Rigoni, “investitori strategjik” i Gjirokastrës

Gjirokastër – Në mungesë të fabrikave dhe vendeve të punës, rigoni po kthehet në burimin kryesor të të ardhurave për qindra familje
Në mungesë të investimeve të mëdha dhe mundësive të qëndrueshme për punësim, rigoni dhe bimët medicinale po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë e zonave rurale të qarkut të Gjirokastrës.
Gjatë kësaj periudhe, dhjetëra të rinj nga fshatrat e zonave malore dhe kodrinore i drejtohen grumbullimit të rigonit, sherebelës dhe bimëve të tjera mjekësore, duke e parë këtë aktivitet si një mundësi për të siguruar të ardhura për veten dhe familjet e tyre.
Produktet e mbledhura tregtohen nga grumbullues vendas dhe më pas orientohen drejt tregut të brendshëm, por edhe eksportohen në vende të ndryshme europiane, ku kërkesa për bimët aromatike dhe medicinale shqiptare mbetet e lartë.
Për shumë familje rurale, sezoni i mbledhjes së bimëve mjekësore përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash, duke zbutur disi vështirësitë ekonomike që lidhen me mungesën e vendeve të punës dhe emigrimin e vazhdueshëm të të rinjve.
Banorët e zonës shprehen se pasuritë natyrore të Gjirokastrës përbëjnë një potencial të madh ekonomik, por kërkojnë më shumë mbështetje, investime dhe politika zhvillimi që të krijohen mundësi të reja punësimi dhe të frenohet largimi i të rinjve nga vendlindja.
Ndërkohë, me nota ironie, shumë banorë thonë se sot në Gjirokastër “investitori më i madh” nuk është ndonjë fabrikë apo kompani e huaj, por vetë rigoni, i cili po siguron të ardhura për qindra familje në mungesë të alternativave të tjera ekonomike.









