AKTUALITET

Interpol Tirana ekstradon 41 vjeçarin lushnjar nga Republika Domenikane

Në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, Republika Domenikane, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në orët e para të mëngjesit të sotëm,  u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Punta Cana/ Republika Domenikane drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., 41 vjeç, lindur në Lushnjë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të këtij shtetasi. Shtetasi S. P., në përfundim të procedurave, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Policia e Shtetit falënderon autoritetet e Republikës Domenikane dhe autoritetet gjermane për bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 41-vjeçarit në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button