“Ferri në qytetin e engjëjve”/ Pamjet apokaliptike të zjarrit në Los Angeles
Të paktën 2 persona kanë vdekur dhe dhjetëra mijëra janë urdhëruar për një evakuim të detyrueshëm pasi zjarret janë jashtë kontrollit në zonën më të madhe të Los Angeles në SHBA. Erërat e forta penguan përpjekjet e zjarrfikësve për të vënë flakët nën kontroll ndërsa zyrtarët paralajmëruan edhe për mungesë të ujit.
Më shumë se 70 mijë njerëzve u është kërkuar të ikin nga shtëpitë e tyre pasi flakët janë duke përparuar me shpejtësi të madhe. Sipas autoriteteve, vlerësohet se deri tani janë shkrumbuar mbi 1000 ndërtesa.
Edhe kushtet e motit nuk po ndihmojnë pasi në vijim parashikohen erëra të forta (128-160 km/h) dhe kushte të thata që do të vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e zjarrit. Flakët shpërthyen fillimisht në lagjen Pacific Palisades ndërsa 4 vatra të tjera u përhapën në periferi të qytetit.
Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Reagime të forta ka shkaktuar fakti se kryetarja demokrate e qytetit, Karen Bass ndodhet për një vizitë zyrtare në Ganë ndërkohë që flakët po përparojnë.
Komentuesit kanë vërshuar në faqen e kryebashkiakes në Facebook duke i bërë thirrje që ajo të kthehet menjëherë në Los Angeles. Rreth 3 000 hektarë vlerësohet të jenë djegur deri tani.
Zona është shtëpia e shumë yjeve të Hollivudit dhe muzikës disa prej të cilëve gjithashtu janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre. Aktori James Woods shkroi në X se ishte në gjendje të ikte, por shtoi: “Nuk e di tani nëse shtëpia jonë është ende në këmbë”.
Për shkak të evakuimeve masive rrugët u mbushën me automjete me njerëz që përpiqeshin të largoheshin nga zona. Shumë u detyruan të braktisnin makinat e tyre pasi flakët iu afruan rrezikshëm. Zjarri shkaktoi një re të madhe tymi që duket nga i gjithë qyteti. Qyteti fqinj i Malibu, i cili pësoi një zjarr të madh në dhjetor, vendosi të mbyllë shkollat. Më shumë se 220 mijë shtëpi dhe biznese në Los Angeles County janë pa energji.
Zjarri i dytë i madh shpërtheu rreth 50 kilometra në brendësi të Pasadenës. Deri më tani ai ka djegur më shumë se 2200 hektarë dhe mbetet plotësisht jashtë kontrollit. Të paktën 700 zjarrfikës janë përfshirë në shuarjen e tij. 2 personat që u gjetën të vdekur humbën jetën në këtë front. Shumë të tjerë vlerësohet të jenë plagosur.
Zyrtarët e zjarrfikësve thanë se një zjarr i tretë po digjte zonën Sylmar të luginës San Fernando në veriperëndim të Los Anxhelosit. Zjarri në fjalë vlerësohet të ketë djegur deri tani rreth 500 hektarë. Një zjarr i katërt, shumë më i vogël është raportuar nga zyrtarët në qarkun Riverside. Ndërsa zjarri i pestë ka djegur aktualisht 75 hektarë.