Doli të mërkurën përpara gjykatës së Riminit në Itali shqiptari Klajdi Mjeshtri. 29-vjeçari akuzohet për vrasjen e zjarrfikësit italian, Giuseppe Tucci, më 12 qershor të vitit 2023. Mediat italiane shkruajnë se seanca gjyqësore nisi me debate të forta deri në përplasje fizike, pasi babai i viktimës Claudio Tucci, hyri në sallë të gjyqit duke kërkuar që të shihte në sy vrasësin shqiptar. Për të siguruar vazhdimësinë e seancës gjyqësore u nevojit ndërhyrja e policisë italiane.
“Jemi këtu dhe do jemi gjithmonë. Djali ynë nuk vdiq kot. Kemi besim të drejtësia. Ishte një ditë shumë e vështirë. Kur u gjenda përballë vrasësit të tim biri, u nervozova. Ai as nuk më pa në fytyrë. Më pas e kuptova situatën dhe u qetësova” – u shpreh baba i 34-vjeçarit të vrarë.
Një motiv banal u bë shkak për përplasjen që i kushtoi jetën 34-vjeçarit italian. Shqiptari që punonte si roje në një diskotekë të Riminit, e dhunoi atë barbarisht jashtë ambienteve të lokalit me pretendimin se i kishte ngacmuar të dashurën. Zjarrfikësi vdiq pas disa ditësh në agoni.
Pas betejës mes mjekëve ligjorë të të dyja palëve, gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj shqiptarit, i cili në këtë mënyrë do të përfitojë ulje të dënimit. Gjyqtari i çështjes caktoi datën 20 mars për të përcaktuar një mjek ligjor që do të analizojë rezultatet e autopsisë mbi trupin e zjarrfikësit.
Sipas avokatëve mbrojtës, vdekja e 34-vjeçarit erdhi si pasojë e një traume pas kokës e shkaktuar si pasojë e rënies në tokë dhe jo nga grushtet e shqiptarit. Avokatët thonë se italiani nuk mundi të mbijetonte pasi terapitë spitalore nuk i dhanë efekt për shkak të alkoolit që kishte konsumuar. Avokati mbrojtës i 29-vjeçarit shqiptar kërkoi që të rrëzohet akuza e vrasjes me dashje.