AKTUALITET

Vrasja e shqiptarit në Greqi/ Dyshohet se shkak u bë testamenti i pronarit

Kanë dalë detaje të reja nga hetimet për vrasjen e dyfishtë të së dielës në një kamping në Finikounda të Greqisë, ku njëri prej viktimave ishte një shqiptar. Pista kryesore për krimin mbetet ajo e konflikteve për pasurinë, pasi mediat greke shkruajnë se biznesmeni ia kishte lënë shqiptarit pronën e tij dhe një të afërmi tjetër.

Policia ka dy të dyshuar, teksa testamenti i biznesmenit pritet të hapet ditën e nesërme dhe do ndihmojë hetuesit për të përforcuar dyshimet. Në pyetje u mor edhe nipi i viktimës, që u mbijetoi plumbave dhe për të cilin thuhet se ka dhënë dëshmi kontradiktore gjatë marrjes në pyetje. Sipas të njëjtave burime, dy persona tashmë janë shoqëruar dhe janë të dyshuar, por ende të arrestuar.

I dyti është një 17-vjeçar që u mor në pyetje për disa orë nga autoritetet, pasi ai i njihte të dy viktimat, si pronarin e kampingut ashtu edhe punëtorin shqiptar. Policia e dinte që i riu i përkiste rrethit të tyre të ngushtë, pasi ai ishte shpesh me ta gjatë muajve të verës.

Siç e përshkroi nipi i viktimës, autori dukej të ishte një i ri i moshës 17 deri në 18 vjeç, i cili fliste një greqishte të çalë, kishte flokë biond dhe lëkurë të çelët. Në ditën e vrasjes së pronarit dhe kujdestarit, ai mbante veshur një bluzë me ngjyrë të çelët dhe po ngiste një skuter.

Në pyetje u mor edhe punonjësi i një karburanti, ku kaloi motori i autorit, që dha dëshmi ndryshe, se autori kishte lëkurë të errët dhe jo të çelët. Skuteri i autorit të krimit që ekzekutoi pronarin e kampingut dhe punëtorin shqiptar u gjet nga hetuesit.

Mediat greke shkruajnë se autoritetet gjetën pamje filmike të kamerave në Kyparissia që regjistruan kalimin e vrasësit, me skenarët që sugjerojnë se zona është ose vendi i fshehjes, ose shtëpia e autorit të krimit. Duhet theksuar se një i dyshuar i dytë u soll për t’u marrë në pyetje në lidhje me rastin. Megjithatë, nipi i pronarit, i cili ishte dëshmitar okular i vrasjes, nuk njohu asnjërin prej tyre, duke rezultuar në lirimin e tyre.

Vrasja e dyfishtë ndodhi natën e së dielës. Sipas hetimeve, autori e pyeti pronarin 68-vjeçar të kampingut dhe një mikun e tij 61-vjeçar nëse kishin një dhomë të lirë.

Kur ata refuzuan, ai nxori armën dhe i qëlloi në zonën e pritjes. Nipi i pronarit të kampingut ishte gjithashtu në vendngjarje në kohën e krimit dhe shpëtoi mrekullisht. Autori qëlloi edhe drejt tij, por nuk arriti ta godiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button