidhja e llogarisë bankare të Kivimäki me serverin e përdorur për shkarkimin e të dhënave të vjedhura ishte vendimtare. Oficerët e tij përdorën gjithashtu teknika të reja të mjekësisë ligjore për të nxjerrë gjurmën e gishtit të Kivimäki nga një foto anonime që ai postoi me një pseudonim në internet. Policia dorëzoi prova se gjurma e gishtit nga kjo foto ishte e Kivimäki.
![Police of Finland Kivimaki holding a bottle of water](https://ichef.bbci.co.uk/news/480/cpsprodpb/07f9/live/65b1da70-07be-11ef-8533-c557f743cc78.png.webp)
Në fund gjyqtarët dhanë vendimin e tyre duke e shpallur atë fajtor për të gjitha akuzat. Ai u dënua me 6 vjet e 3 muaj burg nga maksimumi 7 vjet, por ka të ngjarë të vuajë vetëm gjysmën për shkak të kohës së kryer tashmë dhe sistemit finlandez të drejtësisë. Për viktimat si Tiina, ky nuk është një dënim i merituar.