“1 200 litra vaj… zhduken! Albpetrol përballë skandalit të shekullit.”

Albpetrol në qendër të furtunës / 1 200 litra vaj transformatori zhduken si pa gjurmë! Fuçi me ujë në vend të vajit – kush po e mashtron kë?
Një skandal i përmasave të rënda po zien brenda kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol, dhe duket se çështja është vetëm “çështje orësh” para se të shpërthejë zyrtarisht. Burime të sigurta nga brenda kompanisë konfirmojnë se gjashtë fuçi, secila me nga 200 litra vaj transformatori – gjithsej 1 200 litra – rezultojnë të jenë zhdukur, duke u zëvendësuar me… ujë.
Po, me ujë! Një mashtrim që po trondit të gjithë strukturën e kompanisë dhe që pritet të hapë një tjetër dosje të nxehtë për SPAK.
Si u zbulua skandali?
Sipas informacionit, në magazinën qendrore të Albpetrolit janë dorëzuar 6 fuçi, të regjistruara dhe të dokumentuara si të mbushura me vaj transformatori. Fuçitë janë nisur drejt (QPN) Qëndra e Përpunimit të Naftës në Gorisht, Vlorë.
Në Gorisht janë marrë në dorëzim si numër, por pa u kontrolluar përmbajtja. Dyshimi nisi vetëm pasi punëtorët hapën fuçinë e parë… dhe panë ujë. Fillimisht menduan se mos po gabonin. Hapen të dytën, të tretën – e deri te e gjashta. Të gjitha plot me ujë. Asnjë pikë vaj.
Menjëherë u thirr komisioni. Fuçitë u kontrolluan një për një. Rezultati? Skandal i pastër.
Pyetjet që kërkojnë përgjigje: kush po ja fut kujt?
Dhe këtu nis labirinti i përgjegjësive:
1. A kanë qenë të mbushura me vaj në magazinën qendrore?
Nëse po – kush i boshatisi brenda magazinës dhe i mbushi me ujë?
2. Nëse kanë dalë në rregull nga magazina – a u manipulua ngarkesa gjatë transportit?
Kush garanton se “zhvillimi” nuk ka ndodhur rrugës?
3. Nëse kanë mbërritur të rregullta në Gorisht – kush i ka ndërruar aty përmbajtjen?
Cili “dorë e padukshme” ka pasur akses te malli?
Në të gjitha rastet – përgjigjja është alarmante. Diku brenda strukturës së Albpetrolit ka ndodhur një mashtrim i pastër, i organizuar dhe i qëllimshëm.
Sa para flasim?
1 200 litra vaj transformatori × 7 000 lekë për litër =
8.4 – 8.5 milionë lekë të vjetra.
Me një lëvizje të vetme, dikush ka arkëtuar afro 9 milionë lekë të vjetra. “Esnafëri moderne” me kosto zero, e bërë brenda një kompanie shtetërore.
SPAK në horizont
Tashmë thuhet se materiali po përgatitet për t’u dërguar në SPAK.
Vit i ri, drejtues i ri, dosje të reja për t’u zbardhur.
Albpetrol rrezikon të përballet me një nga skandalet më të rënda të viteve të fundit.
Dhe pyetja ngelet e njëjtë:
Kush po e mashtron kë? Dhe deri ku shkon zinxhiri i përgjegjësisë?
ALB365 është i gatdhëm të presi dhe të botojë edhe prononcimin e kompanisë Albpetrol në lidhje me këtë shkrim që me të njëjtat hapsira të shprehi pretendimet e veta.












