Pse Edi Rama çdo vendim e merr në errësirë?!
Nga Enver Bytyçi – Sa herë zgjohemi dhe ende pa hapur sytë hapim televizorin, dëgjojmë vendimmarrjet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Dhe në të gjitha rastet vemë re se vendimet e tij nuk janë kolegjiale, por personale. Në përmbajtjen e vendimmarrjes së strukturave të shtetit shqiptar të gjitha vendimet merren me imponimin e Edi Ramës. Edhe ato të gjyqësorit, kur interesi i tij është aty.
Në kohën e diktaturës kishte rate kur Biroja udhëzonte diskutime në struktura ose në masë për të shkuar te një vendimmarrje. Të tilla tentativa u bënë nga qeveria e Edi Ramës vetëm në dy raste, atë të Open Balkan dhe të legalizimit të kanabis-sativa. Të dyja në errësirë, formalisht, pa asnjë lloj transparence, me kryekontrollor kryeministrin. Ndërsa për Tik-Tokun errësira ishte katran! Akoma më katran se katrani janë vendimmarrjet për investitorët strategjikë. Së fundmi u shpall si i tillë dhëndëri i presidnetit Trump, Kushner. Vendimmarrja është shpallur para shumë muajsh. Askush nuk e di se si u arrit në këtë vendimmarrje. Kush u konsultua? Cilat struktura bënë ndonjë hulumtim ose studim për interesin dhe dobinë e këtij investimi për shqiptarët. Gjithçka duket investim politik për pushtetin e Edi Ramës! Ndaj dhe vendimmarrja edhe në këtë rast ishte në errësirë të plotë.
Duket qartë se Edi Rama i merr vendimet në mënyrë autoritare, pa konsulta, pa pyetur, thjesht duke dhënë urdhra. Ky fakt është i njohur. Nuk është pra diçka e re. Por ajo që e bën absurd situatën në këtë vend ka të bëjë me faktin se kryeministri i Shqipërisë nuk mban asnjë përgjegjësi për vendimet që vetë i merr. Parimi i tij është “çfarë u duhet qytetarëve se cfarë bëj unë?! Ata më kanë dhënë mandatin dhe unë bëj me këtë mandat atë që dua”! Ky lloj konceptimi i votës së qytetarëve është themeli i strukturimit të diktaturave.
Vendimet e Edi Ramës jo vetëm merren në errësirë, por ato nuk lejohet as të vlerësohen e gjykohen nga taksapaguesit shqiptarë. Ndonëse është ai që emëron ministra e zevendësit e tij, asnjëherë nuk mbajti përgjegjësi juridike, morale apo politike për vendimmarrjen e tij, kur këta ministra u kapën “duke ngrënë dardha pas shpinës së tij”! Ndonëse pa asnjë konsultim dhe pa marrë as edhe ndonjë info prej institucioneve të zbatimit të ligjeve i dha statusin e investitorit strategjik Pëllumb Gjokës, sërishmi tha se “Përgjegjësia është individuale”! Vetë e promovon, vetë e favorizon, vetë e legjitimon si strategjik, vetë e inkurajon të grabisë qindramijë metra katror tokë në bregdet, vetë e mbron edhe kur strategjiku bën vrasësin dhe në fund thotë se “Unë nuk e dija, përgjegjësia është personale”!
Por kur vendimmarrja është personale, siç ndodh me marrjen e çdo vendimi nga ana e Edi Ramës, atëherë vërtet përgjegjësia është personale, por e vetë kryeministrit të Shqipërisë. Edi Ramës nuk ia imponon askush vendimet që merr. Është ai imponuesi më i madh në historinë post diktatoriale në këtë vend. E megjithatë, ai në stilin e diktatorit Hoxha, akuzën e ndërton sipas stratagemës se “Uji kullon i pastër në krye, por turbullohet rrugës”! Kur Enver Hoxha i dënonte të ashtuquajturat grupe armiqësore, thoshte se “gjithçka është bërë pa dijeninë e udhëheqjes (udhëheqësit) dhe në tentativë për ta eliminuar atë”! Identike është filozofia e sotme e Edi Ramës. Nuk ka rast që nuk e justifikon si përgjegjësi të tjerëve.
Ndonëse të gjitha vendimet merren prej tij. Ndonëse nuk ka asnjë lloj transparence në marrjen e këtyre vendimeve dhe bërjen e ligjeve, Edi Rama sërishmi hiqet si “engjëll”, ai që “nuk di asgjë’”, “është njëkohësisht i larë në katran dhe i pastër, pa ngjyrë”. Kjo situatë në një demokraci është turpi i kësaj demokracie. Është gjithashtu edhe turpi i të gjithë atyre njerëzve demokratë e të ndershëm brenda dhe jashtë vendit tonë, të cilët nuk duan ta shohin atë.