U vra në atentat, “Bushi” me të kaluar të dyshimtë

Sarandë – Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Sarandës mbrëmjen e kaluar, ku një shpërthim me tritol i mori jetën 58-vjeçarit Isuf Jacaj, i njohur ndryshe me nofkën “Bushi”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:50 në lagjen nr. 3, ku lënda plasëse ishte vendosur në një automjet tip Toyota në pronësi të viktimës. Jacaj, i cili ndodhej brenda në momentin e shpërthimit, humbi jetën në vend.
Isuf Jacaj ishte një emër i njohur për policinë, me një të kaluar me vepra penale që përpara viteve 2000. Ai kishte mbetur i plagosur në disa përplasje të mëparshme dhe i kishte shpëtuar një atentati me armë në vitin 2011. Në korrik 2022 u arrestua pas një konflikti tjetër, ndërsa vitet e fundit ishte aktiv në turizëm, duke transportuar turistë me skaf në bregdetin e jugut.
Pista kryesore që po hetohet nga policia është ajo e hakmarrjes, pasi vetëm tre muaj më parë, djali i viktimës, Klaus Jacaj, iu shpërthye makina me tritol, ndërsa ndodhej nën hetim për përfshirje në një ngjarje të rëndë ku u plagosën dy persona. Autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Viktima rezulton person me precedentë penalë dhe është babai i Klaus Jaçajt, aktualisht i burgosur për “përkrahje të autorit të krimit” në një ngjarje të ndodhur më 17 korrik 2025, kur u plagosën me armë zjarri Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Pak ditë pas asaj ngjarjeje, më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni vendosi eksploziv në automjetin e Klaus Jaçajt, duke e shkatërruar plotësisht. Kjo ngjarje mbetet ende e pazbardhur.
Kujtojmë këtu se atentati i sotëm ndodhi pak minuta para mesnatës. Automjeti tip fuoristradë u shkatërrua plotësisht, ndërsa trupi i pajetë i 58-vjeçarit u gjet brenda tij.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi u shkaktua nga një sasi lënde plasëse e vendosur në mjet. Shpërthimi shkaktoi gjithashtu dëme materiale në disa biznese përreth dhe në një automjet tjetër të parkuar afër.









