Rasti i tretë brenda pak ditësh në Fier – gjarpër futet në njësi shërbimi, alarm te punonjësit dhe qytetarët

Fier – Një tjetër incident i pazakontë është regjistruar në qytetin e Fierit, ku një gjarpër është futur në ambientet e një njësie shërbimi në lagjen “Liri”, pranë kryqëzimit të Sharrës. Ngjarja ka shkaktuar panik dhe shqetësim si te punonjësja e biznesit, ashtu edhe te qytetarët që ndodheshin në zonë.
Sipas dëshmitarëve, zvarraniku është konstatuar teksa lëvizte brenda ambienteve të njësisë, duke detyruar të pranishmit të largohen menjëherë për arsye sigurie. Menjëherë pas njoftimit, është ndërhyrë për largimin e tij, pa u regjistruar dëme materiale apo lëndime në njerëz.
Ky është rasti i tretë brenda pak ditësh në qytetin e Fierit, çka ka shtuar shqetësimin e banorëve për praninë e gjarpërinjve në zona të banuara dhe pranë aktiviteteve tregtare. Qytetarët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa për kontrollin dhe monitorimin e zonave ku këta zvarranikë po shfaqen gjithnjë e më shpesh, veçanërisht në hapësira urbane dhe pranë bizneseve.







