Friday, March 29, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZË8 MARSI I MUNGUAR VAJZAVE TË ZONAVE RURALE!  

8 MARSI I MUNGUAR VAJZAVE TË ZONAVE RURALE!  

Nga Aurora Shpataj – Data e 8 marsit manifestohet si një ditë që përkujton triumfin e grave për të drejtat e tyre. Kjo datë u sugjerua nga Konferenca Ndërkombëtare e Gruas 1910 për t’u bërë një “Ditë Ndërkombëtare e Gruas”. Ama në shoqërinë shqiptare përurohet si një festë kombëtare. Shumë vajza dhe gra përgjatë kësaj dite zgjedhin të vishen, të rregullohen e të dalin të festojnë me shoqërinë e tyre pa praninë e burrave.

Realiteti nuk është njësoj për të gjitha gratë dhe vajzat e veçanërisht për vajzat e reja të zonave rurale. Kryeqyeteti, zonat urbane bëjnë një kontrast të fuqishëm në krahasim me zonat rurale, fshatrat. Gratë dhe vajzat e reja sfidojnë çdo ditë mentalitetin për të festuar ditën e tyre. Përballjen me mentalitetin patriarkal e tregon dhe Gazmira, një vajzë 24-vjeçare që jeton në Qafmollë jo shumë kilometra larg Tiranës.

“Në fshat nuk festohet 8 marsi, të paktën jo njësoj si në qytet. Për shembull unë duhet që të rri t’i lutem babait tim për të dalë me shoqet atë ditë. Kjo sepse babai im e quan një festë pa kuptim.” – përfundon Gazmira kur e pyet se si e kalon 8 Marsin.

Ajo shton se vajzat në zonat rurale janë të destinuara të jetojnë me idenë që burri është zoti i gjithckaje, madje dhe i tyre.

“Në fshat shumica e grave kur duan të ikin diku duhet që të dalin me lejen e burrit. Nuk mund të ikësh nga shtëpia pa lejen e tij, sidomos për festa është e paimagjinueshme.”

Por përveç kontrastit mes zonave rurale dhe atyre urbane se si e festojnë 8 marsin duket që sfidat për gratë dhe vajzat që banojnë në fshatra nuk mbarojnë kurrë.

Një tjetër fenomen në zonat rurale janë dhe martesat në moshë të hershme. Ky fenomen nuk është i rrallë sipas Kristinës, e cila fatin e saj e kishte të paracaktuar nga prindërit.

“Unë jam martuar në moshë të re, sa mbylla 9-vjeçaren babai dhe xhaxhai vendosën të më martonin me një djalë.”

Nga martesa e saj në moshë të hershme Kristina sot nuk flet me prindërit e saj, kjo përshkak se martesa e saj në një moshë të re i ka ndërprerë në gjysmë ëndrrat e saj dhe i ka ndaluar të drejtat bazike, duke përfshirë edhe të drejtën për shkollim.

“Kisha ëndërra të vazhdoja gjimnazin, studimet e larta, por mi ndaluan. Pastaj pas martesës bëra djalin në moshën 17-vjeçare dhe nuk e vazhdova më shkollën.”

Rasti i Kristinës nuk është i veçuar dhe as një fenomen i rrallë në shoqërinë shqiptare. Janë të shumta raste kur fati i vajzave në zonat rurale është i paracaktuar apo ku martesa prevalon mbi shkollimin.

Këtë na e konfirmon dhe Kristina që jeton në fshatin Mushqetë, shumë pranë Tiranës.

“Është mallkim të jetosh në fshat. Gjithmonë je nën urdhërat e babait sa je vajzë e pastaj kur je e martuar je nën urdhërat e burrit. Nuk ke të drejtë të shijosh apo vendosësh asgjë pa lejen e tyre.”

Ndaj festa e 8 Marsit është thjesht një sinjal për të kuptuar dallimet sfidat, problematikat mes grave dhe vajzave të reja në zonat rurale në krahasim me zonat urbane. Është vetëm maja e ajsbergut për të kuptuar që 8-Marsi në Shqipëri nuk është i njëjtë për të gjitha gratë dhe vajzat e reja e që vajzat dhe gratë të luftojnë për të drejtat e tyre. Kjo datë e shënuar vazhdon të mbetet këmbanë alarmi për shoqërinë tonë patriarkale.

Ky shkrim është përgatitur nga Aurora Shpataj për Qendrën “Strehëza Edlira Haxhiymeri” në kuadër të programit “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.

Qendra “Strehëza Edlira Haxhiymeri” (SEH) e themeluar në vitin 1998 ofron shërbimet të drejtpërdrejta rehabilituese, riintegruese për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore sipas standarteve kombëtare për ofrimin e shërbimeve rezidenciale. Qendra ofron shërbime gjatë 24 orëve në 7 ditë të javës me një staf të specializuar psiko-social si strehim të sigurtë të përkohshëm, mbështetje psiko-emocionale, këshillim psikologjik, edukim informal, ndërmjetësim për punësim, referim tek shërbimet mbështetesë, ai ato shëndetësore, ligjore, të formimit profesional, etj. Gjithashtu, Qendra zbaton programe të ndryshme në komunitet me të rinjtë dhe profesionistët për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME