Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËRama: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Rama: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryeministri Edi Rama ka thënë sot se Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

I pyetur në një intervistë për reagimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç se do të rishikojë qëndrimin ndaj Kosovës nëse ajo kërkon anëtarësim në Këshillin e Evropës, Rama është shprehur se i vjen keq për Serbinë në këtë rast, por Shqipëria mbështet Kosovën.

“Kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë gjithashtu se Shqipëria do të ndryshojë tërësisht kurs dhe do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut nëse nuk hapen negociatat me Bashkimin Evropian.

Nga Brukseli ku ndodhet për vizitë zyrtare, Rama tha në një intervistë se Bullgaria po mban peng negociatat për Maqedoninë e Veriut, e për rrjedhojë po penalizohet edhe Shqipëria që është në të njëjtin proces.

Intervista e plotë:

-Zoti kryeministër, morëm sinjale pozitive nga takimi i mbrëmshëm që patët ju me zotin Borell, sa i takon një vendimmarrjeje të mundshme në 6 Qershor për Shqipërinë?

Kryeministri Edi Rama: Tani situata dihet dhe të përsërisim atë që vazhdon të përsëritet mbase nuk ia vlen. Megjithatë, po e përsërisim që është shumë e qartë që për Shqipërinë opinioni është tejet pozitiv, ne presim një tjetër raport-progresi dhe jemi të bindur që do jetë edhe më pozitiv për shkak se shumë gjëra kanë ndodhur dhe janë të gjitha në drejtimin e duhur. Imazhi i Shqipërisë është komplet tjetër sot në çdo aspekt. Shqipëria konsiderohet një model për rajonin, jo vetëm këtu, por dhe në Hagë është shumë e qartë kjo gjë.

Megjithatë, dje biseda është përqendruar tek situata social-ekonomike, si rezultat i pasojave të luftës dhe për hir të vërtetës, nëse do kishim mundur ta ndanim me opinionin publik në Shqipëri atë bisedë, do kishim dëgjuar vërtetë situata shumë më problematike sesa situata jonë, në aspektin e qëndrueshmërisë financiare, në aspektin e financimit të mëtejshëm të ekonomisë, në aspektin e inflacionit e kështu me radhë.

Sa i përket pjesës tjetër, ne jemi në pozicionin që dihet, do presim dhe presidencën franceze. Këtu çështja është tek Bullgaria që ka marrë peng Maqedoninë dhe që si rezultat, ka bërë që ne të jemi peng i një ngërçi të madh që ne nuk kemi lidhje fare.

Ndërkohë, besoj që të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë. Megjithatë, ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata.

-Zoti kryeministër, do ta asistojë apo ndihmojë Bashkimi Evropian, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, duke patur parasysh zhvillimet dhe pasojat që mund të vijnë nga lufta Rusi-Ukrainë, dhe në çfarë forme?

Kryeministri Edi Rama: Bashkimi Evropian është një makineri e rëndë dhe e madhe, që edhe kur ka kthesa për të marrë, i merr shumë ngadalë, por ne kemi, prej disa kohësh, punuar me disa kryeqytete, duke bërë disa propozime tonat sepse ka edhe një vullnet të ri për të dëgjuar nga ne dhe kur them nga ne nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë, por edhe vendet të tjera, por edhe duke pasur parasysh faktin që ne tani kemi garantuar një akses të drejtpërdrejtë me kancelarinë kryesore dhe kemi një dialog të vazhdueshëm, pra nuk jemi më në kohën kur një bisedë mes kryeministrit të Shqipërisë dhe Kancelarit apo Presidentit të Francës ishte një ngjarje e madhe për të cilën flitej në televizor, bëheshin njoftime për shtyp. Sot këto janë rutinë, por nga ana tjetër gjithçka është e hapur dhe gjithçka mund të ndodhë. Mund të ndodhë që të ketë një ndryshim të rëndësishëm. Mund të ndodhë që mund të mos ndodhë asgjë, kjo është e gjitha për t’u parë.

– Pas Serbisë z. Kryeministër dhe nga Maqedonia po importojmë mallra. A tregon kjo që “Open Balkan” po funksionon dhe çfarë pritet të ndodhë me Malin e Zi? Pak më herët në një konferencë për shtyp më konfirmuat ftesën që ju i keni bërë kryeministrit shqiptar të zgjedhur të Malit të zi, cili do jetë qëndrimi i këtij vendi?

Kryeministri Edi Rama: Ballkani i Hapur funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë. Tani ne presim që edhe Mali i Zi t’i bashkohet, domethënë është çështje kohe, unë e kam thënë gjithmonë, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë në fakt se nuk ka ku shkon tjetër kjo punë përveçse tek kooperimi, tek bashkëpunimi, kështu që sigurisht që është humbje kohe patjetër për ata që ngurojnë apo refuzojnë të bashkohen, por ne nuk kemi kohë për të humbur.

– Përpara darkës së mbrëmshme Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic deklaroi për mediat e tij që e shoqëronin se Serbia do të rishikojë qëndrimin e saj nëse Kosova do të kërkojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Shqipëria ka një qëndrim në lidhje me këtë? Cila do të jetë vota e saj?

Kryeministri Edi Rama: Kjo nuk do diskutim fare. Ne jemi shumë të qartë. Ne nuk kemi asnjë ekuivok. Ne jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar.

Ndërkohë që ne kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë, betejën diplomatike për dialog e kështu me radhë sepse besojmë që kjo është rruga, kjo është rruga dhe nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të patur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt.

Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën! /tvklan.al

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME