Nga Muçi te Berisha, ja kuqezinjtë që spikatën më shumë në fundjavë

Lojtarët e Kombëtares do të kenë në mars një ndeshje mjaft të vështirë ndaj Polonisë në “play-off” për kualifikim në Botëror e nëse kalojnë ekipin polak atëherë do të kenë dhe një duel të dytë në fund të marsit me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi. Deri atëherë lojtarët duhet të marrin minuta, të kenë të dhëna statistikore të mira dhe të jenë në top-formë. Ndërkohë, vijon forma e mirë e legjionarëve kuqezi me klubet e tyre në arenën ndërkombëtare.
Rei Manaj është rikthyer te goli me Al Sharjah, duke gjetur rrugën e rrjetës në humbjen ndaj Al Ain me rezultatin 4-1. Ernest Muçi po shkëlqen me Trabzonspor. Sulmuesi kuqezi shënoi sërish në ndeshjen ndaj Koniaspor, të fituar nga skuadra e tij me rezultatin 3-1. Ky ishte goli i tij i tretë në dy ndeshjet e fundit të kampionatit. Rrugën e rrjetës në Turqi e gjeti edhe Taulant Seferi. Sulmuesi i Kombëtares realizoi për Bodrumspor në fitoren e thellë 4-0 ndaj Korumit. Ky ishte goli i tij i 10-të sezonal në kampionat.
Mehmeti shkëlqen në Angli, Berisha në Itali
Shqiptari Anis Mehmeti shënoi në fitoren minimale 0-1 të Bristol Siti në transfertë ndaj Portsmouth. Një realizim shumë i rëndësishëm që i dha tre pikë të arta skuadrës së tij. Medon Berisha vazhdon shkëlqimin në Serie A me Leçen. Mesfushori kuqezi ishte sërish lojtari më i mirë në fitoren 2-1 ndaj Torinos, duke dhënë dy asiste për golat e Kulibali dhe Banda.
Mitaj e Strakosha, performancë cilësore e të qëndrueshme
Protagonist këtë fundjavë ishte edhe Mario Mitaj. Mbrojtësi i Kombëtares dha një asist në fitoren 4-1 të Al Ittihad ndaj Al Shabab, duke shërbyer saktë për Benzema në minutën e 87-të. Një paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe Thomas Strakosha në fitoren 3-2 të AEK Athens ndaj Panathinaikos. Portieri i Kombëtares ndali një penallti të Sviderskit në minutën e 28-të, duke i dhënë ekipit të tij një triumf shumë të rëndësishëm. Titullarë këtë javë ishin edhe Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha dhe Jasir Asani.
Notat më të larta
Një tjetër fundjavë pozitive ishte ajo që lamë pas për legjionarët shqiptarë që luajnë jashtë kufijve. Portali i njohur i statistikave, “Sofascore” jep emrat e pesë legjionarëve me vlerësimet më të larta. Vendin e parë e merr mesfushori i Kombëtares, Medon Berisha i cili dhuroi dy asiste vendimtare për 2 minuta në fitoren e Leçes, me notë 8.8. Ish-i i Partizanit, Arinaldo Rrapaj është pozicionuar në vendin e dytë falë një paraqitje të mirë në barazimin pa gola në kampionatin ukrainas. Ai mori notën 8.2. Mesfushori tjetër i Kombëtares, Keidi Bare vlerësohet me notën 7.9 dhe renditet në vendin e tretë. Vendi i katërt shkon për sulmuesin e “harruar” të Kombëtares, Arbnor Muja. Ai shënoi gol vendimtar në fitoren e skuadrës së tij St.Truiden dhe mori notën 7.9. Top 5-shja plotësohet me futbollistin tjetër kuqezi, Taulant Seferi i cili shkëlqeu me gol në fitoren e thellë të Bodrumsporit, e që gjithashtu mori notën 7.9.









