Të gjthë duan të dinë sekretet për të jetuar një jetë të gjatë e të lumtur, pa qenë nevoja të shqetësohemi çdo moment për aspekte të ndryshme të saj.
Dr. Shigeaki Hinohara, i cili ka jetuar deri në moshën 105 vjecare, thoshte se sekreti qëndron në disa parime bazë të thjeshta.
Hinohara raportohet si themelues i mjekësisë japoneze dhe ka rolin e tij në njohjen e Japonisë si vend me jetëgjatësi të lartë.
Në një intervistë me rrjetin Japan Times, ai shpjegon se disa nga parimet bazë që e mbajnë njeriun të shëndetshëm janë të mësuarit dhe të punuarit në vijimësi, por mbi të gjitha, raporti me ata persona, me të cilët ndahet barra jonë emocionale gjatë jetës.
Para se Hinohara të vdiste vitin e kaluar në Tokio, ai vazhdonte të trajtonte pacientë duke punuar më shumë se 10 orë në ditë edhe në moshën 100-vjeçare.
Kawaguchi, i cili konsiderohet si nxënësi kryesor i Hinohara, tha për rrjetin BBC:
“Ai besonte se jeta ka të bëjë me Kontributin! Ai kishte një nxitje të fortë për të ndihmuar njerëzit. Zgjohej herët në mëngjes dhe thoshte se donte të bënte patjetër diçka të mrekullueshme për të tjerët. Ky ishte motivimi i tij dhe ajo që e mbante gjallë. Gjithashtu, e kishte gjithmonë të qartë objektivin e sotëm, të nesërm dhe të të pesë viteve të ardhshme”.
Mes udhëzimeve të Hinohara për të jetuar sa më mirë përfshihen:
“Mos u shqetëso shumë për të ngrënë mirë apo për të fjetur mirë se shqetësimi i prish të dyja. Kujtoni që kur ishim fëmijë dhe zbaviteshim, ne harronim të hanim apo të flinim. Kjo mendësi duhet ruajtur edhe në moshë të rritur. Nuk është mirë ta lodhësh trupin dhe mendjen me shumë rregulla dhe kufizime”.
“Mos ndiq verbërisht atë që të thotë doktori yt, doktorët nuk mund të kurojnë këdo dhe shpesh rekomandojnë trajtime që nuk do t’i rekomandonin për të afërmit e tyre. Muzika dhe terapia e kafshëve mund të ndihmojë shumë më tepër nga sa besojnë doktorët”.
“Nëse do të jetosh gjatë mos jini mbi peshë. Unë për mëngjes pi një kafe, një gotë qumësht, pak portokall me një lugë vaj ulliri brenda. Vaji i ullirit është i mirë për arteriet dhe lëkurën.
Për drekë ha qumësht me biskota, nuk më merr kurrë uria sepse fokusohem në punë. Në darkë ha perime dhe oriz ose peshk, rrallëherë mish. Më tej unë vë muskujt në lëvizje”.
“E rëndësishme është gjithashtu të sundojmë mbi dhimbjen. Dhimbja është misterioze dhe zbavitja është mënyra më e lehtë për ta harruar. Kur një fëmije të vogël i dhemb dhëmbi dhe ti nis të luash me të, ai ose ajo menjëherë e harron.
Prandaj besoj se spitalet duhet të plotësojnë këto nevoja bazë të pacientëve, nevojën e zbavitjes. Me muzikë, me kafshë terapie, me mësime arti dhe aktivitete të tjera pozitive”, tha mes të tjerave Kawaguchi. dita