Zhduket pa lënë gjurmë 19-vjeçari shqiptar në Britani

Policia e Londrës kërkon ndihmën e publikut në gjetjen e një të riu shqiptar i shpallur si i zhdukur. Rogers Cena 19 vjeç, është raportuar si i zhdukur nga Peckham. Ditën kur i riu është parë për herë të fundit kishte thënë se do të shkonte në dyqanin e zonës rreth orës 15:17 të së mërkurës së 22 janarit.
Që atëherë ai nuk është parë më. Policia e Londrës thotë se Rogersi ka humbur telefonin e tij, i cili është gjetur në Waltham Cross, një zonë e panjohur për të.
Jo vetëm që ky është një i ri jashtëzakonisht i cenueshëm, por telefoni ishte i vetmi mjet që ai kishte për të kontaktuar familjen e tij. Ju lutem, ndihmoni ta kthejmë këtë djalë pranë familjes së tij“ – thuhet në njoftimin e policisë britanike.

Janë të shpeshta njoftime të tilla të policisë në rajone të ndryshme të Anglisë, Uellsit dhe Skocisë. Shqetësimi i policisë apo shërbimeve sociale është legjitim pasi këto ngjarje shpesh herë kanë një prapavijë kriminale.
Të rinjve shqiptarë u garantohet qëndrimi në Britaninë e Madhe deri në 18 vjeç e më pas nëse nuk fitojnë leje qëndrimi të përhershme kthehen në subjekte dëbimi drejt Shqipërisë. Duke e ditur këtë, këta të rinj shkëpusim marrëdhënien me shërbimet sociale duke u larguar edhe nga strehimi i dhënë.
Në kushtet kur ata nga njëra anë i tremben dëbimit e nga ana tjetër përballen me vështirësi jetese kthehem më objektiva ideal të grupeve kriminale. Janë të shumta rastet kur shqiptarë të kësaj koshe për të mbijetuar detyrohen të kthehen në kopshtarë kanabisi apo shitës kokaine me pakicë.