Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETRrëfimi/ Babai: Djali im la universitetin për të mbjellë kanabis Britani

Rrëfimi/ Babai: Djali im la universitetin për të mbjellë kanabis Britani

E përditshmja britanike “Daily Express” ka kryer një sërë intervistash në Shqipëri me qytetarë të cilët historia i lidh ngushtë me emigrimin e të rinjve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ajo ka publikuar intervistën me një baba shqiptar, i cili me zemër të thyer përshkruan ankthin që ndjeu pasi djali i tij la diplomën e universitetit për të shkuar për të punuar në një fermë droge në Mbretërinë e Bashkuar. Gazeta britanike ka vendosur ta quajë babain shqiptar të intervistuar “Eduard” për të mos zbuluar identitetin e tij të vërtetë.

SHKRIMI I PLOTË

Në fillim, Eduardi (jo emri i tij i vërtetë) u gënjye për atë që djali i tij planifikonte të bënte në Britani.

“Unë do të punoj ndoshta në një restorant sepse mund të flas anglisht” – i tha ai babait të tij, “dhe pastaj të shohim se çfarë mund të ndodhë.”

Ishte një vendim i madh. Djali i tij po linte diplomën universitare në Shqipëri edhe pse i kishte mbetur vetëm një vit nga dega e ekonomisë. “Djali im nuk ka folur kurrë për gjëra të tilla. Nuk ishte qëllimi i tij. Por vetëm një ditë papritmas ai tha se donte të shkonte” shpjegon babai shqiptar.

Pasi udhëtoi për në Francë, i riu më pas zbuloi të vërtetën. Ai do të kalonte Kanalin me një varkë të vogël për të punuar në një fermë kanabisi. “Ishte tepër vonë kur e mora vesh dhe ishte si një tërmet për mua” – thotë Eduardi duke ulur kokën dhe një lot i rrjedh në faqe.

“Ai më tha se i duhet puna për të fituar para. Më tha se nëse mbaron universitetin këtu nuk është punë e madhe sepse do të punosh vetëm si kamerier. Në Shqipëri nëse do të gjesh një punë [të mirë], do t’ju duhen njohje ose duhet të hedhësh disa para për të marrë pozicionin. Kështu funksionojnë gjërat për shkak të qeverisë sonë të korruptuar” – thotë Eduardi.

Megjithatë, duke ditur se sa e vështirë mund të ishte, nuk e bëri më të lehtë për të që të përballonte zgjedhjen e djalit të tij.

“Unë jam i frikësuar sa herë që dëgjoj një histori nga Londra, mendja ime është atje. Kam dëgjuar disa histori nga fshati ku kam lindur. Disa nga njerëzit që punonin në këtë lloj ferme [droge] befas një natë disa njerëz u përpoqën të hynin brenda. Ishte fatkeqësi, ata i vrisnin dhe u bënin gjëra të këqija.
Kam dëgjuar gjithashtu se si kur policia bastis shtëpitë, punëtorët duhet të dalin jashtë dhe ndonjëherë flenë në rrugë. Kjo është arsyeja pse unë i thosha gjithmonë djalit tim se nuk është punë për të, por ai vazhdon të përgjigjet se i duhet pak kohë për të fituar paratë”

Eduardi telefonon djalin e tij çdo ditë, ndërsa i riu kujdeset për një fermë të madhe kanabisi. Bisedat nuk janë kurrë të lehta.

“Ai më thotë se nuk mund të flasë shumë me mua në telefon sepse nuk dëshiron të dëgjohet nga fqinjët. Ai dëshiron të heshtë për shkak të punës së tij” – thotë Eduardi.

Ashtu si shumica e punëtorëve të fermës së kanabisit, i riu mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar me varkë. Udhëtimi e futi në borxh ndaj kontrabandistëve, megjithëse babai i tij tha se tani ai borxh ishte paguar.
Eduardi ka dëgjuar histori edhe më shqetësuese të punëtorëve që u futën në borxhe ndaj tregtarëve të drogës deri në qindra mijëra paund pasi kanabisi u shkatërrua ose u grabit. Edhe pse ai i bindur se të afërmit që ndihmuan djalin e tij të gjente punën do ta mbrojnë atë në rast se një prodhimi shkatërrohet. Babai fajëson mediat sociale për nxitjen e interesit të papritur të djalit të tij për këtë pune.

Express.co.uk ka dëgjuar nga burime të shumta se si në vitin 2022 kontrabandistët dhe tregtarët e drogës filluan një promovim të madh nëpër platformat e mediave sociale, gjë që i shtyu të rinjtë shqiptar të provonin dhe të shkonin në Mbretërinë e Bashkuar.

“Mendoj se ai u ndikua nga mediat sociale ose njerëz të tjerë. Është ndikimi i miqve të tij, sepse ata vazhduan t’i dërgonin mesazhe duke i thënë “hajde këtu, puno me ne dhe fito para” – thotë ai. Prindi në fjalë njeh të paktën 3 ose 4 familje të tjera që kanë pasur djem nën moshën 18 vjeç që udhëtojnë për të punuar në fermat e kanabisit. Ai është i frikësuar për të gjithë ata pasi e vërteta, beson Eduardi është shumë më ndryshe nga ajo që portretizohet në mediat sociale.

“Njerëzit që njoh thonë se [shkuan atje] dhe nuk patën sukses. Por ata gënjejnë dhe ndonjëherë thonë jo e herë po” – shtoi ai. Duke ditur se djali i tij është bllokuar në një punë të paligjshme në një vend të largët jeta e Eduardit është bërë një makth i vërtetë. Ai ka frikë për jetën e djalit të tij çdo ditë.

“I kërkova djalit të kthehej në shtëpi sepse ndoshta një ditë do të vritej nga një prej atyre djemve të tmerrshëm që hyjnë aty brenda. Unë thjesht vazhdoj t’i them atij se duhet të ndryshojë pikëpamjen se si të jetojë jetën dhe të punojë” – e mbyll babai shqiptar. ©Express.co.uk

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME