Nga anketimi Kombëtar i Barometrit të Sigurisë në Shqipëri, ku janë pyetur 1110 persona, del që korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë kombëtare.
“Në pesë vitet e fundit korrupsioni është rritur ose është rritur ndjeshëm. Dobësia institucionale shihet si shkaku kryesor i korrupsionit nga rreth një e treta e qytetarëve, pasuar nga pushteti i oligarkëve dhe dobësia e përgjithshme e demokracisë në Shqipëri. Ka një dakordësi mbizotëruese që korrupsioni është rrënjosur aq thellë sa ta denoncosh atë nuk do të sjellë asnjë ndryshim”.
Po ashtu të anketuarit janë pyetur se kujt i besojnë më shumë në luftën ndaj korrupsionit. “Për sa i përket seriozitetit dhe përkushtimit të institucioneve për të luftuar korrupsionin, shumica e qytetarëve mendojnë se qeveria nuk është serioze në angazhimin e saj. Më shumë qytetarë mendojnë se SPAK dhe Gjykatat Kundër Korrupsionit janë serioze në angazhimin e tyre për të luftuar korrupsionin, por krahasuar me të dyja, ka më shumë qytetarë që mendojnë se SPAK është serioz në punën e tij”.
Krimi i organizuar shihet nga shumica si sfida e sigurisë për të cilën Shqipëria duhet të bashkëpunojë më ngushtë me vendet e rajonit të Ballkanit. Përveç Serbisë, qytetarët shqiptarë mendojnë se vendet e tjera të Ballkanit nuk paraqesin kërcënim për sigurinë e Shqipërisë.