POLITIKËTOP-NEWS

Xhaferri: ‘Rama i tmerruar, qeveria do shkërmoqet’

I ftuar në studion e “Syri Digjital”, me moderatorin Bled Marku,  Kreu i Forumit Rinor të PD-së, Besart Xhaferri theksoi se situata politike në vend është tejet e tensionuar, ndërsa dosja hetimore e SPAK për AKSHI-n po zbardh një skemë të gjerë korrupsioni që përfshin zyrtarë të lartë, familjarë dhe bashkëpunëtorë të kryeministrit.

Xhaferri nënvizoi se mbrojtja e kryeministrit Edi Rama ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku nuk është vetëm akt besnikërie, por një lëvizje strategjike për mbijetesën e tij politike, pasi Balluku shihet si “hap i fundit” që ndalon hetimet të arrijnë tek ai. Rënia e Ballukut, sipas tij, do të krijonte një precedent të rrezikshëm, duke e vënë Ramën direkt nën presionin e drejtësisë.

Xhaferri sqaroi se dosja AKSHI, e cilësuar si “kopshti privat i Edi Ramës”, përmban materiale që dokumentojnë biseda dhe veprime të koordinuara mes ministrave, deputetëve dhe grupeve të interesit, që mund të shkaktojnë një tërmet politik në javët në vijim.

Pasuria marramendëse e Ballukut, që përfshin mbi 314 apartamente dhe dhjetëra miliona euro të tjera, sipas Xhaferrit është vetëm “maja e ajsbergut” e vjedhjes sistematike të fondeve publike, skemë kjo që ka financuar fitoret elektorale dhe ka pasuruar rrethin e ngushtë të pushtetit. Ai paralajmëroi se publikimi i përgjimeve dhe materialeve nga SPAK mund të sjellë shkërmoqjen e qeverisë aktuale, duke detyruar Ramën të përballet me pasojat e korrupsionit.

Pjesë nga deklarata:

Mendoj se, siç e kam thënë shpesh, mallkimi i një diktatori është se nuk mund të bëjë dot një hap pas. Dhe tani Balluku është ai hap pas që ai nuk mund ta bëjë, sepse në momentin që do ta bënte, përveç bashkëpunimit të ngushtë që ka me të dhe gjërave që ata i dinë njëri-tjetrit, ai e di shumë mirë që, po të ikë edhe ajo barrierë që është zëvendëskryeministrja, kuptohet që personi i radhës që do të përballet me akuza në atë parlament do të jetë vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Patjetër, me një fjalë, edhe në Gjykatën Kushtetuese, që të mos krijohet një precedent për kërkesat e arrestit, po përdor të gjitha “bateritë” e tij ligjore në mënyrë që të përcaktojë kufirin deri ku mund të shkojë SPAK-u. Pra, SPAK-u mund të shkonte te liderët e opozitës, dhe kjo ishte shumë e mirëpritur për të; mund të shkonte te ata që Rama vendosi t’i “lëshonte”, me dakordësi, por nuk mund të shkojë deri te dera e zyrës së Ramës, që është paradhoma, pra pikërisht Belinda Balluku.

Por, në të njëjtën kohë, siç po shihet, SPAK-u, nëpërmjet AKSHI-t, i ka shkuar edhe te dera e shtëpisë, pra te dera e familjarëve. Pikërisht për këtë arsye është ajo dilema “ose Lindën, ose Belindën”, për të cilën ai po i jep vetes pak kohë për të vendosur. Por kuptohet që presioni do të vijë duke u rritur dhe normalisht do të kuptohet që e gjithë kjo lëvizje po ndodh me mbështetjen e partnerëve amerikanë.

Ne e kemi bërë këtë bisedë edhe para disa muajsh dhe unë e kam thënë që duhet patjetër presioni ndërkombëtar dhe presioni kombëtar. Presioni kombëtar e ka Partia Demokratike, e ka opozita, e kanë protestat, e ka e gjithë lëvizja shoqërore që duhet të ndodhë në Shqipëri përballë këtyre skandaleve. Por, në të njëjtën kohë, duhet edhe presioni ndërkombëtar, i cili, ndoshta nëpërmjet levës së SPAK-ut, që momentalisht kontrollohet vetëm nga amerikanët dhe jo më me bekimin e Edi Ramës, do të sjellë atë që do ta shtypë këtë lloj regjimi. Prandaj edhe titulli që keni zgjedhur “po shkërmoqet” do të realizohet pikërisht në këtë formë.

Belinda Balluku, vetëm nga llogaritë e apartamenteve, shkon në rreth 50 milionë euro. Por Belinda Balluku, si personazh, nuk mund ta arrinte këtë nivel korrupsioni pa sistemin që e lejon këtë korrupsion. Pra, ajo që po del në pasurinë e Belinda Ballukut është një komision, një përqindje që ajo merr nga vjedhja e madhe që bëhet për t’i shkuar pikërisht Edi Ramës, Partisë Socialiste, fitores së zgjedhjeve, farsës elektorale e me radhë. Këto shifra që shohim janë thjesht përqindje të asaj që është vjedhur në total.

Nëse, për shembull, në qarkun e Fierit Belinda Balluku fiton 12 me 4, të jeni të sigurt që kjo është bërë me miliarda euro të dhëna si koncesione, si parqe fotovoltaike, si para të përdorura për blerje votash, si punësime njerëzish. Të gjitha këto kanë dalë nga taksat e shqiptarëve. Pra, pasuria që bëjnë këta personazhe individualë është thjesht një përqindje shumë e vogël krahasuar me vjedhjen e madhe që i është bërë buxhetit të Shqipërisë. Kjo vjedhje është bërë në terma dhjetëra miliardë euro, sepse kjo qeveri, që nga viti 2013, ka menaxhuar gati 100 miliardë euro fonde publike.

Sigurisht, radha do të vijë edhe tek ai. Është pjesa e AKSHI-t, e cilësuar si “kopshti privat” i Edi Ramës, me familjarë të përgjuar. Janë edhe vilat e filmuara nga Ergys Agasi. Projekti kushton 2 milionë euro, por thuhet “ta bëjmë 4 milionë, sepse më duhet t’i raportoj Kapos”, dhe raporti bëhet për çdo gjë, madje edhe në Excel, për vjedhjet, me pika, të paktën të dinë se ku kanë shkuar paratë.

Unë besoj se tashmë është shumë e qartë që kemi të bëjmë me një axhendë të pastër për rrëzimin e një diktatori. Dhe një diktator rrëzohet patjetër me akuza të forta për familjarët, për veten, për bashkëpunëtorët më të afërt e të tjerë. Por jemi vetëm në fillimet e kësaj faze. Jam i bindur që ajo që do të dalë në javët në vazhdim  përgjime, video, dosje  do të jetë tronditëse. Vetëm nga një dosje në kompjuterin e Ergys Gasit doli AKSHI-u, ndërkohë që aty ka rreth 100 dosje të tjera. Do të dalin çështje.

Ergys Gasi nuk ka qenë vetëm koordinator i AKSHI-t; ka qenë koordinator i gjithë qeverisë. Ka thirrur çdo lloj ministri, çdo grup kriminal, çdo deputet, çdo drejtor të madh agjencish dhe ka zhvilluar biseda të vazhdueshme, përfshirë edhe me Edi Ramën. Prandaj është e qartë se ajo që do të dalë do të jetë e rëndë. Edhe videoja e publikuar nga zoti Berisha për automjetet që dilnin nga Soreli, si dhe gjoba e vendosur ndaj Sorelit dy javë më parë, janë sinjale të hershme.

Ajo që dimë me siguri është se do të ndodhë një skenar i ngjashëm me Maqedoninë e Veriut në vitin 2015, kur përgjimet dolën dhe rrëzuan status quo-në. Skenari “alla Gruevski” do të ndodhë edhe këtu. Do të dalin përgjimet dhe kjo qeveri do të çmontohet.

Diktatorët nuk e mbajnë dot burgun. Burgun e mbajnë ata që luftojnë për lirinë dhe që janë të bindur se po u bëhet padrejtësi. Edhe Erion Veliaj nuk po e mban dot. Do të ishte më mirë të fliste.

Sot kemi edhe një lajm tjetër: Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar hetim për pastrimin e parave në Shqipëri, për kullat, PPP-të, AKSHI-n, koncesionet – pesë pista fillestare, që pritet të shtohen. Kjo tregon një vëmendje të shtuar, ndryshe nga ajo që ishte thënë më herët nga persona që bëjnë propagandë qeveritare në studio televizive kombëtare, të cilët deklaronin se SHBA ishte larguar nga Shqipëria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button