Thursday, June 20, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËZJARRET E PISHPOROS!

ZJARRET E PISHPOROS!

Nga Ben Blushi

Pishporo është një bashkim fshatrash mes Semanit dhe Vjosës. Një fshat quhet Poro dhe fshati tjetër quhet Pishë dhe të dy bashkë bëjnë PishëPoro, që mund të ishte edhe PoroPishë. Megjithëse lagen në të njëjtin det dhe rrethohen nga të njëjtat pisha, Poro dhe Pisha, janë pjesë e bashkive të ndryshme që do të thotë se qeverisen nga njerëz të ndryshëm. Pisha i takon Fierit, ndërsa Poro i përket Vlorës. Pisha edhe Poro shtrihen në një rrugë paralel me detin, buzë së cilës janë ndërtuar shtëpitë e ketyre fshatrave të qetë, të cilët mesa duket nuk kanë nxjerrë njerëz shumë të mëdhenj por as djaj as dreq, sic ndodh me fshatrat që hyjnë në histori qoftë për mirë, qoftë për keq.

Poro dhe Pisha janë të qetë,të mbledhur dhe të butë, njëlloj si halat e pishave që bien në tokë dhe krijojnë një jorgan kadife në pyjet përreth. Për shkak të këtij humusi kadifeje që është gjithmonë i ngrohtë dhe i trashë, zjarret në këtë zonë nuk po shuhen prej disa ditësh. Ato kërcejnë nga një vend në tjetrin, sepse zjarret janë ngjitës dhe meqë Pisha ka zjarre nuk mund të mos kishte Poro dhe anasjelltas.

Për shkak të zjarreve, masivi i dendur i pishave të kësaj zone sot i ngjan një koke të qethur nga një berber amator. Diku ka qime pishash, diku nuk ka. Duke qenë bredharakë dhe ndoshta edhe pak të dehur, si gjithë qeniet e shthurrura të natës, zjarret kërcejnë me ritmin e erës duke u përhapur në mënyrë të crregullt. Prandaj në mes të pyjeve ka ngastra krejtësisht të djegura, të përzhitura e të zeza dhe pak metra më tej ka ngastra të freskëta, të shëndetshme dhe plotësisht jeshile. Në parcelat e zhuritura nuk ka më asnjë insekt, në pemë nuk ulet asnjë zog, toka është e nxehtë, trungjet janë të thata dhe kudo ku shkel ngrihet një tym që kërkon ajër për tu kthyer prapë në zjarr.

Unë shkova në PishPoro për të fotografuar zjarret bashkë me bregun e detit, sic bëj zakonisht kur endem në plazhet e gjata që shtrihen mes Semanit dhe Vjosës. Askund në bregdetin e Shqipërisë, nuk ka zona më të mbrojtura nga natyra dhe më pak të sulmuara nga njeriu. Në verë, shumica e këtyre plazheve mbulohen me cadra dhe banorët e Fierit që nuk duan të shkojnë as në Durrës, se është larg dhe as në Vlorë se është shtrenjtë, vijnë këtu duke u ankuar për dallgët, por më shumë për faktin që Shqipëria nuk e llogarit edhe Fierin si një qytet bregdetar.

Fieri duhet të ketë një nga vijat bregdetare më të gjata në Shqipëri, që nis në Divjakë, Karavasta dhe mbaron në Nartë. Janë disa dhjetëra kilometra plazhe të virgjëra, të cilat nëse popullohen do ta kthenin Fierin në një resort turistik gjigand në mes të Shqipërisë. Mijëra hektarë të gatshëm për ndërtime masive, nga pallatet deri tek hotelet mund të strehojnë një mizëri me turistë të cilët do ta kishin Rinasin një orë larg, spitalin e Fierit 10 minuta larg, Apolloninë 5 minuta dhe lungomaren e Vlorës më pak se 20 minuta larg. Kosovarët, që historikisht e kanë qejf Fierin, do lumturoheshin, ndërsa italianët e varfër të ditëve tona, do mrekulloheshin. Vetë fierakët që mezi e presin këtë ditë, ndoshta do pasuroheshin. Ekologjistët e veshur me pupla do pikëlloheshin ndërsa natyralistët e zhveshur lakuriq do mbuloheshin.

Kjo është arsyeja që ka kaq shumë zjarre në PishPoro. Turizmi masiv po afrohet. Ndërtimi po vjen në formën e një makine betoni që shkel mbi fusha të mbjella me misër, rrafshon pishat e larta dhe than lagunat e vogla të kësaj parajse. Prandaj, sapo shuhet një zjarr, ndizet një tjetër dhe flakët e një krateri të përvëluar vrapojnë nëpër natë nga një prush në tjetrin. PishPoro po digjet me thëngjij lëvizës që natën duken si xixëllonja endacake që djegin pemë.

Ndërkohë, zjarrëvënësit që fshihen nëpër këto pyje kanë ndarë zonat e ndërtimit, parcelat dhe përqindjet, ndërsa betonierat pothuajse janë nisur pasi kanë marrë porositë që llogariten me metër kub. Para se të vijnë, ato e duan tokën të shkretë sepse betoni, nuk e ka shumë qejf natyrën. Ai po i afrohet PishëPoros për tia rrëmbyer pishat dhe për tia mbushur rërën me ndërtime me themele të cekëta. Ndoshta pas disa vitesh, kur aty të mos ketë më pisha,PishPoro do mbetet vetëm Poro.

Njerëzit do thonë isha me pushime në Poro aty ku dikur ka patur Pisha. Atëherë zjarrëvënësit e sotëm do ju kenë shitur pushuesve apartamentet e ngritura mbi pyjet e djegur dhe sërish do kthehen në shtëpitë e tyre të vjetra, që gjithmonë do mbajnë era pishë. Kjo është PishPoro që shumë shpejt mund të jetë IshPoro. E që megjithatë është e bukur edhe kur digjet.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME