Mallakastër – Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, goditet një tjetër rast i mbajtjes së armëve, pa leje.
Qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri, vihet në pranga 30 vjeçari.
Policia sekuestroi 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas lëvizte me armë në qytet, kanë ngritur pika kontrolli, dhe kanë organizuar punën për kapjen dhe arrestimin e tij.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë i gjetën atij dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, me krehër me municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.