Trump firmos urdhrin: Të hapen dosjet për të vërtetën e vrasjes së Kennedy

Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për deklasifikimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me John F. Kennedy dhe Martin Luther King. “Gjithçka do të bëhet publike. Njerëzit e kanë pritur këtë për vite dhe dekada” – tha presidenti amerikan.
Ai urdhëroi deklasifikimin e dokumenteve të qeverisë amerikane për vrasjen e Presidentit Kennedy në 1963, vëllait të tij Robert në 1968, si dhe liderit të të drejtave civile, Martin Luther King Jr të njëjtin vit.
“Amerikanët meritojnë transparencë dhe të vërtetën. Është në interesin tonë kombëtar që përfundimisht të publikojmë dosjet e vrasjes pa vonesë”, – thuhet në njoftim, në të cilin Trump thekson se njohja e asaj që ndodhi është “në interes publik”.
Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i dekretit, presidenti do të ketë një plan të detajuar për publikimin e dokumenteve në lidhje me vdekjen e JFK. Megjithatë publikimi i dosjeve për Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King do të zgjasë më shumë. Plani për lirimin e tyre do t’i paraqitet Trumpit brenda 45 ditëve.
Presidenti Kennedy u vra në Dallas në nëntor 1963. Policia arrestoi Lee Harvey Oswald si të dyshuar, i cili vdiq dy ditë më vonë pasi u qëllua me armë zjarri nga Jack Ruby. Kjo pasoi një zinxhir ngjarjesh që nxitën shumë teori të konspiracionit.
Vëllai i tij Robert F. Kennedy, u vra në vitin 1968 në Los Anxhelos pasi fitoi zgjedhjet presidenciale në Kaliforni. Sulmuesi ishte Sirhan Sirhan, të cilit në vitin 2023 iu refuzua kërkesa për lirim me kusht pas 55 vitesh burg, sepse ende konsiderohej shumë i rrezikshëm.
Gjithashtu në vitin 1968, u vra Martin Luther King nga James Earl Ray, i cili pranoi se ishte vrasësi, por më pas hoqi dorë, duke kërkuar pafajësinë deri në vdekjen e tij në 1998.









