Fejton nga Thoma Goga
Sot më mori në telefon që në pikë të sabahut miku im Selim.
- Hë mo Selim, ça ka ndodhur?
- Hiç, o hiç. Kalo nga shtëpia ime. Ta them këtu kur të vish.
Ashtu bëra. I gjeta te ballkoni të katër; Selimin, plakën, nipin dhe macen. Sa u ula unë, u ngrit plaka e shkoi në kuzhinë. Kaluan pak sekonda e u kthye me një tabaka në dorë. Mbi të një pastë dhe një gotë raki. - Sot kemi gëzim ,- tha miku im Selim.- Nipi im mbush 5 vjeç. Të na urosh. Për këtë të thirra.
- Ja gëzuar! Edhe 100 pranvera nipit.- Pastaj iu drejtova vogëlushit.- Ta gëzosh ditëlindjen! Të ngënçim dasmën!
- O po dasmës i hamë mun’ ne. Thuaj ta shtyjmë sa të jetë shkruar, – ma ktheu Selimi.- Po na ka mbërthyer dhe një merak i madh, o Çome. Thonë se do shkojnë në shkollë kjo moshë. Di gjë ti, se je dhe i kalemit?
- Diçka kam dëgjuar. Shteti ka bërë një studim, sipas të cilit edhe kjo moshë mund të fillojë shkollën.
- A të dhjefsha studimet e këtyre. Kur nuk u dalin për hajër, i zbythin prapë. Më duket do na i marrin në qafë kalamaqtë.
- Jo, jo se e kanë trurin të zhvilluar. Pastaj, do e ndihmoni dhe ju gjyshërit.
- Ç’të bëj më shumë unë e shkreta,- u hodh plaka.- Me përralla e me këngë e kam ushqyer. Edhe në banjë do këngë. Që thua zotrote, e çova një ditë në banjë. Ai rri, unë rri. “Hë moj nëna, fillo”, më brriti. Sikur të mos kishte brritur, atje do rrija duke dremitur. E nejse, fillova unë; “Macja ime ka që mbrëmë…”. Më brriti më fortë: Jo këngën e çiçit, po këngën e kakës…”.
- Edhe këngët i ka të ndarë; veç për njërën, veç për tjetrën, – plotësoi Selimi dhe ktheu gotën e rakisë. Jo, kështu nuk ja hedh dot. Mendjen e ka top…
Po qeshja mbyturazi. Pastaj iu drejtua nipit.- Pa na recito një vjershë. Ta dëgjojë xhaxhi Çomja.
Dhe nipi filloi:
“Dhura një dhog të dhi,
Kishte një fëndë të artë…,
Kur unë e vidhatova,
Më bëri edhe glathë…”- Asnjë fjalë s’kuptova,- i thashë Selimit.
- Vjersha thotë kështu, -“përktheu” Selimi:
“Zura një zog të zi,
Kishte një pëndë të artë,
Kur unë e vizatova,
Ai më bëri glasë…”
Këtu qesha me gjithë shpirt, jo aq për vjershën se sa me naivitetin e vogëlushit dhe e putha në ballë.- Pa thuaj xhaxhit, çfarë hëngre sot në mëngjes?
- Një vedhë të dhjerë.
- Çdo mëngjes i bën nëna vezë të zjerë,- “përktheu” plaka këtë herë.
- Dëgjo Çome,- sqaroi Selimi.- Ky nipi ynë më i mirë është në matematikë. Numrat i di përmendësh. Ja, t’i thotë vetë.
Dhe nipi filloi: - Në, dy, tle…(këtu ngeci)
- Katël,- e ndihmova unë.
- Pethë, gjathtë, tatë,… tetë, nënë…(ngeci prapë)
- Dhjetë,- thashë unë.
- O lele kaka,- ulëriu nipi dhe ia mbathi në banjë me të katra…
Qeshëm të tre. Më duket qeshi dhe macja.- Hë re Çome,- m’u drejtua Selimi.- Ku është ai mut studim për këta kalamaqër? E shikon vetë; kjo moshë ta bënë “glasën” m’u në studim.
- Jo miku im. Atë e kanë bërë specialistë të fushës.
- Dëgjo mua, Çome. Më duket, do na mbushen klasat me “glasa”…,- tundi kokën miku im Selim.
Dhe këtu mbaron ky rrëfim…
(TH.G.)