Disa nga deputetët e Partisë Demokratike: Dhurata Çupi, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Greta Bardeli, Fatmir Mediu, kanë kërkuar një seancë dëgjimore me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ministrin e Drejtësisë, Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar seancë dëgjimore me institucionet e drejtësisë për hartën e re gjyqësore. Ata thonë se situata është shqetësuese sepse banorët duhet të udhëtojnë me kilometra të tëra për gjykatën ku i trajtohet cështja e tyre për shkak të mbylljes së gjykatave në qytetet ku banojnë.
“Deputetët e opozitës shprehen se kanë ndjekur me vëmendje diskutimet që kanë pasuar vendimin e datës 10.06.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e “Hartës së Re Gjyqësore”.
Deputetët kanë marrë mesazhe të shumta nga qytetarë të ndryshëm që shprehen të shqetësuar lidhur me mbylljen e gjykatave në qytetet e tyre. Vecanërisht shqetësuese mbetet situata për banorët që do t’iu duhen të udhëtojnë për kilometra apo orë të tëra për të mbërritur pranë gjykatës kompetente për gjykimin e cështjeve të tyre.
Sipas deputetëve të opozitës, riorganizimi gjyqësor lidhet me një të drejtë themelore që ka të bëjë me aksesin në drejtësi, të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë është detyrë e Kuvendit të analizojë dhe marrë në shqyrtim këtë çështje me interes për qytetarët”, thuhet në kërkesë.